SYNIMET DESTABILIZUESE TË SERBISË NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

(ANALIZË E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE TË ARTEVE TË KOSOVËS)

Ky dokument është një analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend përshkallëzimi, duke u bërë gjithnjë e më agresive dhe destabilizuese për rajonin dhe duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar.

Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti është krijimi i një pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, duke analizuar shkaqet, rrënjët e konfliktit dhe prapavijën e tij në kontekst të politikave rajonale, duke dashur t’ia tërheqim vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare se perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin do të njohin përshkallëzim në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme. Kjo ndodh për shkak se shoqëria serbe, shteti dhe institucionet e tij, edhe përkundër mbështetjes së vazhdueshme të Perëndimit, nuk janë reformuar, nuk janë demokratizuar dhe nuk janë dekontaminuar nga idetë nacionaliste serbomëdha. Të gjitha idetë e reja të të integrimeve evropiane dhe euroatlantike, sapo të përballen me nacionalizmin serb, rrënohen si kështjella prej rëre.

Duke shfrytëzuar situatat e paqarta dhe ndonjëherë kontradiktore në Bashkimin Europian, përfshirë hezitimet tashmë të hapura të këtij blloku rreth zgjerimit të mëtejshëm dhe ambientin e brendshëm politik të shteteve të rajonit, politikat destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor kanë njohur trend rritjeje dhe janë bërë më agresive. Ngecjet në reforma dhe në demokratizim, pastaj krizat e njëpasnjëshme politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar në të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike, në përgjithësi kanë krijuar ambient të përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia, Kina dhe Turqia.

Për shkak të mënyrës së keqe të qeverisjes, Ballkani Perëndimor gjithnjë e më shumë po largohet nga politikat e BE-së dhe të NATO-s dhe po bëhet pjesë e boshteve asimetrike që lidhen me Euro-Azinë. Po krijohen koalicione të panatyrshme, të cilat në mënyrë strategjike i kundërvihen BE-së në planin ekonomik dhe politik, kurse NATO-s në planin e sigurisë. Këto koalicione janë duke suspenduar reformat e BE-së, në të cilat kanë ngecur këto shtete dhe janë duke siguruar dominimin ekonomik dhe politik të Serbisë në rajon, për të realizuar politikat e saj strategjike, kryesisht të nxitura nga Rusia.

KËRCËNIMI I SERBISË

Eskalimi i situatës para disa muajve në veriun e Kosovës, e ka bërë të domosdoshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare një rikthim të vëmendjes tek sinjalet e qarta që jep Serbia, e përqendruar në gatishmërinë e saj për të rindezur një konflikt të ri me Kosovën. Tashmë duket qartë se kjo nuk ishte një situatë e krijuar “për përdorim të brendshëm”, siç mendohej, për efekte elektorale në Kosovë dhe në Serbi, por ka qëllime largvajtëse, sepse gjendja vazhdon të jetë e ngarkuar tej mase me retorikën luftënxitëse të Beogradit, me agjenda dhe premtime nacionaliste të liderëve serbë, me shqetësime rajonale në Republika Srpska në Bosnjë dhe në Mal të Zi, madje edhe në Maqedoninë e Veriut, me një trysni të fortë të Rusisë për shkak të pranisë së NATO-s në Ukrainë dhe të një mori faktorësh të tjerë ndërkombëtarë, që mund ta bëjnë një konflikt të mundshëm në veri të Kosovës njëlloj “ventili shfryrës” të ballonit të mbushur me helium ndezës për tërë rajonin dhe më gjerë.

Duket qartë se Serbia nuk ka kohë të presë, sepse, nga njëra anë, premtimet nacionaliste i ka tepër të mëdha, kurse më anë tjetër, situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të qartësohet më shumë në muajt në vijim, veçmas në Republika Srpska, ku Serbia ka investuar shumë që të mos ndodhin reforma, të cilat mund ta ndryshojnë konfigurimin e këtij entiteti në raport me federatën kroato-boshnjake. Në këtë rrethanë, Serbia tani e ka të vështirë ta përballojë situatën që e ka krijuar në rajon, pa një eskalim të ri. Për Serbinë nuk kishte dhe nuk do të ketë rëndësi nëse do të ndodhë “çështja e tabelave” ose jo, nëse do të ndodhë ndonjë “veprim provokues” i Kosovës, sepse Serbia do ta krijojë një situatë të këtillë tensionimi, qoftë duke përdorur kalimet kufitare, komunitetin serb në Kosovë, kishat serbe, pronat ose rrugën pranë Manastirit të Deçanit, apo diçka tjetër të kësaj natyre. Sepse kjo tashmë është një rrethanë e sprovuar: çdo herë, disa ditë përpara se të paraqitet raporti i shefit të UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ta zëmë, në Kosovë duhet të ndodhë ndonjë incident sado i vogël, në mënyrë që diplomacia serbe dhe ajo ruse ta kenë kryefjalë rrezikimin e komunitetit serb në Kosovë. Kjo ishte metodë e sprovuar e Millosheviqit, e përdorur në Kosovë që në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Incidentet e nxitura janë teknologjia më e përdorur “diplomatike” e Serbisë në Kosovë dhe rreth Kosovës.

Të gjitha kërcënimet e Serbisë, qoftë me retorikë nacionaliste apo me vringëllimë armësh, kanë synim të arrijnë disa efekte të njëhershme: i) t’i sigurojnë pushtetit mbështetjen e një klase politike nacionalistësh të korruptuar; ii) të krijojnë pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në favor Rusisë dhe Kinës, në politikat e tyre kundër NATO-s dhe BE-së; iii) të nxisë elementin nacionalist serb në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë për destabilizim të shteteve përkatëse; iv) të shtrijë ndikimin e Serbisë në vendet që dikur kanë qenë sferë e saj e interesit; v) të faktorizojë Serbinë në të gjitha agjendat ndërkombëtare, duke i siguruar asaj primatin e dhunshëm në krye të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Historikisht, Serbia është shkaktari kryesor i gjithë prapambetjes ekonomike, shoqërore, infrastrukturore, arsimore dhe kulturore të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Aktualisht, ajo është pengesa kryesore e avancimit të këtyre shteteve në reforma dhe në integrime evropiane, qoftë duke shkaktuar probleme reale të sigurisë, qoftë duke ndihmuar për të mbajtur në pushtet agjenda politike joreformatore dhe jodemokratike. Në këtë kuadër, Serbia në Kosovë është katalizator i të gjitha krizave politike, madje i vetmi kuadër politik i brendshëm dhe i jashtëm që aktualisht dikton profilizimet e spektrit politik të vendit, herë përmes veprimeve destabilizuese në momente kritike, herë tjetër përmes një propagande të koordinuar me indikacione të kundërta.

Pas një përpjekjeje të gjatë dhe këmbëngulëse, e patrazuar nga SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja, Serbia ka arritur ta instrumentalizojë komunitetin serb në Bosnje dhe pakicën e kësaj popullsie në Mal të Zi dhe Kosovë. Ajo tashmë e ka fituar dhunshëm “të drejtën” për ta manipuluar politikisht këtë komunitet, për ta përdoruar atë sipas interesave të elitave politike të Beogradit. Kjo praktikë e manipulimit të serbëve në vendet e rajonit është vazhdimësi e një tradite të mëhershme, e përdorur gjerësisht në kohën e Millosheviqit, tani e rikthyer në agjendën politike të Serbisë me të gjitha stereotipat e saj.

Është për t’u vënë re se BE-ja, SHBA-ja, njësoj sikundër edhe NATO-ja dhe shtetet anëtare të kësaj strukture të sigurisë, nuk bëjnë madje asnjë “qortim verbal” ndaj Serbisë, madje BE-ja e lëvdon shpesh atë për avancim në reforma, duke mos i bërë vërejtje as atëherë kur presidenti i Serbisë, A. Vuçiq, kërcënohet se do të bëjë veprimin më të pashembullt për Europën e sotme: të mbyllë kufirin me Kosovën për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Tashmë është bërë praktikë e njohur e Serbisë që, sa herë që krijohen “çarje” të mëdha ose të vogla me Perëndimin, ose të ketë ngecje në avancimin e marrëdhënieve me BE-në, përfshirë edhe ndonjë ngecje në ndihmat financiare që përfiton nga BE-ja, Serbia gjen mënyrë ta shantazhojë NATO-n dhe BE-në, duke forcuar aleancat me Kinën dhe Rusinë, veçmas me Rusinë, herë duke i bërë shtetit rus ndonjë koncesion ekonomik ose tregtar, por më shpesh me marrëveshje ushtarake ose kontrata milionëshe për blerje armësh. Në përgjithësi, të gjithë faktorët politikë rajonalë dhe europianë tashmë e kanë kuptuar se Serbisë i bëhen koncesione nga ana e BE-së dhe NATO-s për shkak të interesave të tyre strategjike, por tanimë është bërë krejt e qartë se këto koncesione kanë filluar të rrezikojnë seriozisht sigurinë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përreth tij.

MITI SERB PËR KOSOVËN

Në rastin e Kosovës, nuk ka ndodhur si zakonisht, që një ngjarje historike të bëhet mit, por e kundërta: një ngjarje e mitizuar është shndërruar në histori. Miti serb i Kosovës ka marrë shkas nga një ngjarje historike e pandriçuar në krejt përbërësit e saj. Edhe pa këtë mistifikim, periudha e Mesjetës në Kosovë është jashtëzakonisht e errët, me vakume të mëdha në memorien historike, e mbushur kryesisht me legjenda, me sundime despotësh, me kronika kishtare dhe me relacione tregtare të proveniencës raguziane ose venedikase. Prandaj, Beteja e Kosovës e vitit 1389, e shikuar nga perspektiva e sotme, ka ndodhur sa në realitet, po aq në fantazinë e një mileu të prirë për mite dhe mistifikime, duke bërë shkapërcimin nga ndodhitë reale në fiksionin fetar. Kjo ka ndodhur përgjithësisht edhe me eposet kalorësiake të Mesjetës në Europë, përfshirë edhe një literaturë me përhapje të gjerë, të cilën e stigmatizon Servantesi në “Don Kishotin” e tij. Nuk ka pothuajse asnjë dallim midis bëmave të njërit nga heronjtë serbë të Betejës së Kosovës, Marko Kraleviqit, ta zëmë, dhe heronjve të fiksionit letrar të Servantesit.

Në kohën kur ka ndodhur, Beteja e Kosovës nuk ka qenë ndeshje civilizimesh, siç u shpjegua më vonë, as ndeshje e dy botëve, ose e dy feve, por ndeshje e një ushtrie pushtuese, me një ushtri tjetër që mbrohej; një përballje e një koalicioni të dobët me ushtrinë e një perandorie të madhe, e cila kishte arritur suksese të mëdha në Lindje dhe tani ia kishte mësyrë Europës. Para Perandorisë Otomane, ekskursione të këtilla luftarake Europë-Azi dhe anasjelltas kanë bërë të gjitha perandoritë e mëdha, që nga Aleksandri i Madh e deri te Xhingis-Khani. Ngjyrimin fetar kësaj përballjeje ushtarake të Mesjetës ia dhanë të parët kronistët turq të betejës, të cilët të krishterët që luftonin përballë tyre, i quajtën “të pafe”.

Megjithatë, atributet fetare evropiane, Beteja e Kosovës i mori më vonë, atëherë kur Europa po kërcënohej jo nga civilizimi i papërkufizuar oriental, por nga një rrezik latent dhe krejtësisht real, nga një perandori e fuqishme, e cila ishte pothuajse dy hapa larg kështjellave të Europës. Prandaj, është pak e besueshme se koalicioni ballkanik të ketë funksionuar si koalicion i krishterë, për arsye se këto vise tashmë kishin përjetuar një ndarje fetare, atë të ndarjes së kishave, e cila shpesh kishte çuar në konflikte të hapura dhe i kishte bërë të paqëndrueshme lidhjet mes popujve përmes besimit fetar. Ndërkaq, përzgjedhjen e Kosovës për fushëbetejë e kanë përcaktuar vijat e komunikimit, rrugët, territori, reliefi, që domethënë se ishte një hapësirë e përshtatshme që komunikonte pa pengesa relievore nga Lindja drejt Perëndimit. Vija e depërtimit përmes Kosovës ishte njëra nga tri rrugët, të cilat ushtria turke i ka përdorur vazhdimisht për ekspeditat e saj drejt Europës.

