Sveçla: Të gjitha patrullat policore do të pajisen me armë të gjata

Prishtinë, 12 janar 2024 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se të gjitha patrullat policore në vend do të pajisjen me armë të gjata.

“Me blerjen e këtyre armëve për të gjitha patrullat policore anekënd Republikës së Kosovës rritet efikasiteti në luftimin e krimit me çka mundësohet një ambient më i sigurt, rend publik më i qetë dhe më shumë siguri për zyrtarët tanë policorë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Ministri Sveçla nuk bëri të ditur se për sa armë të blera bëhet fjalë, por ai vetëm falënderoi Kroacinë “për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me institucionet e Republikës së Kosovës”.

Buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme për këtë vit është buxheti më i madh në vitet e fundit, dhe kap vlerën prej 216.523.467 eurosh.

Policia e Kosovës është formuar 24 vjet më parë dhe numëron mbi 9.000 pjesëtarë, të cilët kanë grada të ndryshme. Policia është reaguesja e parë e sigurisë në Kosovë dhe më pas vjen misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës KFOR-i, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës.

Njoftimi për blerjen e armëve të gjata për zyrtarët policorë vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan se kanë miratuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërtanke, Javelin, që prodhohen në SHBA, për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Procesi i miratimit të këtyre armëve për Kosovën duhet të marrë pëlqimin e Kongresit amerikan.

(REL)