Uashington, 6 gusht 2022 – Rusia dhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën për bombardime në centralin më të madh bërthamor në Evropë, atë të Zaporizhias.
Predhat goditën një linjë të tensionit të lartë të centralit, gjë që shkaktoi ndaljen e punës së një reaktori. Fatmirësisht nuk pati rrjedhje radioaktive.
Centrali bërthamor u morr nën kontroll nga forcat ruse në fillim të muajit mars, por ai ende drejtohet nga teknikët ukrainas.
Kompania shtetërore për Energjinë Bërthamore e Ukrainës, Energoatom, fajësoi Rusinë për sulmin. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha gjithashtu se Moska ishte përgjegjëse duke e cilësuar ngjarjen një akt terrori.
Nga ana tjetër ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi forcat ukrainase për bombardimin e centralit, duke thënë se ishte vetëm çështje fati që nuk pati rrjedhje radioaktive.
Ndërkohë luftimet vazhdojnë në Ukrainë. Forcat vendase po përpiqen të forcojnë pozicionet e tyre rreth qytetit lindor të Slovianskut, në pritje të një ofensive ruse për të kapur pikën strategjike, qytetin e Donetskut.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se trupat ruse po grumbullohen në jug në pritje të kundërofensive të Ukrainës ose po përgatiten për një sulm të mundshëm.
Instituti amerikan për Studime të Luftës, tha se forcat ruse kryen sulme tokësore, por që dështuan, në zona të banuara në jug qytetit, Bakhmut. Ata gjithashtu kryen disa sulme të kufizuara tokësore në veri, veriperëndim dhe jugperëndim të qytetit Donetsk.
Megjithë luftimet, eksporti i dridhit vazhdon. Tre anije lanë portet me dalje në Detin e Zi, në drejtim të Turqisë për inspektim. Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se shpresojnë që brenda disa muajsh të rrisin dërgesat e grurit nga 1 në rreth 3.5 milionë tonë metrikë në muaj.
(Zëri i Amerikës)