Versionet e përshkrimit të Betejës së Kosovës nga kronistët dhe historianët janë të ndryshme, shpesh të tilla që përjashtojnë njëra-tjetrën. Por, versioni serb mbeti më i përhapuri, edhe përkundër faktit se është njëkohësisht edhe më i kontestuari. Miti serb mbi Betejën e Kosovës u ndërtua mbi kujtesën e mjegullt popullore, bartur në formë të këngëve të epikës legjendare deri në shekullin XIX, kur idetë romantike shprishën strukturën poetike të ngjarjes dhe prej saj ndërtuan një realitet të supozuar historik. Procesi tashmë është i njohur: Vuk Karaxhiqi mblodhi disa këngë për Betejën e Kosovës dhe i prezantoi ato në qarqet evropiane, ku tashmë kishte filluar një pasion i jashtëzakonshëm për folklorin dhe traditën. Këngët u pëlqyen dhe u vlerësuan me atributet më të larta: Gëte dhe Kopitari e vlerësuan lart eposin serb për Betejën e Kosovës, teksa romantikët serbë të shekullit XIX, të inkurajuar nga ky vlerësim, legjendën e ridizajnuar e shndërruan në mit kombëtar.

Versionit serb të Betejës së Kosovës do t’i vijë në ndihmë edhe versioni turk, i cili ka aq shumë pasaktësi rreth vendit të ndodhjes së kësaj ngjarjeje, saqë i ka krijuar hapësirë shumë të përshtatshme versionit mitik serb të ndërtojë një topografi të ngjarjes sipas interesave politike. Në vendin ku turqit besonin se ishte vrarë sulltan Murati, në fshatin Mazgit të rrethinës së Prishtinës, u ndërtua një tyrbe. Mbetet e paqartë si ndodhi të ndërtohej tyrbja pikërisht në këtë vend, kur kronikat turke e lëviznin vendngjarjen në lindje dhe perëndim me dhjetëra kilometra. Ajo që mbeti e besueshme në versionin turk për Betejën e Kosovës ishte vrasja e sulltan Muratit nga një “i pafe” në fushëbetejë, se pastaj trupi i sulltanit u balsamos dhe u dërgua në Edrene, ndërsa në vendin e vrasjes, aty ku u varrosen rropullitë e tij, u ndërtua një tyrbe. Është e ditur se tyrbja e sotme e Sulltan Muratit në fshatin Mazgit është e shekullit XIX dhe askush nuk mund ta vërtetojë se tyrbja e re është ndërtuar pikërisht në vendin ku ishte tyrbja e mëhershme. Por do të jetë pikërisht kjo tyrbe, e cila do të shërbejë si piketë kryesore për konfigurimin toponimik serb të Betejës së Kosovës. Do të jetë Jovan Cvijiqi me shkollën antropogjeografike, i cili, pas pushtimit serb të Kosovës më 1913 do të serbizojë shumicën e toponimeve dhe, me këtë radhë, do të përkufizojë edhe hapësirat “serbe” të kësaj beteje, duke i vendosur këto hapësira përreth Tyrbes së Sulltan Muratit: në kodrinën përballë Gazimestanin, në të majtë të tij Orloviqin, pak më tej në jug-perëndim Obiliqin dhe në luginën prapa Jugoviqin. Duket se vetë serbët për shumë kohë nuk do t’i kenë marrë aq seriozisht këto toponime, sepse u desh të vinte viti 1954 që në kodrinën e quajtur Gazimestan të ndërtohej një përmendore në kujtim të Betejës së Kosovës, për praninë e së cilës u kujtuan vetëm kur u desh që nga ai vend “mitik” Milosheviqi t’u shpallte luftë të gjithë popujve të ish-Jugosllavisë.

Në përgjithësi, miti serb për Kosovën asnjëherë nuk ka funksionuar si korpus vlerash kulturore, historike ose fetare, por, varësisht nga rrethanat, është përdorur politikisht për të nxitur mobilizimin nacionalist të Serbisë dhe shovinizmin serb ndaj popujve të tjerë. Frustrimet e nacionalizmit serb mbi këtë mit i kanë shkaktuar Kosovës tragjedi të mëdha, herë duke e pushtuar atë me luftëra të përgjakshme, herë duke ushtruar gjenocid dhe herë tjetër, përmes një propagande të financuar nga shteti, duke i stigmatizuar kosovarët në opinionin evropian si të prirë për bëma jocivilizuese. (Mbi 170 mijë shqiptarë të shpërngulur nga Serbia jugore pas Kongresit të Berlinit; 30 mijë shqiptarë të vrarë më 1913, pas pushtimit serb të Kosovës; mbi 250 mijë të shpërngulur në Turqi para dhe pas Luftës së Dytë Botërore; rreth 11 mijë shqiptarë të vrarë nga OZNA dhe rreth 5 mijë të dëbuar pas Luftës së Dytë Botërore; mbi 13 mijë të vrarë dhe një milion të shpërngulur në luftën e vitit 1998-99 etj, të gjitha këto akte gjenocidale mbi një popullsi që mezi arriti t’i bënte një milion banorë shumë vjet pas Luftës së Dytë Botërore).

KONTEKSTI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-SERBE

Marrëdhëniet shqiptaro-serbe shpesh janë përkufizuar si marrëdhëniet më të vështira mes dy popujve të Europës. Në këtë përkufizim janë futur shumë historicizma, perceptime recidiviste, por mbi të gjitha klishe eurocentriste: se të dy popujt kanë gabimet dhe fajet e tyre në të shkuarën, se ata kanë histori të përgjakshme dhe se e ardhmja duhet të ndërtohet duke i tejkaluar armiqësitë dhe animozitetet e kohëve të shkuara. Europianët dhe përgjithësisht bashkësia ndërkombëtare nuk e kuptoi asnjëherë se shkaku kryesor i këtij konflikti të ngrirë shqiptaro-serb është insistimi i tyre për të barazuar të pabarazueshmen: shqiptarët dhe serbët nuk kanë histori të njëjtë dhune, nuk kanë histori të njëjtë pushtimesh e aktesh gjenocidale mbi njëri-tjetrin. Në shumicën e rasteve janë shqiptarët ata që e kanë pësuar dhe në memorien e tyre historike janë shtresuar përvoja të hidhura, të cilat janë përsëritur gati në mënyrë ciklike, qe afër dy shekuj e këndej.

Serbia, përmes eksponentëve më të shquar intelektualë, ka hartuar së paku tre “elaborate shkencore” (Garashanin, Andriq, Çubriloviq) dhe një dokument institucional (“Memorandumi” i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë) për shfarosjen e shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës, por në disa raste edhe të Shqipërisë, si pengesë për siguruar një dalje më të përshtatshme në Detin Adriatik, për vete dhe për Rusinë e dëshiruar për ujërat e ngrohta të Mesdheut, kurse së fundi për të ushtruar pushtimin mbi Kosovën, si kapërcyell i domosdoshëm për projektin e “Serbisë së madhe”, mbi gërmadhat e ish-Jugosllavisë.

Derisa nuk u identifikua çështja e Kosovës si çështje më vete, propaganda serbe merrej me “çështjen shqiptare” si tërësi, duke iu dhënë shqiptarëve si komb atribute jocivilizuese, origjinë të paqartë, histori të mjegullt, traditë vëllavrasëse, fundamentalizëm islamik etj., të gjitha këto të dizajnuara politikisht në një mënyrë të tillë, që shqiptarët të mos gëzonin asnjë mbështetje ndërkombëtare për lirinë dhe për konsolidimin e shtetit të tyre kombëtar. Ndërkohë, me shfaqjen e çështjes së Kosovës si çështje më e mprehtë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, propaganda serbe bëhet më agresive dhe e vendos theksin mbi “të drejtën historike” për të sunduar Kosovën, të cilën e lidhte me trashëgiminë mesjetare dhe me legjendat serbe për Betejën e Kosovës (1389). Për ta bërë “të drejtën historike” mbi Kosovën si “të drejtë të trashëguar”, Serbia shpalli armiqësore origjinën ilire të shqiptarëve, nxiti studiuesit e saj që ta kontestonin këtë origjinë, ndërsa vendosi embargo mbi dijetarët e huaj që e mbështesin këtë tezë shkencore. Më anë tjetër, arkeologjia serbe bëri përpjekje të ethshme që vendbanimet ilire t’i identifikojë si romake, t’i zhdukë, ose t’i fshehë nga sytë e studiuesve dhe të opinionit. Histeria anti-ilire çoi deri aty, sa të hidhen dyshime të bazuara se ndonjë arkeolog i huaj, siç është rasti i arkeologut hungarez J. Nemeshkeri, mund të jetë helmuar (1981), për shkak se, kur analizoi materialin osteologjik të Nekropolit të Vërmicës, bëri të ditur se bëhej fjalë për një popullsi josllave përgjatë shekujve V-VI dhe IX-XI.

Ndryshe nga shumë historianë të huaj, të cilët popullsinë shqiptare të Kosovës e konsiderojnë autoktone, historiografia serbe i atribuon asaj veçori të fiseve nomade, ose të një popullsie të ardhur bashkë me pushtimet e Perandorisë Otomane, duke u shtrirë nga viset malore të Shqipërisë veriore në drejtim të Kosovës së sotme dhe të territoreve të tjera të Serbisë së Jugut dhe Maqedonisë së Veriut. Për më shumë se një shekull kjo tezë e dominoi propagandën historiografike serbe, pavarësisht faktit se në Shqipërinë veriore nuk kishte as kushte dhe as gjurmë të përqendrimit më të madh të popullsisë, e cila që andej do të shtrihej në lindje ose në verilindje. Historiografia serbe po ashtu ka propaganduar intensivisht se dominimi numerik i popullsisë shqiptare në Kosovë ka ardhur si pasojë e të ashtuquajturës “dyndje e madhe serbe” e vitit 1690, pas luftërave austro-osmane, me ç’rast nga Kosova qenkan shpërngulur një shifër fantastike prej 37 mijë familjesh ose 400-500 mijë serbë dhe se hapësirën e tyre, me ndihmën e otomanëve, e kanë zënë shqiptarët.

Për ta përligjur të drejtën historike-mesjetare për sundim dhe dominim të Kosovës, pas Kongresit të Berlinit (1878), Serbia suksesivisht ndërmori akte të rënda gjenocidale mbi popullsinë shqiptare, së pari duke shpërngulur me dhunë rreth 170 mijë shqiptarë (sipas burimeve serbe) nga Sanxhaku i Nishit, më pas, me rastin e pushtimit të Kosovës më 1913, duke vrarë rreth 30 mijë shqiptarë, ndërsa pas Luftës së Parë Botërore Serbia ndërmori hapa radikalë në shpronësimin e shqiptarëve (përmes të ashtuquajturave reforma agrare) dhe dëbimin e tyre për Turqi, duke e identifikuar atë si popullsi myslimane dhe duke ratifikuar marrëveshje ndërshtetërore me Turqinë për shpërnguljen masive të shqiptarëve dhe boshnjakëve, kundrejt një pagese për secilën kokë banori të shpërngulur. Procesi i shpërnguljeve të shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut për Turqi ka zgjatur gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XX. Nga fundi i viteve ’50 të shekullit XX, kur kjo shpërngulje u duk sikur ra përnga intensiteti, u ndërmor një aksion i gjerë i kërkimit të armëve, me ç’rast u torturuan mijëra shqiptarë të Kosovës, duke i detyruar një numër syresh që iknin pa kthim. Për shkak të këtyre shpërnguljeve të dhunshme dhe suksesive, konsiderohet se sot në Turqi ka më shumë banorë me origjinë shqiptare se në krejt vendet e Ballkanit.

Në marrëdhëniet shqiptaro-serbe ka diçka më shumë se e “drejta historike” serbe për t’i pushtuar dhe për t’i sunduar viset shqiptare, sepse në histori janë regjistruar shumë raste kur Serbisë nuk i ka mjaftuar pushtimi i territorit shqiptar, por ka synuar ushtrimin e akteve gjenocidale, raciste, siç janë vrasjet masive të popullsisë civile, spastrimet etnike përmes dëbimit dhe shpërnguljeve me dhunë të banorëve rezidentë, si dhe shkatërrimit të pronës dhe të çdo vlere të identifikuar materiale dhe shpirtërore. Politikat shtetërore të Serbisë janë udhëhequr vazhdimisht nga një pasion i papërmbajtshëm për dhunë ndaj shqiptarëve, prandaj pajtimi midis dy popujve bëhet i vështirë, pa një denazifikim të Serbisë dhe pa hequr dorë shteti serb nga aktet e armiqësisë ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit. Vetëm në luftën e fundit në Kosovë, përgjatë viteve 1998-99, ndonëse kishte një kontroll të plotë mbi territorin, Serbia vrau mbi 13 mijë kosovarë, shumica syresh popullsi civile (mbi një mijë ishin fëmijë), bëri spastrim etnik, duke dëbuar rreth një milion njerëz, bombardoi qindra fshatra, dhunoi, shkatërroi dhe plaçkiti pasuri të pallogaritshme, të gjitha këto me një barbari që u ngjante ekspeditave mesjetare.

