Tiranë, 4 nëntor 2022 – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u intervistua të premten në SPAK si person që ka dhënë informacion lidhur me aferën e ineceratorëve.
Pasi u mor në pyetje për rreth 2 orë e gjysmë, Tabaku u ndal në një prononcim për mediat.
“Unë që në 2018 kam denoncuar aferën e inceneratorëve në emër të PD. Kemi sjellë 3 kallëzime, për inceneratorin e Tiranës, Fierit dhe të Elbasanit. Solla 9 kallëzime të tjera. I pari ishte për raportin dhe 8 të tjerët ishin për individë që gjykojmë për aferën e inceneratorëve, Janë 500 të akuzuar që kanë dalë në këtë komision dhe mbi 150 fakte ose grup fakte që ja kemi vendosur SPAK. Sot isha për çështjen e inceneratorit të Fierit dhe të Tiranës. Informova për zhvillimet e komisioni hetimor, për sqarime dhe faktet. Që lidheshin për dëshmitë dhe materialet që kemi mbledhur gjatë punës pranë komisionit dhe me komunikimet që kam pasur. Kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me SPAK sa i përket hetimeve, duke kërkuar informacion se në çfarë ndodhen hetime, por dhe në statusin e personit që denoncova. Sot kam qenë në cilësinë e kallëzueset për Inceneratorin e Tiranës dhe të Fierit. Kam një listë dëshirash se kush duhet të vijë në SPAK. Sot si mora ata në pyetje, më kërkuan informacion. Shumë shpejt do të kemi të reja në fazën që ndodhen hetimet. Hetimi i aferës ka qenë një prioritet jo vetëm i punës time, por dhe hetimet kanë ecur në organin e akuzës.”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se secili ka një listë dëshirash nga pikëpamja e individëve të cilët duhet të ishin të thërritur, por kërkoi t’i jepet kohë që ata të flasin, politikë dhe jo politikë të përfshirë në këtë aferë.
“Unë kam dorëzuar 8 padi. Prokuroria është duke i hetuar ato sipas dosjeve të veçanta, sipas qyteteve. Afera e gjitha është ngritur jo vetëm në Tiranë, jo vetëm në Elbasan, apo në Fier, veprimet e tre inceneratorëve kanë krijuar një kosto shtesë në buxhetin e shtetit. E kam trajtuar të gjithë çështjen e plotë, 60 të akuzuar, 430 mln euro.
Në gjykimin tim duhet të trajtoheshin si një çështjes e vetme. Është një skemë e mirëfilltë kriminale dhe një grup i mirëfilltë kriminale.
Prokurorët ndoshta bëjnë mirë që janë kaq hermetikë dhe nuk japin informacion, është e drejtë që ka kaq interes të madh publik, por besoj se janë gjëra që iu takojnë atyre”, deklaroi ajo.
Tabaku foli edhe për personat e akuzuar.
“Sipas Kodit të Procedurës Penale, grupi i strukturuar kriminal është më shumë se 5 persona që kanë kryer disa vepra penale. Personat që kemi akuzuar janë: ministri GJiknuri, ministri Ahmetaj, z. Agaçi, kryetari i Bashkisë së Tiranë, kryetari i Bashkisë së Fierit, kryetarja e Bashkisë Durrës, Alqi Bllako dhe zyrtarë të nivelit të dytë e të tretë. Janë 60 persona të akuzuar në skemën e inceneratorëve. Ne e kemi përfshirë kryeministrin e Shqipërisë si personi që duhet të kishte dijeni për këtë grup dhe përgjegjësi kryesor për ne është qeveria shqiptare dhe të gjithë ata që janë përfshirë në vendimmarrje.
Dua ta inkurajoj SPAK-un që të lëvizë aty ku ka pushtet. Dua ta inkurajoj të vazhdojë punën e tij”, deklaroi ajo.
SPAK është duke kryer veprimet e fundit për inceneratorin e Elbasanit dhe brenda pak ditësh pritet që të dorëzojë dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Për këtë çështje janë të arrestuar disa persona, si ish-ministri Lefter Koka, për shpërdorim detyre, ndërsa në kërkim janë administratorët, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.
Për shkak se hetimet janë drejt fundit, prokuroria ka marrë në pyetje të gjithë denoncuesit, duke e nisur si fillim me zonjën Monika Kryemadhi, e cila dha sqarime para prokurorëve, dhe dorëzoi ato që i cilësoi prova të reja. Po ashtu u mor në pyetje dhe deputeti i PD, Gazmend Bardhi. Ndërkohë, Tabaku është e fundit në radhë nga njerëzit e politikës, që pritet të japë dëshminë dhe të konfirmojë kallëzimin e saj. Janë edhe dy inceneratorë në hetim, ai i Fierit dhe ai i Tiranës.
Më herët i arrestuar ishte dhe ish-deputeti Alqi Bllako, që ka mbajtur detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, ndërsa u lirua në masën ‘arrest shtëpie’. Kjo për arsye se ai kishte fëmijë të mitur dhe se duhej të kujdesej për ta, pasi bashkëshortja ishte me shërbime pune jashtë Tiranë. Ndërkohë, hetimet për inceneratorin e Tiranës, teksa po mbushen 3 vite, ende nuk ka një person nën hetim, apo të arrestuar për këtë çështje.
(BalkanWeb)