Sveçla: Grupe që mbështeten Beogradi synojnë destabilizimin e Kosovës

Prishtinë, 21 shkurt 2023 – Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përpjekja e dështuar për të futur fishekë në veri të Kosovës dëshmon se grupe të caktuara që mbështeten Beogradi synojnë destabilizimin e Kosovës.

Sveçla e ka bërë këtë koment pas zbulimit dhe konfiskimit të 6.300 copë fishekëve të kontrabanduar në Kosovë nga Serbia.

Ai ka theksuar se futja e fishekëve në Kosovë ndodhi në kohën që Presidenti i Serbisë flet për armatosje të shtetit të tij.

“Përderisa Vucic flet për armatosje të Serbisë, në veri të Kosovës konfiskohen 6.300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia.

6.300 sasi të municionit janë konfiskuar sot nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit në Joshanicë, në veri të Kosovës. Gjatë patrullimit është ndaluar vetura e dyshimtë me targa të serbisë e një shtetasi serb dhe njësitet relevante tashmë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. 

Kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë.

Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin tonë në luftimin e çdo lloj kriminaliteti që synon të cënojë sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

(r.m.)