MANIPULIMET ME FUNDAMENTALIZMIN ISLAMIK

Të paktë janë ata nga bashkësia ndërkombëtare që arrijnë të kuptojnë se rreth 98% e kosovarëve janë popullsi myslimane jo pse ata e zgjodhën myslimanizmin si besim dhe bindje fetare të kohëve moderne, por nga një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë. Konvertimi i kosovarëve nga të krishterë në myslimanë ka qenë një proces i gjatë i pushtimit, i detyrimit dhe i dhunës sistematike të Perandorisë Otomane, në njërën anë, kurse më anë tjetër ka ardhur si rezultat i luftës së gjatë mes kishës të Lindjes dhe të Perëndimit, të cilat i lanë besimtarët e tyre në Ballkanin Perëndimor pa udhëheqës shpirtëror. Konvertimi i paqëndrueshëm mund të ketë qenë një arsye pse kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi e përqafuan bektashizmin, si varianti më liberal i myslimanizmit, ose ndonjëherë i praktikuan dy fetë paralelisht, krishterimin dhe myslimanizmin.

Sido që të ketë qenë historia, shqiptarët në përgjithësi dhe kosovarët në këtë kuadër nuk e vendosën asnjërin besim fetar në themel të identitetit të tyre kombëtar. Deri në fund të shekullit XX në Kosovë u praktikua një islam i moderuar, me elemente të qarta të traditës egumenike dhe me një tolerancë të qëndrueshme ndaj besimeve të tjera fetare. Islami tradicional që praktikohej në Kosovë mbështetej kryesisht tek mësimet themelore të Kuranit dhe tek praktikat e hershme fetare, duke mos njohur deri vonë asnjë element të fundamentalizmit dhe të vehabizmit. Por, edhe përkundër kësaj, që pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Serbia filloi një propagandë intensive, duke afishuar para bashkësisë ndërkombëtare në të gjitha rastet, se popullsia e Kosovës përbëhej nga një popullsi myslimane e prapambetur dhe nga një shoqëri patriarkale e paarsimuar. Pamjet e Kosovës në televizionet jugosllave, por edhe në ato të huaja, rregullisht shoqëroheshin me minaret e xhamive dhe me ezanin e hoxhallarëve në sfond. Kosova nuk kishte qenë kurrë aq fetare sa ç’donte ta paraqiste Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Me një insistim këmbëngulës dhe me një propagandë intensive shumëvjeçare, nga viti 1981 dhe më pas, Serbia arriti që çështjet fetare në Kosovë t’i deformojë ndjeshëm, duke e instrumentalizuar fenë dhe besimin fetar në funksion të problemeve e pazgjidhura politike.

Pas vitit 1999 në Kosovë u dyndën shumë organizata të huaja bamirëse dhe fondacione të ndryshme me parashenjë fetare, midis tyre disa të tilla që ishin të lidhura ngushtë me rryma radikale islamike, përfshirë edhe ato vehabiste. Përmes donacioneve të ndryshme  dhe përmes një propagande intensive, ato arritën të tërhiqnin në mbështetje të tyre një numër të konsiderueshëm qytetarësh të Kosovës, që praktikon fenë islame, veçmas të rinj. Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, në Kosovë myslimanizmi tradicional ishte praktikuar gjerësisht, ndërsa pas vitit 1999, për shkak të këtyre fondacioneve dhe të klerit mysliman kosovar që përfitonte prej tyre, situata u përkeqësua ndjeshëm. Në këtë kuadër, veçanërisht u reflektua negativisht në Kosovë qëndrimi i luhatshëm i Turqisë në raport me fundamentalizmin islamik. Për shkak të historisë dhe traditës fetare, Turqia ka pasur gjithnjë ndikim të ndjeshëm te myslimanët e Kosovës, ndërsa së fundi fondacioni “TIKA”, i financuar drejtpërdrejt nga shteti turk, u bë sponsori kryesor i zgjerimit të bazës materiale propagandistike të organizatave fetare në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. As Bashkësia e Fesë Islame e Kosovës, për shkak të lidhjeve të ngushta me Turqinë dhe me fondacionin “TIKA” dhe për shkak të interesave financiare të krerëve të saj, nuk mbajti qëndrim të prerë kundër rrymave radikale islamike, madje as në periudhën e shfaqjes së ISIS-it, për t’u detyruar së fundi, nën trysninë e institucioneve të shtetit dhe të opinionit publik, të tërhiqet gradualisht dhe të shprehet më qartë kundër radikalizmit fetar.

Më anë tjetër, të nxitur nga ideja e kërcënimit nga islamizmi radikal që mund të vinte nga Kosova dhe Bosnja, disa shtete të BE-së, nga fundi i shekullit të kaluar, filluan ta projektonin Serbinë si “vijën e parë të frontit” kundër radikalizmit islamik. Me Marrëveshjen e Dejtonin, Serbisë iu dha mundësia që përmes Republika Srpska ta kontrollojë Bosnjën deri në defunksionalizim të plotë, madje duke ia dhënë kompetencat e pacifizimit të dhunshëm të mbarë territoreve të banuara me popullsi myslimane, përfshirë edhe Sanxhakun dhe Kosovën. Dhuna sistematike që u ushtrua në Kosovë u tolerua shumë gjatë, ndërsa suspendimi i autonomisë së Kosovës dhe funksionimi i Serbisë si “shtet unik” u afishua para bashkësisë ndërkombëtare si mbrojtje e domosdoshme kundër islamit radikal. Por, në të vërtetë, Serbia nuk shërbeu asnjëherë si “mur mbrojtës” i Europës kundër fundamentalizmit islamik, por ajo e keqpërdori këtë paranojë të Europës së krishterë, për të nxitur rrymat radikale islamike në Bosnjë dhe në Kosovë, në mënyrë që më pas ta përdorë veprimtarinë e tyre për të tërhequr mbështetjen e SHBA-së dhe të BE-së. Për disa analistë vendorë dhe ndërkombëtarë, Marrëveshja e Dejtonit për Bosnjën dhe “Pakoja e Ahtisarit” për Kosovën janë hartuar në atë mënyrë që nuk lejojnë funksionim normal të këtyre dy shteteve, teksa në prapavijë i japin Serbisë rolin e kujdestarit dhe të mbikëqyrësit, për të monitoruar islamizmin radikal, në një kohë që vetë Serbia këto prerogativa i keqpërdor për t’i bërë obstruksion dhe për të defunksionalizuar në çdo rrethanë jetën normale të vendeve të rajonit.

Ky stereotip vazhdon ende te funksionojë në perceptimet politike të Brukselit: Serbia destabilizon të gjitha shtetet e rajonit me pretekste të ndryshme, por gjithmonë në funksion të hegjemonizmit serbomadh. Ajo e destabilizon Kosovën, sa herë që mund ta përdorë këtë rrethanë për politikat e brendshme, për të nxitur nacionalizmin, ose për t’i bërë obstruksion bashkësisë ndërkombëtare. Ajo tashmë e ka të sprovuar mënyrën si mund të bëjë këtë: e instrumentalizon dhe e përdor politikisht gjuajtjen me gurë të një shtëpie serbe, rrahjen e një plake serbe, dëmtimin e një kishe ose të një varreze, njësoj si në vitet ’80 të shekullit të kaluar, kur përgatitej terreni politik për suprimimin e autonomisë së Kosovës, të gjitha këto për t’i përfshirë në raportin e shefit të UNMIK-ut për KS të OKB-së, me synim për të treguar se Kosova është e paaftë të ndërtojë shtetin ligjor dhe të mbrojë pakicën serbe nga diskriminimi i shumicës shqiptare. Duke mbajtur një qëndrim të këtillë agresiv dhe gjithmonë manipulues për pakicën serbe, ajo nuk lejon përmirësimin e pozitës së kësaj pakice në Kosovë dhe integrimin e saj në shoqërinë kosovare.

Për ta tejkaluar këtë gjendje dhe për t’ia pamundësuar Serbisë manipulimin me fundamentalizmin islamik në Kosovë, është e domosdoshme që qarqet vendimmarrëse të bashkësisë ndërkombëtare të mënjanojnë nga diskursi i tyre këtë perceptim të gabuar për Serbinë si “mbikëqyrëse” ose “frenuese” e fundamentalizmit islamik në Ballkan dhe t’i jepet më shumë besim Kosovës, që ta menaxhojë vetë situatën me radikalizmin fetar, duke u mbështetur në resurset e veta të sigurisë. Kosova mund ta bëjë këtë, sepse shumica dërmuese e popullit të saj nuk e ka në mentalitet dhe në formim etnopsikologjik radikalizmin e dhunshëm, teksa shumica e kosovarëve janë europianë me kulturë dhe bindje dhe i kanë të qarta prioritetet e Kosovës dhe perspektivën e saj euroatlantike. Më anë tjetër, edhe në rrethanat e tanishme, Kosova mund të luajë rol të rëndësishëm dhe të vendos një kontroll të brendshëm mbi rrymat radikale fetare edhe te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

KISHA SERBE SI PARAROJË E HEGJEMONISË DHE DESTABILIZMIT

Që nga Mesjeta e hershme, Serbia e bëri Kishën Ortodokse Serbe pjesë të traditës së saj politike dhe kulturore dhe për disa shekuj me radhë nacionalizmi dhe shovinizmi serb gjeti strehën më të sigurt dhe më të qëndrueshme në oltarët e faltoreve serbe dhe në liturgjitë kishtare. Pothuajse nuk mund të gjendet asnjë lëvizje politike në Serbi, veçmas ato me parashenjë nacionaliste, që nuk kanë marrë paraprakisht mbështetjen e gjerë të klerit dhe të qarqeve fetare të kësaj provenience. Nuk gjendet një tjetër organizim fetar si Kisha Ortodokse Serbe, me përjashtim të organizatave të islamit radikal, nga faltoret e të cilit thirret vazhdimisht për dhunë. Kjo ka bërë që Kisha Ortodokse Serbe të bëhet krah i fuqishëm i secilës klasë politike brenda Serbisë, e cila ndjek me konsekuencë idetë serbomëdha, ndërsa nxjerr jashtë radhëve secilin udhëheqës politik, i cili bie në konflikt me këto ide dhe me klanin radikal të klerit kishtar (rasti i Gjingjiqit).

Pa hyrë më tej në histori, mjafton të themi se përgjatë gjithë periudhës para dhe gjatë sundimit të Millosheviqit, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar dhe prapa, Kisha Ortodokse Serbe ka qenë bartëse e ideve të dhunës, të hegjemonisë dhe të diskriminimit, të segregacionit dhe të akteve gjenocidale të Serbisë mbi popullin e Kosovës. Ajo edhe aktualisht ushqen me nacionalizëm dhe shovinizëm secilin regjim dhe secilin lider politik të Serbisë, të cilët manifestojnë ide hegjemoniste në hapësirën ballkanike. Kisha Ortodokse Serbe është faktori kryesor i destabilizimit të Malit të Zi, duke përçuar idenë se kombi malazias është pjesë e kombit serb, ashtu sikundër që organizimi kishtar i Malit të Zi është pjesë e Kishës Serbe. Kisha Serbe nuk lejon as pavarësimin e Kishës Ortodokse Maqedonase dhe marrëdhëniet aktuale të harmonishme mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut janë “pragmatizëm i urgjencave politike”, prapa të cilave fshihet një armiqësi e trashëguar dhe rivalitet i hapur me Kishën Ortodokse Bullgare dhe me identitetin bullgar. Por gjithsesi, në këtë kuadër, “brengë” më e madhe e Kishës Serbe, njësoj si e shtetit serb, dhe po aq e Kishës Ruse dhe e shtetit rus, është Mali i Zi dhe deti që shtrihet pranë tij.

Por, mbi të gjitha, Kosova është trashëgimia më nevralgjike e Kishës Ortodokse Serbe, jo pse ajo është “pjesa më e dhembshme e historisë”, por ngase përmes saj manipulohet më lehtë me idetë serbomëdha: një territor historik i perandorisë mesjetare serbe i pushtuar nga turqit që në Betejën e Kosovës (1389) dhe i lënë trashëgim shqiptarëve myslimanë. Dëshmi për këtë padrejtësi të supozuar janë monumentet e kultit në Kosovë, manastiret dhe kishat mesjetare, të cilat, sipas mendësisë së indoktrinuar serbe, në perceptimin perëndimor duhet të cilësohen si “fortesat e fundit” në luftën kundër depërtimit të islamit në Europën e krishterë.

