Një njësit i Policisë së Kosovës është sulmuar të shtunën me armë zjarri në veri, kanë thënë zyrtarë të këtij institucioni.
Përmes një postimi në Facebook, Policia ka thënë se njësiti për mbikëqyrjen e kufirit në Zubin Potok është sulmuar teksa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit.
“Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, është thënë në njoftimin e Policisë.
Më pas në vendin e sulmit ka shkuar njësia për ndërhyrje të shpejtë.
Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.
Sulmet ndaj Policisë së Kosovës
Kjo nuk është hera e parë që sulmohet Policia e Kosovës.
Vetëm në prill të këtij viti janë regjistruar të paktën gjashtë sulme ndaj këtij institucioni.
Infografikë nga arkivi
https://www.evropaelire.org/a/sulmi-ndaj-policise-se-kosoves-/735177/1/31821778.html
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në korrik se, ata që janë duke e sulmuar Policinë e Kosovës në veri të vendit, janë të njohur për organet e rendit si individë të kyçur në aktivitete ilegale.
Sipas tij, bëhet fjalë për disa grupe të kontrabandistëve, që janë të koordinuara ngushtë nga institucionet e Serbisë.
Ditë më parë, në veri të Kosovës ka pasur tensione për shkak të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat e makinave – me emra të qyteteve të Kosovës – që lëshojnë autoritetet e Serbisë, si dhe dokumentet serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për lëvizjen e lirë më 2011, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Më 31 korrik, një ditë para zbatimit të vendimeve në fjalë, serbët lokalë kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Si pasojë e situatës së tensionuar, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve për 1 shtator, me kusht që serbët lokalë të heqin barrikadat.
Barrikadat janë hequr deri në pasditen e 1 gushtit.
Beogradi zyrtar nuk e ka mirëpritur hapin e Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe këto dokumente, por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë theksuar se Kosova është në të drejtën e saj dhe po vepron në linjë me marrëveshjen e Brukselit. (Radio Europa e Lirë)