Moskë / Kiev, 3 prill 2022 – Rusia tha të dielën se ka goditur me raketa duke shkatërruar një një rafineri nafte të përdorur nga ushtria ukrainase në Odesa, ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për të evakuuar civilët nga qyteti i shkatërruar i Mariupolit.
Në Odesa, këshilli i qytetit tha se “objekte thelbësore të infrastrukturës” u goditën nga raketat. Nuk raportohet për viktima.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet shkatërruan një rafineri nafte dhe tre depo karburantesh pranë Odesës. Ajo tha se objektet përdoreshin për të furnizuar trupat ukrainase pranë qytetit të Mykolaivit.
Odesa, në bregun e Detit të Zi, është baza kryesore e marinës së Ukrainës. Qyteti është vënë në shënjestër nga forcat ruse që kërkojnë një korridor tokësor për në Transdniestria, një provincë separatiste rusisht-folëse në Moldavi, ku janë të vendosura trupat ruse.
Përpjekjet për evakuim nga Mariupoli dhe Berdyansku dy qytete që shtrihen gjithashtu në brigjet jugore të Ukrainës, pritet të vazhdojnë me një autokolonë autobusësh që po përgatiteshin për operacionin me ndihmën e Kryqit të Kuq.
“Shtatë autobusë do të përpiqen t’i afrohen Mariupolit, të shoqëruar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, në një video postim në internet.
KNKK braktisi përpjekjet e mëparshme për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Rusia fajësoi KNKK-në për vonesat.
Mariupoli është objektivi kryesor i Rusisë në rajonin juglindor të Ukrainës, Donbas, dhe dhjetëra mijëra civilë atje janë të bllokuar dhe me qasje të paktë në ushqim dhe ujë.
Ukraina tha të shtunën se forcat e saj rimorën të gjitha zonat përreth Kievit, duke pretenduar kontrollin e plotë të rajonit të kryeqytetit për herë të parë që kur Rusia nisi agresionin e saj më 24 shkurt.
Rusia ka tërhequr forcat që kërcënonin Kievin nga veriu, për t’u rigrupuar për beteja në Ukrainën lindore.
Kryetari i bashkisë së Buchas, një qytet i çliruar 37 km në veriperëndim të kryeqytetit, tha se 300 banorë ishin vrarë gjatë pushtimit njëmujor nga ushtria ruse dhe viktimat u panë në një varr masiv dhe ende të shtrirë në rrugë.
Moska mohon të ketë shënjestruar civilët dhe hedh poshtë akuzat për krime lufte.
Midis të vrarëve pranë Kievit ishte edhe gazetari Maksim Levin, i cili punonte për një faqe interneti lajmesh dhe ishte një bashkëpunëtor për një kohë të gjatë i agjencisë së lajmeve Reuters.
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se ishte e tmerruar nga mizoritë në Bucha dhe shprehu mbështetje për hetimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare mbi krimet e mundshme të luftës.
(Zëri i Amerikës)