Me këtë floskulë fetare-politike, e cila gjerësisht përfshin edhe liturgjitë kishtare serbe, është nxitur në mënyrë permanente shovinizmi serb dhe është ndërtuar një propagandë e tërë, është homogjenizuar populli i thjeshtë serb, duke u mobilizuar në mbështetje të udhëheqësve nacionalistë, përfshirë edhe Millosheviqin. Kisha serbe në Kosovë ka qenë “pararojë” e të gjitha veprimeve gjenocidale mbi popullin shqiptar, veçmas përgjatë viteve nëntëdhjetë, duke miratuar dhunën dhe duke “bekuar” vrasjet masive. Krerët më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe u bënë zëdhënës të regjimit të Millosheviqit, nxitën aktet e dhunës më barbare kundër civilëve shqiptarë, disa syresh morën pjesë aktive në fushatat e përgjakshme të njësive të armatosura, duke i kthyer kishat në kazerma paramilitarësh, ndërsa manastiret në depo armatimesh. Kisha Ortodokse Serbe edhe sot është qendra më radikale e nacionalizmit serb, burim i ksenofobisë dhe frymëzim i aktiviteteve luftënxitëse të institucioneve shtetërore të Serbisë. Ajo nuk është e ndarë nga shteti, siç pretendohet dhe siç thuhet shpesh, për të amnistuar veprimtarinë e saj. Ajo është një nga institucionet supreme të shtetit të Serbisë, u shërben politikave të tij nacionaliste, veçmas kur bëhet fjalë për destabilizimin e rajonit dhe mban kontroll të ashpër jo vetëm mbi vetëdijen fetare dhe gjendjen shpirtërore të besimtarëve të vet, por edhe mbi institucionet e sigurisë, si ushtria, policia, përfshirë edhe nëntokën e krimit të organizuar. Kisha Ortodokse Serbe mban qëndrim armiqësor dhe luftënxitës jo vetëm ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, por edhe ndaj të gjithë popujve të Ballkanit Perëndimor, duke manifestuar prirje nënshtrimi edhe ndaj popujve që janë të krishterë të ritit ortodoks, siç janë malaziasit, maqedonasit, bullgarët, ortodoksët shqiptarë, etj.

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E SERBISË, MEMORANDUMET E SAJ

Krahas Kishës Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë (SANU) është institucioni më përgjegjës për konfliktet në Ballkan. Që nga themelimi ajo nuk ka qenë asnjëherë akademi e dijes, siç janë të gjitha akademitë e botës, por më shumë një institucion shtetëror për prodhimin e ideve të hegjemonisë serbe, një institucion suprem që ushtron pushtet moral mbi popullin e vet dhe “kontroll autoritar” mbi vetëdijen e tij nacionale. Akademia Serbe ka një traditë të gjatë luftënxitëse, që nga shekulli XIX, kur Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe nga disa Fuqi të Mëdha, e shndërroi lëvizjen e romantizmit nacional serb në lëvizje për hegjemoni dhe pushtim territoresh. Në programin e saj, që nga themelimi (1886), u përfshi “Nacertanija” e Garashaninit (1844), një projekt për dominimin e Serbisë mbi vendet e tjera të Ballkanit, veçmas mbi Bullgarinë, Bosnjën, Malin e Zi dhe Shqipërinë e Veriut, si dhe daljen e saj në Detin Adriatik.

Ndonëse Akademia Serbe disa herë ndryshoi emrin dhe formatin e organizmit, programi i saj mbeti gjithnjë i njëjtë, derisa së fundi, në vigjilje të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, u bë mbështetësja kryesore e shpërbërjes përfundimtare të shtetit federal dhe nxitëse e luftërave të njëpasnjëshme të Millosheviqit. Akademia Serbe, pavarësisht ndryshimit të regjimeve, në vazhdimësi u përdor nga udhëheqësit nacionalistë serbë për hartimin e projekteve dhe elaborateve gjenocidale (Andriqi, Çubriloviqi), gjithnjë me arsyetimin se populli serb, në kuadër të ish-Jugosllavisë, ka përjetuar padrejtësi dhe se gjithnjë është kërcënuar ekzistenca e tij.

Kështu, më 1986, një grup punues i përbërë prej 16 anëtarëve të saj, Akademia Serbe hartoi një draft-dokument prej 32 faqesh, i cili u bë i njohur si “Memorandum i Akademisë Serbe” (Memorandum SANU) dhe u konsiderua si “program strategjik i inteligjencies serbe”. Mbi disa parime të përgjithshme, ai përcaktoi drejtimet dhe mënyrën e zgjidhjes së “çështjes serbe” në kuadër të ish-Jugosllavisë, ndonëse brenda vetë draftit ishte edhe paralajmërimi për shpërbërjen e saj. Sipas ekspertëve serbë, “Memorandumi” përfshinte në vete programe të njohura të “Serbisë së madhe”: “Naçertanijen” e Ilia Garashaninit, “Të gjithë serbët kudo që janë” të Vuk Karaxhiqit dhe “Serbia homogjene” e ideologut të çetnikëve, Stevan Moljeviq.

“Memorandumi” i Akademisë Serbe ngrihej kundër Kushtetutës së vitit 1974, e cila, sipas akademikëve serbë, e kishte fragmentuar Jugosllavinë dhe Serbinë e kishte vendosur në pozitë të pabarabartë me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Një pjesë e mirë e “Memorandumit” merrej me përshkrimin e pozitës së popullit serb në Kosovë, duke nxjerrë si përfundim se Tito në fund të Luftës së Dytë Botërore i kishte copëtuar qëllimisht territoret serbe në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Bosnje dhe Kroaci, dhe më tej edhe me dy krahina autonome, Kosovën dhe Vojvodinën. Sipas “Memorandumit”, shqiptarët po bënin gjenocid kundër serbëve në Kosovë, se serbët që jetonin në Kosovë dhe në Kroaci po i nënshtroheshin diskriminimit etj.

Akademia Serbe asnjëherë nuk u distancua nga ky dokument, pavarësisht kritikave që iu bënë dhe pavarësisht tragjedive që shkaktoi në hapësirat e mbarë ish-Jugosllavisë. Ajo u identifikua me luftërat e Millosheviqit, me gjenocidin që kreu Serbia mbi popujt e tjerë dhe në asnjë rrethanë nuk shprehu keqardhje, për faktin se një dokument i saj ishte frymëzues dhe nxitës i gjenocidit, veçmas mbi boshnjakët dhe shqiptarët. As europianët, përfshirë edhe Asociacionin e Akademive të Europës (ALLEA) nuk ia kërkuan një distancim të tillë, madje as akademitë e veçanta, të cilat i përtërinë marrëdhëniet me këtë institucion, sikur ndërkohë në Ballkanin Perëndimor të mos kishte ndodhur asgjë.

Se Akademia e Serbe nuk ndalet në projeksionet e saj nacionaliste, e dëshmon fakti se më 2011 ajo hartoi një memorandum të dytë, me autorë kryesorë Dobrica Qosiqin dhe Lubomir Tadiqin. Dokumenti kësaj radhe nuk u publikua, por qarkulloi në qarqet e mbyllura politike dhe akademike të Serbisë dhe më gjerë. Sipas medieve të huaja që kanë pasur mundësi ta lexojnë këtë dokument, qëllimi i tij ishte që ta shpëtojë Serbinë pas humbjeve të njëpasnjëshme dhe ta vendos atë në pozita të barabarta me shtetet mbi të cilat ajo ka bërë agresion, si dhe të shpëtojë nga proceset e gjykatave ndërkombëtare dhe të zvogëlojë përgjegjësinë e Serbisë për krimet dhe shkatërrimet e luftës. Siç është bërë e ditur, autorët e këtij memorandumi angazhohen për një “mbështetje strategjike” të Serbisë te Rusia dhe Kina, pastaj për nxitjen e konflikteve ndëretnike në shtetet e rajonit, në mënyrë që, përmes destabilizimit të tyre, Serbia të arrijë t’i realizojë interesat e saj serbomëdha. Në këtë memorandum i kushtohet vëmendje Kosovës, Republika Srpskës dhe Malit të Zi, të cilat duhet t’i “bashkëngjiten Serbisë”. Më 2017, ndërkaq, është bërë e ditur se është në përgatitje e sipër “Memorandumi 3” i Akademisë Serbe.

NGA “MEMORANDUMI”, TE “BOTA SERBE”; NGA “MINI-SHENGENI”, TE “BALLKANI I HAPUR”

Serbia është përkufizuar si shtet ekspansionist që nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe krejt identiteti i saj kombëtar, ndryshe nga shumë popuj të tjerë, nuk është ndërtuar mbi vlera, por mbi mite historike dhe mbi luftëra për territore dhe dominim. Historikisht Serbia nuk ka ndryshuar asgjë, së paku që nga Kongresi i Berlinit dhe prapa: gjithmonë është po ajo Serbi që synon pushtime dhe destabilizim. Ajo konsideron se potenciali i saj demografik dhe përgjithësisht kombëtar është në mospërputhje të madhe me hapësirën e saj territoriale dhe se roli i saj dominues në Ballkanin Perëndimor i është mohuar padrejtësisht, që më shumë se një shekull e gjysmë. Kjo megalomani serbe është mbështetur historikisht nga disa fuqi të mëdha të Europës, veçmas nga Rusia, e cila daljen në ujëra të ngrohta të Europës, përmes Serbisë, e ka trajtuar si strategji kombëtare, së paku që nga Traktati i Shën Stefanit (1878) dhe prapa. Më anë tjetër, në planin e brendshëm, Serbia i ka mbështetur me institucionet shtetërore idetë serbomëdha dhe në asnjë rrethanë nuk ka bërë denazifikimin e këtyre institucioneve, as pas luftërave të fundit, të nxitura dhe të zhvilluara prej saj. Postulatet negative nacionaliste vazhdojnë të dominojnë diskursin politik në Serbi, ndërsa në praktikat qeverisëse mbeten po ato strategji serbomëdha, kryesisht ekspansioniste dhe destabilizuese për rajonin e Ballkanit.

Pavarësisht ndryshimeve gjeostrategjike që kanë ndodhur në hapësirat ballkanike dhe më gjerë përgjatë tridhjetë viteve të fundit, Serbia ka vazhduar e patrazuar përpunimin dhe jetësimin e strategjive politike për dominim rajonal dhe rikthim të agjendave luftënxitëse. Ajo vazhdon të jetë faktor destabilizues në Bosnje, në Mal të Zi dhe në Kosovë, madje edhe në Maqedoninë e Veriut (siç ishte rasti me zgjedhjet e fundit lokale, ku supozohet se pati ndërhyrje të Serbisë në fitoren e krahut nacionalist pro-serb të VMRO-së), duke tërhequr në anën e vet, përmes floskulave politike të kamufluara, edhe shtete të tjera të paqëndrueshme të Ballkanit, si Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Përmes nismave dhe aleancave rajonale të llojit të “mini-Shengenit” ose të projektit “Ballkani i hapur”, Serbia synon të vendos primatin politik dhe ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë primat ajo nuk mendon ta arrijë përmes bashkëpunimit dhe zhvillimit, por duke destabilizuar shtetet përreth, duke shantazhuar BE-në dhe NATO-n dhe përmes aleancave subversive ekonomike dhe politike me Rusinë dhe Kinën.

Shantazhet e Serbisë mbi BE-në dhe NATO-n kanë filluar që në vitet ’90 të shekullit të kaluar dhe nuk janë ndalur asnjëherë. Këto shantazhe janë toleruar nga Perëndimi kryesisht për tri arsye: e para, për shkak të mungesës së unitetit në Bashkimin Europian dhe në Aleancën Veriatlantike për t’iu kundërvënë në mënyrë më të ashpër interesave të Rusisë në Ballkan; e dyta, për shkak të kujdesit të vazhdueshëm të Perëndimit për të ruajtur drejtpeshimin me Rusinë, në mënyrë që të mos implikojë investime më të mëdha në fushën e sigurisë; dhe e treta, për shkak se potenciali ekonomik i Ballkanit Perëndimor është në mospërputhje të thellë me peshën e tij politike dhe strategjike, investimet në fushën e sigurisë janë përqendruar atje ku resurset ekonomike janë shumë më të mëdha.

Këtë vakum të krijuar me zmbrapsjen e BE-së dhe NATO-s e ka shfrytëzuar Serbia, e cila, ndërkohë, ka forcuar aleancën ushtarake me Rusinë dhe ka krijuar hapësirë për gazin rus dhe kapitalin kinez. Ndonjëri nga vendet e rajonit që ka rënë në grackën e kapitalit kinez, siç është Mali i Zi, e ka çuar shtetin buzë falimentimit, në një kohë që në një projekt të ngjashëm për pak ishte gati të përfshihej edhe Shqipëria, për hekurudhën Nish-Durrës. Ka qenë refuzimi i Kosovës ai që në këtë rrethanë e ka shpëtuar edhe Shqipërinë nga një falimentim i sigurt i shtetit. Shtetet kryesore të BE-së tani gjenden në situatën që duhet t’ia blejnë borxhin Malit të Zi, në të kundërtën ky shtet i vogël dhe i brishtë rrezikon të humbë ose resurset e përzgjedhura turistike, ose portin strategjik të Tivarit. Në të vërtetë, një Mal i Zi pa këto resurse, nuk do t’i hynte në punë as BE-së dhe as NATO-s, kështu që do të bëhej pre e lehtë për ekspansionin e Serbisë, Rusisë dhe Kinës në këtë pjesë të Ballkanit.

