Honolulu, 18 qershor 2022 – Një superjaht i kapur muajin e kaluar në Fixhi, me kërkesë të autoriteteve amerikane, ka mbërritur në Havai. Sipas raportimeve të medies amerikane, jahti u ankorua në Honolulu të enjten pasdite.
Uashingtoni thotë se superjahti “Amadea”, me vlerë 300 milionë dollar, është prone e oligarkut rus Suleiman Kerimov, ndaj të cilit janë vendosur sanksione.
Grupi i punës, i ngritur në Departamentin amerikan të Drejtësisë, i quajtur “KleptoCapture”, është pëqendruar në sekuestrimin e jahteve dhe pronave të tjera luksoze të oligarkëve rusë, në një përpjekje për të ushtruar trysni ndaj Presidentit rus Vladimir Putin lidhur me luftën në Ukrainë.
Jahti, i gjatë 106 metra, u largua nga porti Lautoka i Fixhit javën e kaluar, pasi Gjykata e Lartë e vendit që vendosi që mbajtja e tij do të ishte e kushtueshme për qeverinë.
Superjahti u sekuestrua në Fixhi më 13 prill. Ai kishte ardhur aty nga Meksika, pas një udhëtimi 18-ditor. Në një dokument të FBI-së thuhej se jahti i kishte çaktivizuar sistemet e saj të automatizuara të informacionit më 24 shkurt, në përpjekjeje për të shmangur konfiskimin.
Avokatët e pronarit të “Amadea”, nga kompania “Millemarin Investment Ltd”, e regjistruar në Ishujt Kajman, i thanë gjykatës në Fixhi se jahti nuk ishte në pronësi të zotit Kerimov, por të një tjetër oligarku rus, ish-shefit të “Rosneft ROSN.MM”, Eduard Khudainatov, ndaj të cilit nuk rëndojnë sanksione,
Por, Shtetet e Bashkuara thonë se pronari i vërtetë i “Amadea” është zoti Kerimov.
Shtetet e Bashkuara kishin vendosur sanksione ndaj zotit Kerimov edhe në vitin 2014 dhe nw vitin 2018, pas veprimeve ushtarake të Rusisë në Siri dhe në Ukrainë. Ndaj Kerimovit ka vendosur sanksione edhe Bashkimi Evropian.
(r.m.)