Sulmohet me koktej molotovi lokali i një gorani në pjesën veriore të Mitrovicës

Prishtinë, 14 korrik 2024 – Ëmbëltorja “Sharr” në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me koktej molotovi, të dielën, në orët e para të mëngjesit. Persona deri më tani të panjohur e kanë thyer xhamin e derës së lokalit dhe kanë hedhur koktej molotovi Brenda në lokal.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, e ka cilësuar aktin si tentim zjarrvënie.

“Rreth orësh 03:30 k pasur tentim për zjarrvënie në Mitrovicë të Veriut”, ka thënë Elshani.

Ai ka thënë se sulmi ka shkaktuar dëme të vogla materiale.

Pronari i ëmbëltores “Sharr” është pjesëtar I komunitetit goran. Ditë më parë në këtë ëmbëltore kishte qëndruar për pak kohë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me ish-kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

Elshani ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që ky të jetë motivi i sulmit me koktej molotovi.

Situata e sigurisë në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, vazhdon të jetë ende e brishtë për shkak të veprimeve të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale serbe. Këto grupe që e kanë mbështetjen e shtetit serb kanë shkaktuar tensione të larta vitin e kaluar, kur kryetarët shqiptarë të këtyre komunave e morën detyrën, pavarësisht prej kundërshtimeve të popullatës lokale serbe, e cila i kishte bojkotuar zgjedhjet me rekomandim të Beogradit zyrtar.

Më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur, i udhëhequr nga nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë serbe që kontrollohet nga Beogradi, kreu një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit. Gjatë përleshjeve të sulmuesve me olicinë e Kosovës u vranë një pjesëtar i policisë dhe tre sulmues serbë.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon përfshirjen. Kosova kërkon që Serbia ekstradimin e Radoiçiqit dhe pjesëtarëve të grupit që e ka kryer sulmin, por Serbia e kundërshton ekstradimin. Për më tepër, Radojçiqi dhe pjesëtarët tjerë të grupit jëetojnë e veprojnë lirisht në Serbi.

(r.m.)