Për shkak të postulateve nacionaliste, të përfshirë si retorikë malinje ne diskursin medial dhe politik të Serbisë, ky shtet nuk arriti asnjëherë të demokratizohet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por vazhdon edhe sot të jetojë në një tranzicion pa fund, në të cilën bashkëjetojnë krimi i organizuar, korrupsioni institucional, stereotipet e nacionalizmit fetar dhe kombëtar, ku mungesat e lirive demokratike, veçmas të lirisë së shprehjes, kompensohet me homogjenizimin euforik nacional, si floskulë patriotike, prapa së cilës fshihen të gjitha dështimet në ndërtimin e një shoqërie civile, me parametra të qartë civilizues. Duke mos e kaluar fazën e denazifikimit, pas luftëra të nxitura dhe të zhvilluara prej saj në vitet ’90 të shekullit të kaluar, Serbia vazhdon të mbetet peng i një klase politike më përbërje të kombinuar: oligarkë ekonomikë, intelektualë të manipuluar dhe titullarë të institucioneve të sigurisë. Këta të fundit, që përbëhen kryesisht nga oficerë të ushtrisë dhe të policisë së rendit dhe të policisë së fshehtë, ngjashëm me Rusinë, kanë një traditë të gjatë të “fjalës së fundit” në vendimet shtetërore, duke ia atribuuar vetes si në shoqëri, ashtu edhe në strukturat e shtetit status mbi-institucional, si “garantues suprem” të interesit kombëtar. Këtë traditë militariste Serbia e tërheq që nga koha kur ajo u bë strehë për një numër të madh oficerësh bjellogardistë, të cilët, pas Revolucionit të Tetorit, pa përjashtim u përfshin në strukturat e ushtrisë serbe dhe jugosllave. Më anë tjetër, duke marrë para sysh faktin se edhe në ushtrinë jugosllave kuadri serb përbënte rreth 70% të kuadrit të përgjithshëm ushtarak, i cili u tërhoq në Serbi pas luftërave të viteve ’90, aktualisht Serbia i ka të gjitha parakushtet të quhet shoqëri militariste, ku ushtria, formalisht dhe joformalisht, është një zë i rëndësishëm edhe në vendimmarrjet politike.

Për shkak të këtyre rrethanave, që lidhen me këtë mendësi politike, në Serbi duket e domosdoshme që një “program nacional” të zëvendësojë një tjetër dhe secili duhet të ketë parashenjë nacionaliste dhe ekspansioniste, ndërsa shteti nuk mund të funksionojë pa një lider autokrat, që merr vendime “nacionale”, të rëndësishme për kombin. Nëse ndonjëri nga këta liderë del jashtë kësaj skeme ose kornize, është e paevitueshme që ai të mënjanohet nga skena politike, madje të likuidohet edhe fizikisht (Stamboliqi, Gjingjiqi). Kështu ka funksionuar Serbia edhe gjatë kohës së Jugosllavisë: e ka ruajtur këtë shtet multinacional vetëm për aq kohë sa ka qenë e bindur se ai u shërben interesave të popullit serb, shpesh duke e konsideruar më shumë se gjysmën e saj si “Serbi e zgjeruar” (një pjesë të Kroacisë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe Vojvodinën). Prandaj, nuk qëndron supozimi se Jugosllavinë e shkatërruan lëvizjet nacionaliste të popujve të përfshirë brenda saj, por e shkatërroi vetë Serbia, me pretendimin se ajo nuk ishte më kornizë e mjaftueshme për interesat nacionale të popullit serb.

Pas luftërave të fundit në ish-Jugosllavi, të cilat i nxiti dhe i udhëhoqi Serbia, nacionalizmi serb u dekonstruktua dhe mbeti pa bazën e vet ideologjike, duke mos gjetur për një kohë postulatet e përshtatshme, as teorike as praktike, të rikthimit të homogjenizimit botëkuptimor dhe pragmatik. Asnjë ideologji e re nuk mund t’i zëvendësonte platformën politike të shpallur përmes “Memorandumit” të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, as pikëpamjet dhe praktikat hegjemoniste të Millosheviqit, se “Serbia është atje, ku është qoftë edhe një serb i vetëm”. Prandaj, për njëzet vjet Serbia mbeti e pandryshuar, pa pluralizëm real politik, pa demokraci të brendshme dhe e pa denazifikuar, duke madhëruar luftërat e humbura dhe duke nderuar heronjtë e krimeve në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë.

Për shkak të mungesës së vazhdueshme të mendimit të lirë dhe për shkak të uzurpimit dhe nënshtrimit nacionalist të pikëpamjeve liberale dhe demokratike, edhe së fundi në Serbi “idetë e mëdha” vazhdojnë t’i prodhojnë elitat shtetërore, ku përfshihen edhe mediet, edhe partitë politike, njësoj si edhe vetë Akademia e Shkencave. Idetë serbomëdha të shtrirjes territoriale të Serbisë nga Selaniku e deri në vijën Karlovac-Karlobag-Virovitica, së fundi u zëvendësuan me togfjalëshin hiperbolik “bota serbe”, i cili është i ngjashëm ose i njëjtë me togfjalëshin “tokat serbe” të Lëvizjes Çetnike, që riaktualizon ide ekspansioniste serbomëdha. Në të vërtetë, në esencën e tij, ky togfjalësh e ka sloganin e Sheshelit “Aty ku është një serb i vetëm, aty është Serbia” dhe mund të përmblidhet me atë që thotë diplomati Eskobar se “bota serbe” në të vërtetë është “bota ruse”.

Është e ditur se “bota serbe” si togfjalësh iu referohet më shumë serbëve jashtë kufirit të Serbisë, që ata të jenë të lidhur me “amën”, pra me shtetin serb, të mos integrohen në shoqëritë e shteteve të tjera dhe të shërbejnë si element i përdorshëm nga Serbia, kurdo që kjo të shihet e nevojshme. Kjo popullsi serbe, e lidhur me amën dhe e manipuluar politikisht nga Beogradi, vazhdimisht bën obstruksione dhe veprime destabilizuese, si në Bosnje, në Mal të Zi ashtu dhe në Kosovë, madje ndonjëherë edhe në Maqedoni, gjithnjë me idenë se rrënimi i këtyre shteteve, ose kriza e tyre e brendshme mund ta faktorizojë Serbinë, mund t’i japë asaj primatin politik dhe ta bëjë forcë dominuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tashmë është kuptuar nga i gjithë faktori ndërkombëtar perëndimor se përdorimi politik i serbëve dhe i Serbisë si element destabilizues në rajon nxitet drejtpërdrejt nga Rusia dhe në disa raste financohet po prej saj, përmes projekteve të drejtpërdrejta ose të tërthorta, në ndonjë rast edhe perëndimore, të cilat përdorin donacionet e “Gazpromit”.

Në këtë kontekst të përgjithshëm duhet parë edhe nismat e Serbisë një herë për “miniShengenin” dhe pastaj për projektin “Ballkani i hapur”, si: i) obstruksion ndaj NATO-s dhe BE-së, ii) hapësirë për depërtime të reja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në Ballkan, iii) fuqizim i mëtejshëm i Serbisë në rajon, dhe iv) anashkalim i Kosovës në të gjitha proceset politike dhe ekonomike rajonale. Për pikën e fundit, pra anashkalimin e Kosovës, kërkohet një shqyrtim i veçantë, por me këtë rast mjafton të themi se çështjen e Kosovës, që kur ajo ka marrë atributet e një problemi të mprehtë politik, Serbia është përpjekur ta zgjidhë përmes Shqipërisë, e nxitur nga një traditë e hershme, ashtu siç e ka ndihmuar pacifizimin e saj mbreti Zog përmes marrëveshjeve me Mbretërinë Jugosllave (Pashiqin), apo komunistët shqiptarë dhe jugosllavë përmes përkimeve ideologjike dhe organizimeve të përbashkëta politike. Në të vërtetë, lojaliteti i tanishëm i Shqipërisë ndaj të gjitha nismave rajonale të Serbisë, përveç përfitimeve të tjera, kanë në prapavijë edhe “nostalgjinë ideologjike” të Shqipërisë, e cila, në rrethanat e ndonjë krize të brendshme ose të krizës në marrëdhënie me Perëndimin, i kthehet lindjes ish-komuniste, pavarësisht faktit se Shqipëria që herët është dukur sikur është distancuar nga ky konstalacion politik, kulturor dhe botëkuptimor.

SHQIPËRIA DHE PROJEKTI “BALLKANI I HAPUR”

Në përgjithësi, politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës që nga viti 1912 kanë qenë kontradiktore, jokonsekuente, në shumicën e rasteve të tilla që kanë sakrifikuar idealizmin e Kosovës për pragmatizmin politik të shtetit shqiptar. Klasa politike e Shqipërisë ka qenë e vetëdijshme se potenciali i këtij shteti është i pamjaftueshëm për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, por as aleancat e mundshme të Shqipërisë më fuqitë botërore nuk e kanë pasur ndonjëherë këtë synim. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta përfshijnë në memorien e tyre historike faktin se gjatë luftërave ballkanike dhe më pas (1913-1915), Serbia do të ushtrojë gjenocid jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe në brendi të Shqipërisë, ta zëmë në fshatrat e Elbasanit, ku, siç thotë Tucoviqi, ushtria serbe dogji njerëz të gjallë. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta kenë të lehtë ta kuptojnë se projektet e Garashaninit, Andriqit dhe Çubriloviqit nuk kishin të bënin në mënyrë specifike vetëm me Kosovën, por me krejt popullin shqiptar.

Mirëpo, në memorien historike të Shqipërisë edhe sot do të ushtrojë ndikim të madh fakti se Jugosllavia ishte eksportuesja kryesore e ideve komuniste në Shqipëri. Ajo ishte themeluese e Partisë Komuniste të Shqipërisë, duke e përfshirë lëvizjen komuniste të Shqipërisë në agjenturat e Kominternës dhe duke ia caktuar Shqipërisë vendin në hemisferën lindore të ndarjeve ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse marrëdhëniet më Jugosllavinë u prishën shumë shpejt (1948), komunistët shqiptarë e panë si ideal edhe për shumë kohë (madje me kompleks inferioritetit) Jugosllavinë e Titos dhe socializmin e saj vetëqeverisës. Historikisht është e njohur se afrimi i Shqipërisë në çfarëdo mënyre me Jugosllavinë ose Serbinë, doemos duhet të eklipsonte çështjen e Kosovës, madje shpesh ta sakrifikonte atë.

Pavarësisht se shoqëria shqiptare gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit është shoqëri pa ideologji, recidivizmi ideologjik herë pas here rishfaqet në disa forma: si nostalgji, si majtizëm ekstrem, si lidhje klanesh, si refuzim ndaj Kosovës dhe, herë pas here, si lidhje më e ngushtë botëkuptimore me Serbinë dhe me proveniencën lindore.

Më anë tjetër, në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se Kosova paraqet pengesë të bezdisshme për marrëdhëniet miqësore me Serbinë dhe me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe se përfitimet ekonomike të Shqipërisë nga këto marrëdhënie, po të mos ishte problemi i Kosovës, do të ishin shumëfish më të mëdha, veçmas në fushën e turizmit dhe të transportit. Prandaj që 20 vjet e këndej, çështja e Kosovës për Shqipërinë politike dhe ekonomike kundrohet si sakrificë, të cilën ajo e bën në dobi të një ideje tashmë të vjetruar nacionaliste.

Por, mbi të gjitha, përfshirja e Shqipërisë në nismën e “Ballkanit të hapur” nuk është vetëm minim i “Procesit të Berlinit”, as një izolim politik i Kosovës, por ka një konotacion largvajtës për raportet e ardhshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor. I tërë procesi është një koncesion jo vetëm ekonomik, por edhe politik që i bëhet Beogradit edhe nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, si kompensim të mungesës së perspektivës evropiane për Serbinë. Më anë tjetër, hipokrizia nacionaliste e Ramës për bashkim kombëtar, për heqje kufiri me Kosovën dhe floskula të këtilla politike, që gjoja përfshihen në projektin “Ballkani i hapur”, njësoj si diskutimi politikisht diletant në Kosovë për bashkim kombëtar, pa mëdyshje që i shkojnë në favor politikës së Vuçiqit, duke e konsideruar “Serbinë e madhe” si pasojë logjike dhe kundërpeshë politike të arsyeshme kundrejt “Shqipërisë së madhe” dhe duke vendosur shenjën e barazimit mes Kosovës dhe Republika Srpskës, pavarësisht se bëhet fjalë për dy realitete krejtësisht të ndara politike dhe historike.

(Derisa pavarësia e Kosovës është rast “sui generis” dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ndër të tjera edhe për shkak se popullsia e saj u është nënshtruar akteve gjenocidale nga vetë shteti në përbërje të të cilit ishte dhe se shprehja e vullnetit të saj për pavarësi është pasojë logjike e shkeljes sistematike të të drejtave dhe lirive për një periudhë të gjatë kohore, më anë tjetër Republika Srpska në të gjithë përbërësit e saj, territorialë dhe politikë, është rezultat i drejtpërdrejtë i agresionit të Serbisë mbi Bosnjën dhe gjenocidit të ushtruar mbi popullsinë myslimane).

