Sveçla njoftoi se dy serbë janë arrestuar për sulme ndaj policisë

Prishtinë, 9 dhjetor 2022 – Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se gjatë dy ditëve të fundit janë arrestuar dy serbë që ishin në kërkim për sulme ndaj zyrtarëve policorë.

“Policia e Kosovës dje ka arrestuar një qytetar të etnisë serbe për sulm ndaj zyrtarëve policor dhe sot është arrestuar një tjetër qytetar i etnisë serbe i cili po ashtu ka qenë në kërkim për sulme ndaj zyrtarëve policor”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.

Ky njoftim i Sveçlës vjen pas atij të Policisë së Kosovës se më 9 dhjetor e ka arrestuar një serb të dyshuar për përfshirje në një sulm me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë, të kryer kohë më parë.

M.A u arrestua në Jarinjë, ku gjendet një prej pikëkalimeve kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet dhe aktivitetet e saj në realizimin e objektivave policore, përfshirë edhe arrestimin dhe vënien para drejtësisë të personave të kërkuar. Edhe ky arrestim dëshmon se askush nuk mund t’i ikë drejtësisë dhe herët a vonë do të përballet me forcën e ligjit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë këtij viti, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë qenë cak i disa sulmeve që kanë ndodhur në veri të Kosovës, pjesë e banuar me shumicë serbe.

Sulmi i fundit u krye më 8 dhjetor në Zveçan, ku persona tash për tash të paidentifikuar sulmuan me armë të gjata zyrtarët policorë që po patrullonin. Në këtë sulm mbeti i plagosur një polic.

Ministri Sveçla ka thënë se policia do të vazhdojë përpjekjet që të nxjerë para drejtësisë të gjithë kryesit e veprave kriminale e terroriste.

“Siç edhe jemi zotuar në vazhdimësi, lufta jonë kundër krimit dhe rritja e sigurisë për qytetarët pa dallim nuk kanë alternativë. Do të vazhdojmë angazhimin maksimal që të gjithë kryesit e veprave kriminale e terroriste të sillen para drejtësisë”, ka theksuar Sveçla.

(r.m.)