Prishtinë, 25 prill 2024 – Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku janë liruar sot nga akuza për krime lufte. Kjo u bë e ditur gjatë një seance të mbajtur të enjten në Gjykata Themelore në Prishtinë.
Selimi dhe Demaku janë liruar në mungesë të provave.
Trupi Gjykues, gjatë leximit të vendimit, tha se s’ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e Prokurorisë dhe, në mungesë të provave, i ka liruar nga aktakuza.
Lajmin e konfirmuan nga Gjykata Themelore.
“Të akuzuarit janë liruar nga akuza pasi nuk është vërtetuar nga gjykata se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën janë ngarkuar nga PSRK”, tha Mirlinda Gashi, zëdhënse e Gjykatës Themelore, për Telegrafin.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj 15 të pandehurve por që me aktvendim aktakuza është ndarë në dy akuza, “Drenica 1″, ku bëjnë pjesë Selimi dhe Dermaku dhe “Drenica 2”.
Ata akuzoheshin nga Prokuroria Speciale se si pjesëtarë të UÇK-së kishin kryer krime lufte kundër popullatës civile, duke cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar në lagjjen Shipol të Mitrovicës.
Sylejman Selimi ishte dënuar me 8 vjet burgim për rastin “Drenica 2” nga Gjykata e Mitrovicës, më 27.05.2015. Apeli ia kishte zbutur dënimin në 7 vjet burgim. Kurse në rastin “Drenica 1” ai ishte dënuar me 6 vjet dhe ky rast ishte kthyer në rigjykim, i cili po zhvillohet në Gjykatën e Prishtinës.
(Telegrafi)