Takimi Kurti – Vuçiq do të mbahet më 15 qershor, në Bruksel

Bruksel, 9 qershor 2021 -Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën se takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet më 15 qershor, në Bruksel.

Ky takim, i cili do të jetë takimi i parë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiq, zhvillohet në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Takimi Kurti – Vuçiq zhvillohet në një klimë të rënduar nga deklaratat kundërthënëse të këtyre dy akterëve lidhur me temat që pritet të diskutohen në Bruksel. 

Vuçiq ka bërë të qartë se njëprej synimeve kryesore të Serbisë është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që do të kishte pavarësi të konsiderueshme nga Prishtina.

Por, Kurti e ka përjashtuar mundësinë e krijimit të Asociacionit  sipas masës serbe. Ai e ka përjashtuar edhe krijimin e një asociacioni në baza etnike.

“Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion njëetnik. Pra, është e domosdoshme që t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, dhe të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndajnë dhe i përçajnë ata”, ka thënë Kurti.

Vuçiq ka reaguar ashpër ndaj kësaj deklarate. Ai ka thënë se Kurti as nuk ka pse shkon në Bruksel, nëse kundërshton  të bisedojë për këtë temë.

“Nëse nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë (në Bruksel)”, është shprehur Vuçiq.

Diplomatët perëndimorë janë vënë në lëvizje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve, me shpresë se një marrëveshje midis dy vendeve mund të arrihet para vitit të ardhshëm, kur në Serbi mbahen zgjedhjet parlamentare e presidenciale.

Javën e kaluar, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, qëndruan në Prishtinë dhe në Beograd, në kuadër të përgatitjeve për rifillimin bisedimeve ndërmjet palëve.

Të dy diplomatët ritheksuan se rruga e integrimeve evropiane të Kosovës dhe Serbisë varet nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre. Zoti Palmer përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se bazë përmarrëveshje midis dyshteteve duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë lehtësohen nga Bashkimi Evropian. Liderët shtetërorë e politikë të Kosovës kanë kërkuar pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces. Madje, kanë kërkuar që administrate e Presidentit Joe Biden të emërojë një përfaqësues special në bisedime.

Por, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, ka thënë se Uashingtoni dhe Brukseli janë në një linjë sa i përket bisedimeve dhe marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës e Serbisë. Palmer ka thënë se ai do të bashkëpunojë ngushtë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, duke lënë të kuptohet se ai do të jetë i ngarkuari i administratës amerikane për këtë temë.   

(r.m.)