Së fundi, arsyetimi i Shqipërisë se projekti “Ballkani i hapur” është një hap përpara në “Procesin e Berlinit” është krejtësisht i paqëndrueshëm, sepse “Procesi i Berlinit” nënkupton përfshirje të barabartë dhe të njëhershme të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor (Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe jo si “proces i bashkëngjitjes”, që dikush t’i bashkohet dikujt, siç pretendohet me projektin “Ballkani i hapur”. Më anë tjetër, duke parë propagandën e madhe të medies së Shqipërisë të varur nga qeveria e Tiranës rreth projektit “Ballkani i hapur”, njësoj si më parë për “mini-Shengenin ballkanik”, del shumë e qartë se qeveria e Tiranës, njësoj si ajo e Beogradit dhe e Shkupit, përmes këtij projekti synon të kompensojë medialisht, për aq sa është e mundur, dështimet në procesin e reformave dhe të përafrimit me Bashkimin Europian. Situata e paqartë e integrimit të Shqipërisë në BE, për të cilën qeveritë e Tiranës mbajnë përgjegjësi të vazhdueshme, me këtë rast kërkohet të kompensohet dhe të kamuflohet përmes projekteve rajonale dhe me aleanca politike alternative.

MBËSHTETJA E MAQEDONISË SË VERIUT PËR NISMËN “BALLKANI I HAPUR”

Që nga fillimi, që në nismën e Novi-Sadit, Maqedonia e Veriut ishte e para që iu bashkëngjit Serbisë për iniciativën rajonale “mini-Shengeni ballkanik” dhe më pas “Ballkani i hapur”. Koha kur u shfaq ky afrim i papritur i Maqedonisë së Veriut me Serbinë lidhet drejtpërdrejt me ngurrimet e BE-së për të çuar përpara negociatat e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe, së fundi, me bllokimin që po ua bën Bullgaria këtyre negociatave. Pra, sikundër edhe në rastin e Shqipërisë, në pamje të parë duket se iniciativat rajonale të tipit “Ballkani i hapur” kanë për synim të kompensojnë dështimet në procesin e integrimit evropian.

Por, në të vërtetë, duke marrë parasysh rrethanat gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor, boshti asimetrik Beograd-Shkup-Tiranë ka edhe të tjera reperkusione, edhe tjetër prapavijë. Pas “Marrëveshjes së Prespës” dhe tejkalimit të problemeve me Greqinë rreth emrit, përveç se kishte pritur një avancim më të shpejtë të integrimeve me BE-në, Maqedonia e Veriut, me këtë forcim të shpejtë të pozitës ndërkombëtare, u gjet e inkurajuar të bëjë edhe disa ndryshime edhe në politikat e saj të brendshme dhe rajonale. Rëndësia e pjesëmarrjes së gjerë të shqiptarëve në jetën politike të Shkupit, që mund të konsiderohej si njëlloj katalizatori i stabilitetit, duke ruajtur balancat politike të brendshme dhe të jashtme të vendit, përnjëherësh u përmbys dhe u zhvlerësua.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë më faktor relevant, as në politikat e brendshme, as në politikat e jashtme të këtij shteti, sepse peshën e tyre qeveria e Shkupit e ka zëvendësuar ose synon ta zëvendësojë me një afrim të drejtpërdrejtë me Tiranën, duke e anashkaluar ose duke e bërë të parëndësishëm faktorin e brendshëm shqiptar. Pranimi në NATO i Maqedonisë së Veriut nuk u lexua në Shkup vetëm si forcim i sigurisë dhe i pozitës ndërkombëtare të këtij shtetit, por më shumë si mundësi për të bërë ndryshime strukturore në politikat e brendshme dhe të jashtme, siç është afrimi me Serbinë dhe anashkalimi i faktorit të brendshëm shqiptar, si përcaktues i konfigurimit politik të vendit. Në të vërtetë, që me largimin e Gruevskit nga Maqedonia përmes një marrëveshjeje Zajev-Ahmeti-Rama dhe më pas Vuçiq, u pa qartë se ky koalicion në të ardhmen do të forcohet edhe më shumë, duke e kthyer faktorin shqiptar të Maqedonisë së Veriut në shërbyes të tij.

Me afrimin e shpejtë dhe gati të papritur me Beogradin dhe më pas me Tiranën, qeveria aktuale e Shkupit mendon se mund të arrijë disa objektiva njëherësh: i) t’i bëjë shantazh BE-së me mundësinë e përafrimit më të madh me Serbinë dhe Rusinë; ii) ta forcojë diskursin e saj nacionalist, për të baraspeshuar me të djathtën, e cila e ka bazë kryesore qëndrimin e prerë antishqiptar; iii) të tërheqë në krahun e vet një pjesë të mirë të elektoratit pro-serb, i cili iu bashkëngjit të djathtës maqedonase për shkak të vijës së saj më të ashpër ndaj shqiptarëve; iv) të shmangë Kosovën nga agjenda politike, duke e identifikuar atë si burim të nacionalizmit, për ta relativizuar peshën e saj te faktori shqiptar i Maqedonisë së Veriut; dhe v) të shmangë lëvizjet emancipuese nga Kosova që ushtrojnë ndikim te shqiptarët, në mënyrë që t’i krijohet hapësirë e patrazuar manipulimit fetar islamist, duke vazhduar traditën e hershme të kohës së ishJugosllavisë. Në të gjitha këto pika, afrimi me Beogradin duhet të rivalizojë Bullgarinë, kurse afrimi me Tiranën duhet të margjinalizojë ndikimin e Kosovës. Kjo është traditë recidiviste e Shkupit që në kohën e ish-Jugosllavisë.

Mirëpo, shkëputja e lidhjeve tradicionale të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Kosovën do të shkaktojë pashmangshëm disa pasoja të rënda dhe do t’i sjellin dëme të mëdha jo vetëm komunitetit shqiptar, por edhe vetë shtetit maqedonas, siç është shtrirja më agresive e radikalizmit islamik, i pa baraspeshuar dhe “i pakontrolluar” nga ndikimi emancipues i Kosovës; radikalizimi i një pjese të faktorit politik shqiptar, i cili nuk do të ndihet mirë nën ombrellën anacionale të Tiranës; përçarjet e brendshme të faktorit politik shqiptar (sipas modelit të Tiranës), që mund të çojnë deri te destabilizimi i Maqedonisë së Veriut etj. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë lidhje shpirtërore që nuk mund të minimizohet, aq më pak të mënjanohet tërësisht.

GJYKATA NDËRKOMBËTARE E DREJTËSISË (GJND) DHE BLLOKIMI I NJOHJEVE

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjykata e nivelit më të lartë e Kombeve të Bashkuara, publikoi më 22 gusht të vitit 2010 opinionin këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që ishte përgjigje e kësaj gjykate në Hagë ndaj kërkesës së Serbisë, nëse “deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur nga organet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”. Kryetari i kësaj gjykate, Hisashi Owada, në emër të 15 anëtarëve të GJND-së, pasi bëri të ditur se ky institucion ka të drejtë të japë mendimin juridik për çështjen e paraqitur dhe pasi përshkroi gjerësisht rrethanat që kanë çuar deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës, tha se “Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”. Owada theksoi se “GJND konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, GJND-ja konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Ky vendim i GJND-së u mor me shumicën e votave të gjykatësve: 10 prej tyre ishin të këtij mendimi, ndërsa katër ishin kundër. GJND gjithashtu konstatoi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk është shkelur Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKBsë, ngase kjo rezolutë kishte karakter të përkohshëm dhe nuk ndalonte zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës. Përkundrazi, Rezoluta 1244 synonte të krijonte kushte për një zgjidhje të përhershme.

Kjo ishte një fitore e madhe e Kosovës në planin ndërkombëtar dhe në përgjithësi ky vendim krijoi bindjen se Kosovës do t’i krijoheshin mundësi për njohje të reja dhe për depërtim të fuqishëm në planin ndërkombëtar. Pavarësisht se vendimi i GJND-së ishte këshilldhënës, autoriteti i këtij institucioni sugjeronte një respektim më të gjerë të pavarësisë së Kosovës si “fakt i kryer”, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kthehej prapa, të anulohej ose të relativizohej. Ishte e pritshme që edhe shtetet skeptike të kthenin një faqe të re të marrëdhënieve të tyre me Kosovën, duke iu bashkëngjitur shteteve që tashmë e kishin njohur pavarësinë e saj dhe kishin vendosur marrëdhënie diplomatike. Por, pse dhe si ndodhi tërheqja?

Ishin disa faktorë: i) një sërë krizash rajonale eklipsuan çështjen e Kosovës dhe për disa shtete që kishin qenë mbështetës të saj më të mëdhenj, çështja e Kosovës ishte çështje e përfunduar dhe nuk e panë më të nevojshme të merreshin aq intensivisht me të; ii) kriza ekonomike bëri që shtetet vendimmarrëse ta përqendrojnë vëmendjen në çështje të tregjeve të mëdha dhe të mos merren me problemet politike të Ballkanit Perëndimor; iii) BREXIT e dobësoi fuqinë vendimmarrëse të BE-së dhe me daljen përfundimtare të Britanisë së Madhe nga BE-ja, Kosova humbi një mbështetës të fuqishëm dhe të jashtëzakonshëm në Bruksel dhe në të gjitha forumet e tjera të BE-së; iv) zhvillimet brenda vetë Kosovës ndikuan negativisht në njohjet ndërkombëtare, veçmas qeverisja e keqe, korrupsioni dhe krimi i organizuar bënë që shumë shtete ta shikojnë me skepticizëm të ardhmen e Kosovës, ndërsa Serbisë i krijuan argumente lehtësisht të përdorshme për propagandën e saj kundër njohjeve; v) hapja e çështjeve territoriale në dialog me Serbinë, që u pranua si opsion nga një pjesë e elitës politike të Prishtinës, ishte dëmi më i pariparueshëm për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, sepse nga një “çështje e mbyllur”, e bëri Kosovën “çështje të hapur”, posaçërisht për një numër shtetesh ende të pavendosura; vi) Gjykata Speciale bëri që Kosova të marrë atribute ndërkombëtare jashtëzakonisht të pafavorshme, sepse u institucionalizua ideja se mbi elitën e saj politike rëndonin krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit; vii) Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit nuk e stabilizoi gjyqësorin e Kosovës dhe nuk e bëri Kosovën shtet ligjor, por u përfshi në afera të brendshme dhe u përqendrua në bashkëpunim intensiv me Serbinë, për të ndjekur ish-prijësit e UÇK-së; viii) Kosova bëri gabim të madh që pranoi njohje të sponsorizuara në mënyrë korruptive, sepse Serbia, po me korrupsion, njohjet e tilla i bëri pothuajse të papërdorshme etj.

Ndërkohë, “Marrëveshja e Uashingtonit” e shtatorit të vitit 2020, në të cilën u përfshi edhe njëlloj moratoriumi njëvjeçar i Kosovës për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe i Serbisë për ç’njohje, gjithashtu i shkaktoi dëm të madh Kosovës, sepse një çështje të saj legjitime, e shndërroi në çështje që duhet të marrë edhe miratimin e Serbisë.

Më anë tjetër, pavarësisht se çështja e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare mori statusin e një çështjeje “sui generis”, pesë shtete të BE-së (Greqia, Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia) mbeten këmbëngulëse në mosnjohje, thjeshtë për shkak të problemeve të tyre të supozuara me pakicat, duke bërë një lidhje të paarsyeshme të situatës së tyre me minoritetet dhe me statusin e Kosovës. Shtetet kryesore të BE-së që përbënin “grupin e kontaktit” për Kosovën (SHBA, Britania, Gjermania, Franca dhe Italia) nuk bënë trysni të mjaftueshme mbi këto shtete evropiane, sikundër që nuk ushtruan asnjë trysni mbi Serbinë, e cila vazhdoi t’ua kërkonte hapur të gjitha shteteve të mos e njihnin Kosovën ose, nëse tashmë e kishin bërë, ta ç’njohin atë. Një sjellje e këtillë e Serbisë, agresive dhe bllokuese ndaj Kosovës, nuk mori asnjëherë një përgjigje më eksplicite nga këto shtete që përbënin “grupin e kontaktit”, as nga ato shtete që u shprehen në mbështetje të pavarësisë. Madje, për shkak të këtyre pesë shteteve dhe të vendimmarrjes koncensuale në forumet e BE-së, Kosova mbeti pothuajse e përjashtuar nga procesi i integrimeve, edhe përkundër faktit se tashmë e kishte kaluar sprovën e “standardeve para statusit”, sikundër që mbeti pa liberalizim të vizave dhe me negociata të prapambetura për integrim në BE.

Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe BE-ja i bëri Serbisë favore të mëdha, duke hapur vazhdimisht kapituj të rinj të bisedimeve për integrim, duke e ndihmuar financiarisht, duke nxitur investimet dhe duke mos e ndëshkuar në asnjë formë për politikat e saj destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Kushtëzimi i BE-së se Serbia nuk mund të integrohet në BE pa njohjen e Kosovës, pak nga pak u zhvlerësua në vokabularin politik të diplomatëve europainë dhe, së fundi, kancelarja gjermane Merkel pothuajse u afrua tërësisht me qëndrimin e Serbisë se statusi i Kosovës do të marrë “zgjidhje përfundimtare” pas dialogut të Brukselit, ku duhet të bëhen kompromise nga të dyja palët.

DIALOGU KOSOVË-SERBI DHE POLITIKAT E BE-SË

Edhe përkundër faktit se shumë shtete të BE-së kanë qenë pjesë e koalicionit euroatlantik që më 1999 hapën një kapitull të ri në historinë e Kosovës, viteve të fundit, kryesisht për shkak të mosunitetit të brendshëm dhe krizave të tjera strukturore dhe vendimmarrëse, Bashkimi Europian ndoqi një politikë izolacioniste ndaj Kosovës, duke mos arritur të konsolidojë një qëndrim unik ndaj saj, duke i dhënë krah autoritarizmit në Serbi, nëse jo përmes politikave të Brukselit, atëherë përmes eksponentëve të veçantë, siç është rasti i Hungarisë. Më anë tjetër, BE-ja si strukturë vendimmarrëse i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë koncesione të mëdha Serbisë, duke mos e ngritur zërin për rolin dhe veprimtarinë e saj të vazhdueshme në destabilizimin e tri shteteve të Ballkanit Perëndimor njëherësh: Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi. Ndonëse janë 22 shtete të BEsë që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur, politikat e BE-së ndaj Kosovës duket sikur dirigjohen dhe kushtëzohen nga 5 shtetet mosnjohëse. Këto 5 shtete, jo vetëm pse prej tyre vjen edhe komisionari i lartë për politikë të jashtme, njësoj si edhe përfaqësuesi i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, duke qëndruar në afërsi pikëpamjesh me Serbinë, i kanë vendosur barriera të mëdha Kosovës në rrugën evropiane të integrimit.

Kështu, që nga miratimi i një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (shtator 2011), kanë kaluar më shumë se 10 vjet që zhvillohet një dialog jofrytdhënës mes Kosovës dhe Serbisë, i sponsorizuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-së, i cili deri tani ka dhënë rezultate minimale. Arsye e vetme është se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk bën asnjë koncesion në këtë drejtim, përkundrazi, punon pareshtur që ta minojë këtë pavarësi, si në planin dypalësh, ashtu edhe në planin rajonal dhe ndërkombëtar. Për shkak të kësaj rrethane, një numër marrëveshjesh që janë arritur nuk kanë gjetur asnjëherë zbatimin përkatës dhe shpesh kanë mbetur pa asnjë domethënie. Bie fjala, që në fund të vitit 2012 janë arritur shtatë marrëveshje: lëvizja e lirë, menaxhimi i integruar i kufirit, regjistrat kadastralë, regjistrat civilë, përfaqësimi rajonal dhe njohja e diplomave, me të cilat, në të gjitha rastet Kosova i bën koncesione Serbisë: lëvizja e lirë me dokumente të UNMIK-ut, përfaqësimi rajonal do të bëhet me fusnotë Kosova-UNMIK, në vulat doganore nuk do të shkruhet Republika e Kosovës, ndërsa Kosova do të marrë nga Serbia vetëm kopjet e regjistrave civilë dhe atyre kadastralë, kurse njohja e diplomave as që do të zbatohet ndonjëherë.

Ndërkohë, në pranverën e vitit 2013 Kuvendi i Kosovës me një rezolutë “shprehu pëlqimin” që të nënshkruhet një marrëveshje e parimeve që rregullojnë marrëdhëniet me Serbinë. Më 27 qershor 2013 marrëveshja pesëmbëdhjetë pikëshe (e vetmja) u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve, duke shkaktuar krizë të brendshme politike, ndërkaq Kuvendi i Serbisë e trajtoi atë si “informatë” dhe nuk e miratoi me votë parlamentare. Marrëveshja në tërësinë e saj trajton integrimin e komunitetit serb në Kosovë në këmbim të krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili, i tillë siç u miratua në Kuvendin e Kosovës, ka kompetenca në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe planifikim hapësinor. Aty gjithashtu ishte paraparë që strukturat ilegale të sigurisë në veriun e Kosovës do të integroheshin në strukturat përkatëse të Kosovës, pastaj mbajtja e zgjedhjeve lokale, financimin transparent nga Serbia, si dhe integrimin e strukturave gjyqësore paralele në sistemit gjyqësor të Kosovës etj.

Për të tejkaluar situatën e krizës së brendshme që shkaktoi miratimi në Kuvendin e Kosovës i marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe, më shumë se dy vjet më vonë (më 30 tetor 2015), Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e dërgoi Marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesë për interpretim të përputhshmërisë së parimeve të asociacionit më Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rreth dy muaj më vonë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se “parimet e përgjithshme” të kësaj marrëveshjeje nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, sepse asociacioni i komunave serbe kishte marrë kompetenca ekzekutive, gjë që nuk e lejon Kushtetuta.

Ndërkohë, çështja e asociacionit dhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese do të bllokojë të gjitha përpjekjet e BE-së që të çojë përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Së fundi, duke e parë se kjo çështje nuk mund të marrë një zgjidhje të përshtatshme, përfaqësuesit e BE-së kanë filluar të bëjnë trysni vazhdueshme mbi Kosovën për ta ndryshuar Kushtetutën e saj, në mënyrë që ajo “të lejojë” themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo është një qasje joadekuate e strukturave të BE-së, duke e ditur se një asociacion i tillë do ta bënte Kosovën shtet jofunksional dhe do të krijonte “hapësirë kushtetuese” për autonomi territoriale të komunave serbe në Kosovë, duke u bërë prelud për ndarjen e saj. Strukturat e BE-së të përfshira në çështjen e dialogut, pothuajse asnjëherë nuk e kanë bërë të qartë se një asociacion i tillë është i mundur vetëm nëse Republika e Serbisë paraprakisht e ndryshon Kushtetutën e saj, në të cilën Kosova nuk do të përkufizohej si “krahinë e Serbisë”, por do të njihej sovraniteti dhe integriteti i saj territorial, siç kishte parashikuar një “non-paper” gjermano-britanike në vitin 2013, që kërkonte përmbylljen e procesit të normalizimit përmes një marrëveshje ligjore të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’ua mundësonte dy shteteve rrugën individuale drejt anëtarësimit në BE, si dy vende të pavarura.

Duke e parë se çështja e asociacionit do të mbetej të zgjidhej në një dialog final ndërmjet dy vendeve, diplomacia e BE-së zhvilloi dialogun Kosovë-Serbi në dy paralele pothuajse të ndara: dialogun politik, i cili do të duhej të çonte drejt zgjidhjes përfundimtare; dhe dialogun teknik, i cili merrej me zgjidhjen e një mori çështjesh që lidhen me aspekte praktike të jetës së qytetarëve dhe të funksionimit të papenguar të dy shteteve, pa vënë në diskutim njohjen ose mosnjohjen reciproke. Marrë në tërësi, deri së fundi janë arritur mbi 30 marrëveshje të tilla, të cilat i ka përmbledhur në një botim Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (“Dialogu Kosovë-Serbi-dokumente”). Në shumicën e rasteve tekstet e marrëveshjeve janë konfuze, me ambiguitet kuptimor, me mundësi të ndryshme interpretimi, shpesh pa nënshkrime, pa numër protokolli, pa përmendur mes kujt arrihen, vetëm e vetëm që me këtë mënyrë të dialogut të pajtohet Serbia, e cila Kosovën nuk pranon ta trajtojë subjekt të ndonjë marrëveshjeje, por vetëm si pjesë të saj, të ndarë “përkohësisht” me kufi administrativ nga shteti serb, me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Edhe marrëveshja e fundit “për targat”, e bërë nën trysninë e Brukselit, ishte kompromis që bëri Kosova ndaj Serbisë, duke lejuar sërish shkeljen e sovranitetit të saj dhe ndërhyrjen e Serbisë në një pjesë të territorit të saj.

BE-ja, si lehtësuese e dialogut, e ka përvetësuar metodën e këtillë të hartimit të dokumenteve, si dykuptimësi ose “ambiguitet konstruktiv”, në mënyrë që secila palë të mund të bëjë interpretimin e marrëveshjeve sipas dëshirës së saj dhe të konsiderojë ato më të mira dhe më të dobishme për vete, e papenguar nga ndërmjetësi dhe pa ndërhyrje me shpjegime shtesë. Kjo metodë e promovuar nga Kissingeri shumë vjet përpara në dialogun Izrael-Palestinë, është pranuar pa vërejtje nga pala kosovare, nën trysninë e BE-së, ndonëse ka qenë shumë e qartë se “ambiguiteti konstruktiv”, njësoj si modeli Izrael-Palestinë, më shumë i përgjigjet Serbisë se sa Kosovës, sepse në njëfarë mënyrë vetë teksti i marrëveshjeve “lejon” moszbatimin e tyre. Mungesa e përvojës diplomatike dhe asistenca jo e sinqertë e BE-së ka bërë që shumica e marrëveshjeve Kosovë-Serbi të dalin si koncesione që Kosova ia bën Serbisë, duke relativizuar sovranitetin dhe pavarësinë e saj.

IDEJA PËR NDARJEN E KOSOVËS

Duke parë pozicionet e kundërta të palëve të përfshira në negociatat Kosovë-Serbi, që në fillim të dialogut nga “grupe të krizës”, kryesisht ish-diplomatë dhe OJQ që merren me çështje të sigurisë ndërkombëtare, u paraqitën ide, të cilat kishin synim ta zgjidhnin çështjen e Kosovës me një “prerje” radikale, duke e ndarë territorin e saj dhe duke e “pajtuar” Serbinë me humbjen e paevitueshme të Kosovës. Të gjitha idetë rreth ndarjes së Kosovës kishin synim të mos e linin Serbinë si humbëse në këtë përballje me Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Të gjithë hartuesit e projekteve për ndarjen e Kosovës kishin synim ta kompensonin Serbinë, në mënyrë që ajo të pranonte humbjen dhe merrte një qëndrim më parimor ndaj Kosovës dhe nacionalizmi i saj të bëhej më “konstruktiv” në raport me rajonin. U krijua bindja se me ndarjen e Kosovës dhe me marrjen e një pjese të saj, Serbisë, në njëfarë mënyre i kthehej “nderi i humbur” dhe se ky fakt do të reflektohej pozitivisht jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe me rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi.

Pavarësisht se si u paraqit në opinion dhe në kancelaritë diplomatike, ideja për ndarjen e Kosovës ishte ide e nacionalizmit serb, madje e dishepujve të saj më të spikatur, siç ishin Çubriloviqi dhe Qosiqi. Që në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kur u pa se problemi i Kosovës do të bëhej i papërballueshëm për Serbinë, në fillim Çubriloviqi dhe më pas Qosiqi nxorën idenë e “çkufizimit përfundimtar” të serbëve dhe shqiptarëve, përmes ndarjes së Kosovës. Idenë e ndarjes Qosiqi e ripërsëriti disa herë edhe pas vitit 1999, duke nxjerrë në opinion argumente serbe për një zgjidhje të këtillë. Por, gjithsesi, në agjendën politike të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ndarja u fut pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (2008).

Që më 2011, duke parë se i ashtuquajturi “dialog teknik” me Serbinë mund të përfshinte edhe tema fondamentale për Kosovën, duke rrezikuar rendin e saj kushtetues, në mars të vitit 2011 në Parlamentin e Kosovës u miratua një platformë e qeverisë së Kosovës, me të cilën u përcaktua “korniza parimore” e dialogut, sipas të cilës u parashtruan të panegociueshme disa pika themelore: i) sovraniteti dhe integriteti territorial, ii) rregullimi i brendshëm i vendit dhe iii) Plani i Ahtisarit për komunitetet. Por, pas themelimit të Gjykatës Speciale më 1 shtator 2016 dhe pas përfshirjes në mandatin e saj të krimeve të supozuara gjatë periudhës së Qeverisë së Përkohshme, në dialogun me Serbinë dhe në raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare u krijua një rrethanë krejtësisht ndryshe: në biseda joformale dhe në kuluaret diplomatike u fut në agjendë opsioni i ndarjes së Kosovës.

Pasi u kuptua se ish-liderët e UÇK-së mund të ishin objekt i Gjykatës Speciale, u intensifikuan edhe ecejaket e emisarëve “diplomatikë”, të cilët filluan të lëviznin me shpejtësi në prapaskenat e qendrave politike vendimmarrëse, pothuajse në të gjitha shtetet që mund të kishin ndikim në këtë zhvillim. Disa kancelari diplomatike perëndimore këtë rrethanë e panë si “mundësi të artë” për një zgjidhje të shpejtë të “çështjes së Kosovës”, kështu që në prapaskena i dhanë mbështetje kësaj ideje, duke përdorur një frazë të këtillë: nëse palët pajtohen për një zgjidhje qoftë edhe përmes ndarjes, ne nuk kemi arsye të mos e mbështesim atë. Por, siç do të shihet më vonë, situata në terren brenda vetë Kosovës nuk ishte aspak e tillë: opinionin publik mbeti pothuajse unik kundër ndarjes së Kosovës. Më anë tjetër, mbështetja që mori nga disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut se do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë dhe duke mos e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me një agjendë të këtillë nuk do të rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në Maqedoninë e Veriut.

