WORCESTER, MA – Veprimtaritë me karakter patriotik, kanë qënë në vëmëndje të vazhdueshme të Shoqatës “Kombi” me qendër në qytetin e Worcesterit , në shtetin e Massachuttses. Veprimtaria e fundit që ajo zhvilloi të shtunën e kaluar, i kushtohej 135 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Përfaqësuesit e saj , kishin gjetur një këndvështrim të veçantë për këtë veprimtari. Pas fjalës së rastit të kryetarit të Shoqatës, Artur Vrekaj, njeriut të përkushtuar për çështjen shqiptare, ftoi pjesëmarrësit të ndjekin një film dokumentar kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, realizim i Televizionit Shqiptar në Tiranë. Filmi na çonte në atmosferën e viteve 1878 -1881, kur zhvilloi veprimtarinë e saj kjo Lidhje. Ajo u themelua më 10 qershor 1878, nga personalitetet e shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të asaj periudhe , Ymer Prizreni, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Ali Pashë Gucia, Ahmet Koronica, Sulejman Vokshi, Iljaz pashë Dibra, Zija Prishtina, Mehmet Ali Vrioni, Mustafa pashë Vlora, Hasan pashë Tetova, Sheh Mustafa Tetova, Shuaip Spahia, Ali Ibra e mjaft të tjerë. Lidhja e Prizrenit , ngriti në këmbë e kundërshtoi me të gjitha mjetet vendimet e Kongresit famëkq të Berlinit , për coptimin e trojeve shqiptare, duke i denoncuar ato “ si një krim historik e moral ndaj shqiptarëve”. Ajo zhvilloi një luftë të pashëmbullt me armë dhe mjete diplomatike, për mbrojtjen e tërësisë teritoriale të Shqipërisë dhe bashkimin e trojeve të saj në një shtet të vetëm kombëtar. Vendosmëria dhe heroizmi me të cilët Lidhja dhe forcat e saj vullnetare mbrojtën viset shqiptare , Plavën , Gucinë, Hotin , Grudën e Ulqinin në veri të Shqipërisë dhe Çamërinë në jugë të saj, tronditën sundimtarët osmanë dhe Fuqitë e Mëdha, që u detyruan të ndryshonin disa herë vendimet e forumeve të tyre për kufijt e Shqipërisë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, përpunoi një platformë politike përparimtare e demokratike, që parashikonte çlirimin e shqiptarëve nga robëria osmane , nëpërmjet formimit të një shteti të bashkuar kombëtar, që do të ishte një dhe i pandarë. Pas tre vjet qëndrese, forcat turke të udhëhequra nga Dervish Pasha,më 10 prill 1881, hynë në Prizren dhe shtypën Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Shumë nga drejtuesit e Lidhjes, si Abdyl e Naim Frashëri, Haxhi Ymer Prizreni, Zejnelabedin Efendiu dhe Shuaip Aga, u arestuan.Shumë troje shqiptare i mori Mali I Zi. Kështu u shua Lidhja Shqiptare e Prizrenit por jehona e saj vazhdon deri në ditët tona.
Një moment tjetër i programit, ishte paraqitja e disa hartave të vjetra të Ballkanit e Europës, ku dalloheshin qartë kufijt e Shqipërisë , pa u cunguar. Këto harta i ishin dhënë Shoqatës “Kombi” nga Instituti i Historisë në Prishtinë. Dalip Karameta, banues në Worcester por me origjinë nga Dibra e Madhe, recitoi disa vjersha të thurura nga populli, të cilat i kushtoheshin Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Të kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve në Masssachuttses, edhe kësaj here nuk munguan bashkëshortët kosovarë, Rita e Adem Saliu. Rita, bijë e Prizrenit dhe me shtëpi pranë kësaj godine, recitoi një poezi të saj ,kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, marrë nga vëllimi poetik, “Ecje vertikalisht nëpër oqean”. Ja disa vargje të saj:…”Ti gjithmon Loke Madhe e unë fëmijë/që laj fytyrën me lot gëzimi/sa herë kthehem tek ti/ bekim e uratë për ty/ kështjella jonë e shenjtë/ që na ruan emrin e shekujve….”.
Takimi vazhdoi si rreth një sofre familjare, ku pjesëmarrës të ndryshëm shprehën mendimet e tyre. Kostandin Moskua, me origjinë nga Selcka e Gjirokastrës, por që prej vitesh jeton në Boston, agronom nga profesioni por i përkushtuar pas çështjes kombëtare, tregoi për kontributin e dy figurave të shquara më origjinë nga fshati i tij, Pandeli e Koto Sotiri. Në ato vite ata ushtronin veprimtarinë e tyre patriotike në Turqi, në përbërje të” Shoqërisë së Stambollit” dhe ishin mbështetës të fuqishëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Jehona e Lidhjes, bëri që të hapet edhe Shkolla e Parë Shqipe në Korçë, ku drejtor i parë i saj, ishte Pandeli Sotiri, tha Kostandini.
Bisedën e vazhdoi kosovari , Adem Saliu. Vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishin të një rëndësie të veçantë, theksoi ai. Ajo u ngrit mbi dasitë fetare dhe krahinore, bashkoi nën drejtimin e saj gjithë shqiptarët dhe krijoi një untet të vërtetë politik e kombëtar, për mbrojtjen e tërësisë së Atdheut dhe çlirimin e tij. Një “copëz”historie për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, tregoi edhe Ilir Maçi, nën kryetar i Shoqatës “Kombi”, veprimtar aktiv i saj, me origjinë nga Gjakova.-Historia që do tregoj, ka lidhje me vëllanë e stërgjyshit tim, i quajtur Avdyl Maçi. Kam dëgjuar nga të parët e mij se Avdyli ka qënë prezent kur është rrethuar kulla e gjakovarit, Avdull pashë Drenit, ku ishte strehuar ushtaraku i lartë turk, Manxhar Pasha. Forcat kryengritëse i kërkuan Avdullait të dorëzonte Manxhar Pashën. Ai nuk pranoi ta dorëzojë , pasi ushtaraku turk kishte trokitur në derën e tij. Tradita e besës, nuk e lejonte atë ta dorëzonte. Atëhere trupat kyengritëse mes të cilëve edh Avdyl Maçi, e rrethuan kullën dhe vranë Abdulla pashë Drenin e Manxhar Pashën.
Pas kuvendimi , pjesëmarrësit panë librat historikë , dhuruar Shoqatës “Kombi”nga Ministria e Diasporës së Kosovës. Këto libra të cilat bëjnë fjalë për Lidhjen Sqiptare të Prizrenit s dhe historinë e Kosovës, janë botime ë Akademisë se Shkencave dhe Institutit të Historisë së Kosovës, ja kërkuam ministrit të Diasporës, zotit Ibrahim Makolli dhe ai i dërgoi ,theksoi Artur Vrekaj.
Në mbyllje të këtyre rradhëve, deshëm të theksonim se në këtë veprimtari të rëndësishme kushtuar 135 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndodheshin pak pjesëmarrës. Shoqatat e shqiptarëve në Massachusetts dhe qytetet e tjerë të Amerikës, janë të shumta por fatkeqësisht bashkëpunimi mes tyre, le për të dëshiruar. Mendoj se i mundon mania për të qënë të gjithë të pare, “sëmundje “ e ardhur nga Shqipëria e Kosova.