Prishtinë, 26 qershor 2023 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e quan lajm të mirë lirimin nga paraburgimi të tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe të sigurisë në territorin e Kosovës. Por, ai reagon ashpër kundër konfirmimit të aktakuzës ndaj tyre, të cilën e quan orvatje të Serbisw për të mbuluar agresionin ndaj Kosovës.
“Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës”, shkruan Sveçla në Facebook.
Ai ka thwnw se policwt kosovarw duhet të lirohen pa kushte dhe se Serbia “duhet të mbahet përgjegjëse për cënimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.
Postimi i plotë:
Serbia vazhdon me lojërat e saj.
Policët tanë sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës. Për t’u bashkuar kështu me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cënimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
(r.m.)