Takimi i radhës Kurti – Vuçiq pritet të mbahet më 22 prill, në Bruksel

Bruksel, 4 prill 2023 – Të martën pasdite, në Bruksel, u mbajt një takimi kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e emisarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas takimit, Bislimi ka thënë se palët janë pajtur që takimi i radhës në nivelin e lartë të zhvillohet më 22 prill, por ka shtuar se kjo mund të mos ndodhë për shkak të mungesës së gatishmërisë së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Kjo nuk është edhe aq e sigurt, pasi që ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të vijë në këtë datë, kështu që mbett të shqyrtohet një datë alternative”, ka thënë Bislimi.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se në takimin e sotëm është arritur pajtim për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur.

Ai ka thënë se teksti i deklaratës do të miratohet zyrtarisht në takimin e radhës.

Sipas Petkoviqit, në tekstin e deklaratës nuk është përfshirë termi “zhdukje e dhunshme” që do të kishte konsekuenca për Serbinë.

“… kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”, thënë Petkoviq.

Bislimi ka thënë se në takimin e sotëm është diskutuar edhe për cështjen riregjistrimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia.

“Kemi raportuar që deri në fillim të marsit ka pasur një zhvillim të mirë, por pas kërcënimeve dhe djegieve të veturave, nuk ka pasur vetura të regjistruara”, ka thënë ai.

Ndërsa Petkoviq, duke folur për këtë temë, ka thënë se Kosova e ka refuzuar një propozim të Serbisë, të cilin ai e ka quajtur si “konstukriv’.

“Ne dolëm me propozime konstruktive, Prishtina tani për tani ka refuzuar. Gjëja më e rëndësishme është të insistojmë në mënyrë paqësore”, ka thënë ai.

Petkoviq ka thënë se në takim e shtruar edhe çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më saktë për hartimin e statutit të Asociacionit.

“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit, në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, shtoi Petkoviq.

Sipas tij, në takim  është diskutuar edhe për çështje të energjisë dhe është rënë dakord që me KEDS-in të bisedohet për shërbimet e distribucionit.

Para këtij takimi, Lajçak kishte takuar ndarazi përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë. Pas takimeve, ai kishte paralajmëruar se në takimin e përbashkët do të diskutohej për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve dhe “për çështjet aktuale urgjente”.

Takimi i sotëm i Bislimit e Petkoviqit ishte i pari pas takimit të Ohrit, ku Kurti e Vuçiqi u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Më herët Lajçak ishte takuar edhe me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet.

Në një shkrim në Twitter, Chollet ka thënë se gjatë takimit është biseduar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Pos kësaj, ai përmendi përkushtimin e SHBA-së në mbështetjen e Ballkanit Perëndimor për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Pata kënaqësinë të bisedoj me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, për mbështetjen tonë të fortë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përkushtimin e përbashkët për të mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE”, shkroi Chollet.

(r.m.)