Prishtinë, 29 nëntor 2024 – Policia e Kosovës njoftoi të premten në mbrëmje se një shpërthim në komunën e Zubin Potokut, në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, e ka dëmtuar një kanal të furnizimit më ujë nga liqeni i Ujmanit.
“Policia e Kosovës, rreth orës 19:00 ka siguruar informacione se në veri të vendit, në fshatin Varage të Zubin Potokut, është sulmuar dhe dëmtuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit të sistemit ‘Ibër Lepenci’.
Kompania rajonale e ujësjellësit “Mitrovica” njoftoi se e ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijes të zones për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit furnizues.
Kompania që i furnizon me ujë të pijes të dy komunat e Mitrovicës, Vushtrrinë, Skenderajn dhe Zveçanin u bëri thirrje qytetarëve “të sigurojnë rezerva të ujit të pijes”.
“Si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, nga i cili ne furnizohemi me ujë të papërpunuar, është ndërprerërë furnizimi me ujë të pijes. Prandaj, ju lusim që të siguroni rezerva të ujit të pijes”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Policia e Kosovës e ka quajtur shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit si akt terrorist të kryer nga një ose disa persona.
“… njësia për trajtimin e materieve eksplozive është duke u kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar”, ka thënë policia.
Policia njoftoi se është duke kryer hetime intensive për ta zbardhur rastin dhe nga qytetarët ka kërkuar të japin çfarëdo informacioni që mund të kenë lidhur me këtë akt.
”Bashkërendimi i veprimeve në terren është duke vazhduar nga institucionet e Kosovës, e po ashtu lidhur me rastin janë njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës shton masat e sigurisë në “lokacionet sensitive”
Policia e Kosovës njoftoi se pas akteve kriminale të ditëve të fundit i ka shtuar masat e sigurisë në “lokacionet sensitive” në mbarë vendin.
“Policia e Kosovës i ka rritur masat e sigurisë në lokacionet sensitive dhe do të vazhdojë të punojë intensivisht drej zbardhjes dhe ndriçimit të rastit, për të cilin nga hetimet fillestare ekziston dyshimi i bazuar se sulmi ka qenë i qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv nga individ apo grup kriminal, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Policia e Kosovës tha se “do të përdorë të gjitha aftësitë dhe asistencën nga komuniteti ndërkombëtar për të hetuar provat dhe për të gjetur personat përgjegjës për dëmtimin e furnizimit me ujë të vendit, të furnizimit të termocentraleve e të Zubin Potokut, e që mund të dëmtojë qytetarët”.
Së bashku, do të përpiqemi për të gjetur individët përgjegjës për këtë rast e edhe për sulmet tjera ndaj stacionit të policisë në Zveçan dhe ndërtesës së komunës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftyim bëhet e ditur se policia do të shtojë praninë dhe aktivitetet policore me qëllim që të ofrojë më shumë siguri në mbarë Kosovën.
“Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në terren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në njoftikmin e policisë.
“Qëllimi i operacioneve policore do të jetë siguria e qytetarëve, siguria e pronës së tyre e pronës publike dhe asaj institucionale”, thuhet në njoftim.
Kurti cilëson “akte terroriste” sulmet e ditëve të fundit në veri
Në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ditëve të fundit janë shënuar incidente me mjete shpërthyese. Më 27 nëntor, stacioni policor në Zveçan është sulmuar me dy granata dore. Për fat të mirë, shpërthimet kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Ndërkaq, më 29 nëntor, është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, ndërtesa e Komunës së Zveçanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka cilësuar si “akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë” sulmet e fundit në pjesën veriorer të vendit.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka akuzuar Serbinë për, siç ka thënë, “dirigjimin” e bandave kriminale për kryerjen e sulmet të ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri të vendit.
(r.m.)