Taipei, 3 prill 2024 – Një tërmet me fuqi prej 7.2 shkallësh goditi Tajvanin herët të mërkurën, duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike dhe shembje të pjesshme të disa ndërtesave në lindje të ishullit. Të paktën nëntë persona humbën jetën dhe më shumë se 700 mbetën të plagosur.
Epiqendra e tërmetit ishte 25 kilometra larg bregut lindor të ishullit, me një thellësi prej 15.5 kilometrash. Administrata Qendrore Meteorologjike e Tajvanit tha se tërmeti shkaktoi ndryshime në nivelet e ujit në brigjet lindore dhe lëshoi një paralajmërim për cunami, i cili u tërhoq rreth orës 11 sipas kohës lokale.
Ky ishte tërmeti më i fortë që ka goditur ishullin në 25 vjet. Të paktën 26 ndërtesa janë shembur plotësisht ose pjesërisht në të gjithë Tajvanin.
Disa banorë të Tajvanit thanë të mërkurën se tërmeti ishte një nga më të fortët që ata kanë ndjerë në shumë vite.
Të dhënat e qeverisë flasin për 736 persona të plagosur dhe 77 që kanë mbetur të bllokuar. Tërmeti dhe pasgoditjet shkaktuan gjithashtu 24 rrëshqitje dheu dhe dëmtime në 35 rrugë, ura dhe tunele.
Tërmeti më i rëndë në Tajvan goditi më 21 shtator të vitit 1999, me një fuqi prej 7.7 shkallësh, duke lënë pas vetes 2,400 të vdekur, rreth 100 mijë të plagosur dhe duke shkatërruar mijëra ndërtesa.
(Zëri i Amerikës)