Uashington / Londër, 4 mars 2022 – Sulmi i forcave ruse ndaj centralit më të madh bërthamor në Evropë, ka ngritur shqetësime mbi një katastrofë që mund të prekë të gjithë Evropën Qendrore për dekada, sikurse ajo që ndodhi pas aksidentit në centralin bërthamor të Çernobilit në 1986.
Ukraina është shumë e varur nga energjia bërthamore, me 15 reaktorë në katër stacione, që ofrojnë rreth gjysmën e energjisë elektrike të vendit.
Pas sulmit në Zaporizhia, Presidenti amerikan Joe Biden, Kryeministri britanik Boris Johnson, si dhe të tjerë udhëheqës të tjerë botërorë, bënë thirrje për t’i dhënë menjëherë fund luftimeve atje.
Sipas ekspertëve problemi më i madh megjithatë është furnizimi me energji elektrike i centralit.
Nëse impianti do të mbetej pa energji, ai do të detyrohej ta siguronte atë nëpërmjet gjeneratorëve me naftë, të cilët janë shumë të pasigurt, pasi mund të dalin jashtë funksionit apo t’u mbarojë karburanti. Mbetja e centralit pa enegji do të bënte që uji që nevojitet për ftohjen e reaktorëve të mos qarkullonte. Ekspertët thonë se edhe mbyllja e reaktorëve nuk do të ndihmonte nëse sistemi i ftohjes do të dështonte në një mënyrë të tillë.
Ata thonë se shqetësimi i vërtetë nuk është një shpërthim katastrofik, siç ndodhi me Çernobilin, por dëmtimi i sistemit të ftohjes, i cili është i domosdoshëm edhe kur reaktori është i mbyllur.
Sipas David Fletcher, ish ekspert i Energjisë Atomike në Mbretërinë e Bashkuar, ishte ky lloj dëmtimi që çoi në aksidentin në centralin bërthamor të Fukushimës.
(Zëri i Amerikës)