Sulm me armë zjarri në një shkollë në Xhorxhia, katër të vdekur dhe nëntë të plagosur

Winder (Georgia, US), 4 shtator 2024 – Katër persona janë vrarë dhe nëntë të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë të mesme në Xhorxhia të Shteteve të Bashkuara të mërkurën, njoftuan autoritetet lokale.

Sulmi ndodhi në shkollën e mesme “Apalachee” në Uinder të Xhorxhias.

“Ajo çfarë po shohim mbrapa nesh sot është ligësi”, tha sherifi Jud Smith, në një konferencë për media në oborrin e shkollës.

Ai tha se i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden është njoftuar për incidentin dhe se “administrata e tij do të vazhdojë të koordinohet me zyrtarët federalë, shtetërorë dhe lokalë”.

“Jilli dhe unë po vajtojmë për vdekjen e atyre, jeta e të cilëve përfundoi para kohe për shkak të dhunës së pakuptimtë nga armët e zjarrit”, tha Biden në një komunikatë.

Sulmi me armë zjarri ndodhi vetëm disa javë pas fillimit të vitit të ri shkollor në SHBA. Kjo tregon për kërcënimin që përbën dhuna me armë zjarri në shkollat dhe kolegjet në Shtetet e Bashkuara.

Në SHBA kanë ndodhur qindra sulme me të shtëna me armë zjarri në shkolla dhe kolegje në dy dekadat e fundit. Incidenti më vdekjeprurës ndodhi më 2007 kur u vranë mbi 30 njerëz në Virxhinia.

(r.m.)