Sylejmani Selimi: Normal që Albin Kurti ka qenë në UÇK

Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së Sylejman Selimi e ka dhënë përgjigjen e pyetjes që e parashtroi kryeministri Albin Kurti për të në Kuvend mbi atë se a ka qenë pjesë e UÇK-së. Selimi ka thënë se Kurti ishte pjesë e UÇK-së dhe se me të ka pasë disa herë biseda.

 

“Normal që Albin Kurti ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ne jemi takuar disa herë me të gjatë luftës”, tha ai në ATV.

“Nuk po më pëlqen debati që është duke u bërë disa herë me figurat e UÇK-së. Nuk është hera e parë që folët për individë të caktuar e në këtë rast për Albin Kurtin. Gjatë luftës, në vitin 1998, unë kam qenë komandant i zonës operative të Drenicës dhe jemi takuar disa herë edhe me disa ish-bashkëluftëtarë të mi, si dhe jemi takuar me Adem Demaçin. Kemi diskutuar për tema të rëndësishme edhe me Demaçin edhe me Kurtin. Albinin e kam takuar edhe disa herë të tjera edhe kur kam qenë komandant i përgjithshëm”.

Kurti në Kuvend i kishte reaguar deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, derisa ishte duke folur për arkivat e UÇK-së.

“S’mund ta përçani popullin me kinse unë jam kundër UÇK-së. Se a kam qenë në UÇK, pyete Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën – dy komandantat të tregojnë. Ama, pushoni me këtë idenë e përçarjes dhe ndarjes. Dëshirën e juaj mos ma përshkruani si fakt mua”, kishte thënë Kurti.