Szunyog: BE-ja pret nga Kosova angazhim konstruktiv për deeskalimin e situatës në veri

Prishtinë, 26 korrik 2023 – Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se BE-ja nuk do t’I heqë masat që ia ka vënë Kosovës derisa t’i përmbushë kërkesat për shtensionimin e situatës në pjesën veriore. Madje, ka paralajmëruar se Kosova do të ketë pasoja negative, në qoftë se nuk përmbushen kërkesat e BE-së.

“Kjo është për neve politikë e përbashkët e BE-së dhe e çdo shteti anëtar të BE-së. E përsëris, ky qëndrim i datës 3 qershor është mjaft i qartë. Ka kërkesa dhe pritje të caktuara. Ky është një qëndrim ku thuhet qartë se do të ketë pasoja negative, nëse këto kërkesa dhe pritje nuk respektohen. Ne vazhdojmë të udhëhiqemi nga ky qëndrim”, ka thënë Szunyog.

“E përsëris, ne nuk vendosim sanksione, por nëse e keni fjalën për masa. Pozicioni ynë, i konfirmuar nga shtetet anëtare dhe nga Këshilli i Evropës më 3 qershor, mbetet i njëjtë. Qëndrimi i 3 qershorit është ai që i udhëheq politikat tona. Mendoj se një qëndrim tejet i qartë është dhënë edhe nga EULEX-i dhe ne e mbështesim EULEX-in plotësisht”, ka shtruar ai.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë e ka përsëritur këtë qëndrim të mërkurën, pas takimit që ka  zhvilluar me anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Në një postim në Tëitter, ai ka shkruar se masat e BE-së janë të të përkohshme dhe të kthyeshme, por nevojitet një angazhim konstruktiv i Kosovës për shtndosjen e situatës në veri.

“Patëm një shkëmbim të mirë me Komisionin për Punë të Jashtme për zhvillimet e fundit dhe situatën në veri. I shpjegova se masat e BE-së janë të përkohshme dhe të kthyeshme, por nevojitet një angazhim konstruktiv për të përmbushur de-eskalimin, siç kërkohet në deklaratën e BE-së të 3 qershorit”, ka shkruar Szunyog.

(r.m.)