Kontaktet intensive dhe komunikimi i vazhdueshëm në trajektoren Tiranë-Prishtinë-Beograd, herë të fshehta dhe herë publike, si dhe përpjekja për të bindur opinionin e Kosovës dhe të Serbisë me këtë opsion, nxorën në publik ide kontradiktore, por edhe projekte konkrete, që filluan të qarkullonin edhe në media dhe opinion. Krahas lobimit të fuqishëm nga eksponentët e politikës në Prishtinë, Tiranë dhe Beograd, në hartimin e këtyre projekteve, me harta dhe përshkrime të gjera sesi mund të realizohej kjo ndarje, u morën edhe lobistë dhe donatorë me emër, të gjithë të mbledhur rreth idesë së mjegullt se po ndodhte tashmë një ndryshim i madh i klimës politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por, nga të gjithë skeptikët e një “përmbysjeje” të këtillë, më së shumti mosbesues ishin kosovarët, të cilët i kuptuan dy gjëra: e para, se ndarja e Kosovës dhe bashkëngjitja e veriut të saj Serbisë nuk do të kompensohej me Luginën e Preshevës; dhe, e dyta, se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë me ndihmën dhe miratimin e Serbisë, ishte një floskulë politike manipuluese, pa asnjë bazë reale.

GJYKATA SPECIALE NË HAGË

Shumica e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe mediet, janë gjetur nën një presion të madh për t’u distancuar nga Gjykata Speciale dhe për ta cilësuar atë si antishqiptare dhe antikosovare. Vetë Gjykata Speciale kishte shumë kontradikta brenda saj dhe jepte argumente të mjaftueshme për të ngritur dilema, nëse një gjykatë e tillë duhej t’ia vendoste Kosovës “gurin rreth qafe”, sepse krimet serbe në Kosovë, së paku përpjesëtimisht për nga viktimat, kishin qenë dhjetëfish më të mëdha. Të rrallë mund të ishin kosovarët që mund ta perceptonin “si funksionim adekuat i drejtësisë ndërkombëtare” themelimin e një gjykate të këtillë, e cila i barazonte krimet serbe (13 mijë të vrarë, rreth njëmijë fëmijë; mbi një mijë të zhdukur, kryesisht kufoma të bartura nëpër Serbi; numër i paditur i grave të dhunuara; spastrimi etnik me dëbimin e gjysmës së popullsisë së Kosovës; një pasuri e paçmuar e shkatërruar në sektorin publik dhe privat etj.) me dëmet kolaterale të palës tjetër. Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare me Gjykatën Speciale donte të jepte një mesazh të qartë se lufta në Kosovë kishte qenë një konflikt ndëretnik dhe se palët ndërluftuese kishin bërë krime mbi njëra-tjetrën. Madje, kur u pa se krimet e UÇK-së gjatë viteve të luftës 1998-99 nuk kishin qenë “të mjaftueshme” për të ngritur një gjykatë të këtillë, themeluesit dhe sponsorizuesit e Gjykatës Speciale e zgjeruan juridiksionin e saj edhe në periudhën e Qeverisë së Përkohshme (qershor-dhjetor 1999).

Askush në Kosovë nuk e kontestoi faktin se krimet e kryera, kurdo që kishin ndodhur ato dhe me çfarëdo motivi, nuk mund të mbeteshin pa u ndëshkuar, sikundër që nuk e kontestoi as faktin se sistemi i drejtësisë në Kosovë ishte jashtëzakonisht i brishtë dhe se kishte dështuar të sillte para drejtësisë kryes të ndryshëm të veprave penale, veçmas ato me motive politike dhe nga marrëdhëniet me komunitetet. Sistemi i drejtësisë që u vendos nga UNMIK-u, në bashkëpunim me KFOR-in, hetoi shumë krime, por ishin të rralla rastet që u proceduan në gjykata, me përjashtim të disa rasteve sporadike, të cilat tashmë kishin arritur të dëshmoheshin. As Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk u shqua për ndonjë ndihmë të madhe në ngritjen dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Të dy këto misione u ballafaquan me afera të brendshme dhe me korrupsion permanent, i cili vinte nga vendorët, por që i përfshiu pa përjashtim të gjithë pjesëtarët e misioneve, qofshin hetues, prokurorë ose gjyqtarë. Duket se këto misione vetëm në një pikë kishin sukses më të dukshëm: bashkëpunuan intensivisht me gjykatat serbe, për të mbledhur dëshmi kundër krerëve të UÇK-së, shpesh duke manipuluar provat dhe duke i përdorur politikisht ato.

Megjithatë, sido që të ishte sistemi gjyqësor i Kosovës dhe pavarësisht nga fakti se në mënyrë jo të drejtë u vendos një shenjë barazimi midis agresorit (Serbisë) dhe viktimës (Kosovës), në periudhën e luftës dhe menjëherë pas saj u kryen krime, disa prej të cilave mund të kualifikoheshin si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, vetëm se një pjesë e mirë e krimeve të kësaj natyre u kryen jo vetëm si hakmarrje ndaj serbëve lokalë, por edhe ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë. Po ashtu, tashmë është krijuar bindja se Gjykata Speciale, e themeluar nën trysninë e faktorit ndërkombëtar, as do të formohej dhe as do të niste nga puna, jo vetëm sikur të ishte ngritur një sistem i qëndrueshëm gjyqësor në Kosovë, por edhe sikur nomenklatura politike e Kosovës, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e UÇK-së, të mos uzurponte pushtetin dhe institucionet vendore. Më anë tjetër, ish-krerët e UÇK-së u përpoqën disa herë ta zhbënin Gjykatën Speciale, synuan të përdornin fuqinë e tyre të votës në Parlament dhe, mbi të gjitha, të nxitnin opinionin publik kundër Gjykatës, duke u mbështetur te ndjeshmëria e popullit të Kosovës ndaj vlerave të UÇK-së dhe luftës për liri.

PËRFUNDIM

Perëndimi do të duhej të formulonte një strategji më të qartë në raport me Serbinë, me synimet e saj destabilizuese dhe për aleancat e saj me Rusinë dhe Kinën. Ekziston një bindje e Perëndimit se Serbia gjendet nën një trysni të vazhdueshme të Rusisë dhe të forcave të brendshme proruse, por në të vërtetë kjo është një strategji e Serbisë, e mësuar që nga koha e Titos, për të luajtur një lojë “të ndërmjetme”: për të përfituar nga Perëndimi, kurse për të bërë politika destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, në dobi të nacionalizmit të vet dhe të Rusisë. Është gjithashtu e qartë se nacionalizmi serb, krahas synimeve destabilizuese të rajonit dhe pretendimeve të qarta territoriale, përdoret si mjet për sundimin e vendit nga një strukture të caktuar politike.

Në këtë rrethanë, një zgjidhje e përshtatshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të konsiderohet afrimi i shteteve të veçanta me BE-në, siç është rasti i Kroacisë, ku Serbia bëri shumë tentativa destabilizuese, derisa ajo u përfshi në BE dhe NATO, së fundi për të hequr dorë nga ideja që Kroacia të përfshihet në projektet e saj nacionaliste, me përjashtim të ndarjes së Bosnjës. Më anë tjetër, qëllimi i Rusisë është i qartë, që përmes destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me anë të Serbisë, t’i japë goditje BE-së dhe NATO-s. Sa herë që marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin ashpërsohen, marrëdhëniet e Rusisë me Serbisë përmirësohen. Mediet e Serbisë, të gjitha pa përjashtim, mbështesin politika pro-ruse dhe anti-perëndimore.

Një rol destabilizues të Serbisë në rajon e mbështet edhe Kina. Serbia i bën koncesione ekonomike Kinës dhe në nivel propagande investimet kineze i stërmadhohen. Gjithashtu, Kina përpiqet që Serbinë ta shfrytëzojë si bazë për aktivitetet ekonomike dhe politike, për t’u futur në tregun evropian, në një kohë që një lidhje mes Serbisë dhe Kinës intensifikohet edhe përmes paraleles Kosovë-Hong Kong dhe Tajvan. Në këtë pikë qëllimet destabilizuese të Kinës dhe të Serbisë janë kompatibile.

Që nga rënia e Millosheviqit në vitin 2000, aleatët perëndimorë (BE, NATO dhe SHBA) kanë bërë vlerësime krejtësisht të gabuara për hapat e Serbisë drejt Perëndimit, duke sforcuar bashkëpunimin me Serbinë dhe duke e ndihmuar në të gjitha format procesin e saj integrues në BE. Edhe përkundër faktit që Serbia e bllokon Kosovën në të gjitha nismat rajonale, Serbia është mbështetur fuqimisht si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Aleatët perëndimorë haptas ose heshtas i kanë mbështetur të gjitha nismat rajonale të Serbisë, përfshirë edhe “mini-Shengenin” dhe “Ballkanin e hapur”, ndonëse të gjithë e dinë se qëllimet e Serbisë kanë pasur dhe kanë tjetër prapavijë dhe synime nga ato që paraqiten në opinion. Reagimet e BE-së dhe të SHBA-së për synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë, në Bosnjë dhe në Mal të Zi kanë qenë jashtëzakonisht të buta, joproporcionale me rrezikun që paraqet ky trend i rrënimit të demokracive të brishta ballkanike.

Duke parë këtë situatë të moskoordinimit të bashkësisë ndërkombëtare rreth tendencave të hapura të revizionizmit në politikat e Serbisë ndaj rajonit të Ballkanit, pikërisht në këtë situatë elitat politike në Serbi kanë dalë me idenë e “botës serbe”. Në një rrethanë të këtillë, Ballkani Perëndimor pothuajse ka mbetur pa një përkrahje më të fuqishme nga SHBA, kurs BE-ja edhe vetë përballet me djathtizmin nacionalist në disa shtete anëtare.

Është koha e fundit që faktorët e sigurisë, siç është NATO-ja, BE-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe shtetet e veçanta, siç është SHBA-ja, të cilat ende vazhdojnë të mendojnë se duke e mbajtur Serbinë në “gjendje bashkëpunimi” mund të ushtrojnë ndikim pozitiv në politikat e saj të brendshme dhe të jashtme, duhet të njohin më për së afërmi kapacitetet destabilizuese të Serbisë në rajon, në Kosovë në mënyrë të veçantë.

Është joproduktive dhe politikisht e gabuar që Kosovës t’i bëhet trysni ndërkombëtare për të arritur marrëveshje të dëmshme me Serbinë, duke kërkuar prej saj të relativizojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe të defaktorizohet politikisht në planin e jashtëm, si dhe të bëhet shtet jofunksional në planin e brendshëm. Gjatë dialogut, BE-ja dhe SHBA duhet t’i bëjnë presion Serbisë që të kuptojë se raportet me Kosovën duhet t’i zgjidhë pa mbështetjen te Rusia dhe Kina dhe pa u thirrur te miti serb i Kosovës. Në dialogun Kosovë-Serbi, BE-ja të mos mbajë anën e Serbisë, duke kërkuar vazhdimisht që Kosova të bëjë “kompromise të dhembshme”, formulim ky që shkon në favor të Serbisë, e cila zgjidhjen e çështjes së Kosovës e sheh si “kompromis midis pavarësisë dhe Kosovës si krahinë e Serbisë”.

Duke qenë se Serbia është identifikuar tashmë si faktor destabilizimi në rajon, përfshirë edhe Kosovën, përmes mekanizmave ndërkombëtarë duhet të bëhet trysni mbi politikat e saj dhe mbi bartësit kryesorë të këtyre politikave, me kërcënime serioze për sanksione ekonomike, për suspendim të partneritetit me NATO-n dhe duke pezulluar bisedimet për integrime në BE. Gjithashtu do të duhej të avancohej procesi i integrimit të rajonit në BE, veçmas i Kosovës, sepse mbajtja e Kosovës dhe e rajonit jashtë procesit të integrimeve shkon në favor të forcave nacionaliste në Serbi dhe të politikave të saj shtetërore të “aleancave asimetrike” rajonale, duke nxitur destabilizimin, në një rivalitet të hapur me politikat euro-antalntike dhe integrimet europiane. Një perspektivë më e qartë e Kosovës drejt NATO-s, si strukturë themelore e sigurisë edhe në Ballkanit Perëndimor, do ta zmbrapste Serbinë nga synimet e saj të vazhdueshme për ta destabilizuar Kosovën dhe do të reflektonte pozitivisht në stabilitetin politik të mbarë rajonit.

(24 janar 2022)