Sveçla: Rakiq dhe bandat kriminale i kanë bllokuar qytetarët dhe policët në veri

Prishtinë, 20 dhjetor 2022 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka akuzuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, se së bashku me “bandat kriminale e të armatosura” po mirëmban barrikadat, që sipas tij, për 11 ditë rresht kanë bllokuar qytetarët dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla po ashtu është kundërpërgjigjur ndaj një deklarate të bërë nga Rakiqi më herët gjatë ditës, i cili akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po bën thirrje “për vrasjen” e serbëve që gjenden në barrikada.

“E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet, ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”, tha Sveçla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi për “The Guardian” se trupave të KFOR-it u kanë dhënë kohë për të larguar barrikadat, por shtoi se barrikadat nuk do të lejohen që të qëndrojnë për një kohë të gjatë.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk përjashton mundësinë e viktimave. Prandaj, ne duam që të jemi shumë të kujdesshëm që të sigurohemi që të mos ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri”, tha Kurti.

Por, Rakiq e interpretoi këtë deklarim si “sugjerim për vrasjen e serbëve”.

“Deklarata e fundit e Albin Kurtit ka kaluar çdo masë. Kurti haptazi ka sugjeruar vrasjen e serbëve në barrikada, sepse sipas tij, barrikadat nuk mund të hiqen ndryshe”, tha Rakiq.

Ndërkaq, Sveçla tha se autoritetet po bëjnë përpjekje maksimale me partnerët për heqjen e barrikadave “pa asnjë eskalim të mundshëm, në ndërkohë këta [Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë] po i armatosin bandat brenda barrikadave”.

Prej 10 dhjetorit, serbët kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës, në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se e kishte organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit.

Kosova e ka rritur prezencën e policisë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, por i ka mbyllur për qarkullim dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të barrikadave.

Sipas autoriteteve të Kosovës, në rrugët kryesore të pjesës veriore të vendit, janë ngritur nëntë barrikada.

Prej vendosjes së barrikadave, në këtë pjesë të shtetit janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba. Në disa raste ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes personave të paidentifikuar dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Një pjesëtar i policisë është plagosur në një sulm me armë.

(REL)