Prishtinë, 24 mars 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) njoftoi se të enjten ka marrë vendim për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.
Suspendimi i zonjës Stevanoviq vjen një ditë pas pjesëmarrjes së saj në takimin e pՃrfaqësuesve të serbëve të Kosovës me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, thuhet në njoftim.
Sipas nenit 7 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, nëse vërtetohet se gjyqtarët apo prokurorët kanë bërë shkelje disiplinore, ndaj tyre mund të shqiptohet këto masa disiplinore: Vërejtje jopublike me shkrim, vërejtje publike me shkrim, zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) për një periudhë deri në një (1) vit, transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët apo masa më e rëndë, propozim për shkarkim.
Të mërkurë, më 22 mars, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me përfaqësues të serbëve të Kosovës, për të diskutuar lidhur me reagimin e tyre ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës.
Sipas Vuçiqit, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë propozuar që serbët t’i braktisin institucionet shtetërore të Kosovës, por ai (Vuçiqi) u ka “sugjeruar” që një vendim për mënyrën e reagimit të serbëve të Kosovës të merret pas zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë.
Vuçiqi tha se serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi, nëkomunat e afërta me Kosovën.
(r.m.)