Prishtinë, 9 maj 2022 – Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se ardhmja e Kosovës është në BE duke theksuar se Kosova nuk ka alternativë tjetër.
“Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare. Përkundër çfarëdolloj sfidë, solidariteti i BE-së nuk do të zvogëlohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt për Kosovën, siç është tani”, ka thënë Szunyog, në një deklaratë me rastin e Ditës së Evropës.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve shtetëre të Kosovës që të punojnë me përkushtim që Kosova të bëjë progress në rrugën e saj të integrimeve evropiane.
“Sundimi i ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme demokratike dhe së bashku me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duhet të mbetet prioritet për institucionet e Kosovës”, ka thënë Szunyog.
Ambasadori Szunyog ka thënë se gjithashtu se BE-ja nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Ai ka theksuar se agresioni rus ndaj Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet për integrimin e rajonit në BE.
(r.m.)