Prishtinë, 26 korrik 2022 – Kosova pritet të fillojë zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet nga 1 shtatori. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës është e gatshme të zbatojë vendimet e qeverisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të fillojë zbatimin e këtyre dy vendimeve dhe pa asnjë hezitim ne ato vendime do t’i realizojmë. Bëhet fjalë për një lëshim të dokumentit për hyrje/dalje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, gjë e cila ndodh me shtetasit e Kosovës tashmë për 11 vite, dhe për zëvendësimin e targave ilegale të veturave me targa legale. Edhe ky është një vendim plotësisht i ligjshëm dhe i bazuar në marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel”, ka thënë Sveçla, në njëintervistë për televizionin Alsat-M, të Shkupit.
Sveçla ka shprehur bindjen se serbët në Kosovë tashmë e kanë kuptuar se duhet t’i nënshtrohen ligjeve të Kosovës.
“Ne jemi të vendosur që sundimi i rendit dhe ligjit të shtrihet në mbarë vendin dhe këtë e dëshmojmë çdo ditë me punën tonë. Dhe unë jam i bindur se ata edhe e kanë kuptuar se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç që t’i nënshtrohen ligjit si çdo qytetar tjetër i Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Sveçla ka hedhur poshtë kategorikisht deklaratat e autoriteteve të Serbisë se serbët në Kosovë janë të diskriminuar.
“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë diskriminimi. Ne me aktivitetet tona nuk jemi të drejtuar kundër cilitdo qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike apo çfarëdo përkatësie tjetër. Thjeshtë, Policia e Kosovës është aty për të përmbushur detyrën e tyre kushtetuese e ajo është vendosja e rendit dhe ligjit, gjë që po e bën suksesshëm, pa kurrfarë diskriminimi, pa kurrfarë incidenti me qytetarët e asaj pjese apo edhe të asnjë pjesë tjetër”, ka thënë ai.
(r.m.)