Prishtinë, 6 prill 2022 – Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha të mërkurën se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është hapi i parë i Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.
Ai i bëri këto komente gjatë një debati lidhur me luftën në Ukrainë, të organizuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare.
Zoti Szunyog tha se Bashkimi Evropian nuk është duke i trajtuar shtetet në rajon në mënyra të ndryshme por ruan një trajtim të njëjtë për të gjithë.
“Hapi i parë dhe kushti i domosdoshëm është që të keni një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, është thjesht kushti i parë dhe lloji i parë i derës që hapet për të hapur dyert tjera. Sa më shpejt që dialogu përmbyllet me marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjore e cila do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe do të kontribuojë në qëndrueshmërinë e rajonit, aq më shpejt Kosova mund të përparojë dhe të jetë në nivel me vendet e tjera të rajonit”, tha ai duke nënvizuar se askush nuk e ndalon Kosovën që të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por për këtë ka kushte.
“Pra, kur të aplikoni, i kalon një trupi punues dhe këshillit të ministrave dhe atje ju duhet një konsensus, kështu që duhet bërë në atë mënyrë që ju duhet ta siguroni këtë konsensus dhe për këtë hapi i parë është përfundimi i suksesshëm i dialogut”, tha ai.
Ai e vlerësoi të rëndësishme mbështetjen që Kosova po jep Ukrainës dhe bashkimit të saj më masat kundër Rusisë, ndërsa nënvizoi se Bashkimi Evropian pret që të gjitha vendet e rajonit të jenë në një linjë me masat e Brukselit zyrtar.
“Është shumë e qartë, Bashkimi Evropian pret që Serbia të jetë plotësisht në përputhje me të gjitha masat dhe politikat e BE-së, ashtu siç duhet të jenë të gjitha vendet e tjera në rajon. Është e qartë pritshmëria që duhet të jenë në përputhje, meqë ra fjala, nëse nuk jeni në një linjë 100 për qind, nuk mund të hyni në Bashkimin Evropian, është e thjesht kjo, ka pritshmëri që Serbia do të përshtatet 100 për qind me të gjitha masat”, tha ai.
Kryetari i Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, Haki Abazi tha se pas luftës në Ukrainë nuk do të jetë më asgjë e njëjtë.
“Asgjë, përfshirë edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është e qartë asgjë nuk do të jetë më e njëjtë. Dhe sa më shpejt që e kuptojmë që kjo luftë ka rrëzuar urat besoj që do të jetë më e qëndrueshme rruga se ku dëshirojmë të gjithë ne të jemi, Bashkimi Evropian, Ballkani Perëndimor dhe vlerat demokratike botërore”, tha ai duke kritikuar Bashkimin Evropian me kushtëzimin që i bën Kosovës për një marrëveshje me Serbinë.
“Është një armë e mbushur për Serbinë të thuhet se Kosova do të përparojë drejt BE-së dhe integrimit vetëm pasi të përfundojë procesi i normalizimit dhe të nënshkruhet marrëveshja gjithëpërfshirëse. Pse Serbia që refuzon fuqinë e madhe si Bashkimi Evropian t’i bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë, do të dëshiroj të shkarkoj atë armë të mbushur?,” tha ai duke theksuar se me këtë Serbia po luan strategji të dyfishtë.
“E kuptoj që Bashkimi Evropian dhe Bruskeli dëshiron që të mbajë shoqëri të ngushtë me një përfaqësues të Rusisë afër kufijve të saj por kjo nuk mund të ndodhë në kurriz të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, të jemi të qartë, nuk mund të ndodh as në kurriz të Malit të Zi që nuk po arrin të mbajë qëndrueshmërinë dhe as të Bosnjës. Mendoj që një qëndrim i qartë tani është shumë i domosdoshëm”, tha ai.
“Nga këndvështrimi im do të jetë më mirë nëse jemi në gjendje të integrojmë të gjithë rajonin, përfshirë Serbinë, e cila është në përputhje 100 për qind jo vetëm me llojin e masave, politikave, por edhe me vlerat tona, sesa të kemi një lloj Serbie të izoluar dhe në linjë me Rusinë, mendoj se kjo nuk është një zgjidhje për një sërë arsyesh”, tha shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog.
Zoti Szunyog tha se perspektiva e Bashkimit Evropian është për tërë rajonin përfshirë edhe Serbinë, por për një Serbi që është në linjë 100 për qind me qëndrimet e Bashkimit Evropian.
(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)