Prishtinë, 29 tetor 2021 – Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka folur rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai ka thënë se e kupton frustrimin e kosovarëve për shkak të vështirësive të udhëtimit në Evropë.
“Personalisht nuk ndihem shumë rehat sepse vij nga një vend ish-Çekosllovakia, tash Republika Çeke që ende kishte ndalesë udhëtimi kështu që në moshën 23 vjeçare nuk mund të udhëtoja në Europën Perëndimore kështu që personalisht e kuptoj këtë frustrim shumë mirë”, ka thënë Szunyog në RTV Dukagjini.
Szunyog ka thënë se institucionet e Kosovës duhet t’i bindin 27 vendet e BE-së se duhet t’u liberalizohen vizat.
“Nga këndvështrimi i institucioneve europiane gjendja është kështu. Komisioni Europian ka vendosur në vitin 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se duhet të marrë liberalizimin e vizave. Nëse e shohim raportin në paragrafin e dytë thuhet se Komisioni Europian beson se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe se Këshilli i Ministrave duhet të vendosë me urgjencë. Megjithatë Këshilli i Ministrave është organ i veçantë që përbëhet nga shtetet anëtare dhe kryesohet nga presidenca e shteteve kështu që varet nga Këshilli i Ministrave që të dalë me vendim përfundimtar dhe shpresoj padyshim që kjo të bëhet shpejt, por sërish kjo varet nga mundësitë tona si institucione edhe si Kosovë edhe si qeveri e Kosovës që të bindim 27 vendet anëtare që ata të ndjehen rehat ta ndajnë këtë vendim”, ka thënë ai.
Szunyog i ka bërë thirrje Këshillit tëMinistrave të BE-së që të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Unë gjithmonë bëj thirrje që vendimi duhet të merret. Besoj se po e bëj më të mirën”, është shprehur ai.
(r.m.)