Kiev, 17 shkurt 2022 – Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë thanë të enjten se druhen se Rusia mund të jetë duke u përpjekur të krijojë një pretekst për të nisur luftën, pas njoftimeve për sulme me artileri përgjatë vijës së frontit, në Ukrainën lindore.
Ukraina dhe rebelët pro-rusë dhanë informacione kontradiktore lidhur me këtë zhvillim dhe detajet nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur. Njoftimet nga të dyja palët sugjeruan një incident më serioz krahasuar me shkeljet e armëpushimit që raportohen rregullisht në vijën e frontit në Donbas.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha se forcat pro-ruse kishin bombarduar një kopsht fëmijësh, duke e quajtur një “provokim të madh”.
Nga ana e tij, Kremlini tha se Moska ishte ‘seriozisht e shqetësuar’ mbi njoftimet për një përshkallëzim të tensioneve pasi separatistët akuzuan forcat qeveritare se hapën zjarr në territorin e tyre katër herë, në 24 orët e fundit.
Në një postim në Twitter, Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss, shkruante: “Njoftimet për aktivitetin e dyshuar anormal ushtarak nga Ukraina në Donbas janë një përpjekje flagrante e qeverisë ruse për të sajuar pretekst për sulm. Kjo qartësish është një strategji e Kremlinit”.
NATO shprehu gjithashtu shqetësimin se Rusia po përpiqet të krijojë një pretekst për një sulm të armatosur kundër Ukrainës.
“Nuk ka ende qartësi, dhe asnjë siguri rreth synimeve ruse”, tha Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake perëndimore, Jens Stoltenberg.
“Ata kanë mjaftueshëm trupa dhe aftësi të mjaftueshme për të nisur një sulm të plotë ndaj Ukrainës pa paralajmërim ose duke dhënë vetëm pak indicie”, u tha ai gazetarëve në selinë e aleancës në Bruksel.
“Kjo është ajo që e bën situatën të rrezikshme”, theksoi ai.
Moska mohon akuzat perëndimore se po planifikon një sulm dhe tha këtë javë se po tërhiqte një pjesë të më shumë se 100,000 trupave që ka dislokuar në kufi me Ukrainën.
Po Perëndimi kundërshton se ka pasur një tërheqje trupash dhe Shtetet e Bashkuara thonë se përkundrazi Rusia nga rritur praninë ushtarake duke dërguar me mijëra trupa të tjerë.
(Zëri i Amerikës)