Uashington, 23 shkurt 2022 – Shanset për një zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë u ngushtuan pasi Shtetet e Bashkuara thanë se një takim midis Presidentit, Joe Biden dhe Presidentit rus, Vladimir Putin nuk do të jetë i mundur pas agresioneve të fundit të Moskës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve më 22 shkurt se një takim i propozuar i dy liderëve është jashtë tavolinës për momentin pas vendimit të Putinit për të njohur dy rajone separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura dhe për të dërguar trupa atje.
Psaki nuk e përjashtoi një takim eventual të të dyve, por ajo tha se Biden nuk do të takohej me presidentin rus nëse Rusia nuk shtensionon situatën në Ukrainë duke tërhequr trupat e saj.
“Ne kurrë nuk do ta mbyllim plotësisht derën e diplomacisë,” u tha ajo gazetarëve.
Megjithatë, ajo shtoi se “diplomacia nuk mund të ketë sukses nëse Rusia nuk ndryshon kursin”.
Kjo erdhi disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se kishte anuluar një takim me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov që ishte planifikuar të mbahej në fund të kësaj jave.
“Tani që ne shohim se pushtimi po fillon dhe Rusia e ka bërë të qartë refuzimin e saj të plotë të diplomacisë, nuk ka kuptim të vazhdohet me atë takim në këtë moment,” tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Pavarësisht veprimeve të tij kundër Ukrainës, Putin më 23 shkurt tha se vendi i tij ishte ende gati të kërkonte “zgjidhje diplomatike” për krizën, por ai shtoi se interesat e Rusisë nuk ishin të negociueshme.
“Interesat e Rusisë, siguria e qytetarëve tanë , janë të panegociueshme për ne,” tha Putin në një fjalim.
Më shumë vende perëndimore vendosën sanksione ndaj Rusisë, pas Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë në përpjekje për të ndëshkuar Moskën për veprimet e saj në Ukrainë.
Më 21 shkurt, Putin nënshkroi dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste, Luhansk dhe Donjeck.
Dy republikat e vetëshpallura popullore kontrollohen nga separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë kundër forcave ukrainase qysh në vitin 2014.
Putin i urdhëroi trupat ruse që të kryejnë, siç tha ai, “funksione paqeruajtëse” në të dyja rajonet.
Kriza aktuale ka nisur në fund të vitit të kaluar, kur Rusia ka filluar të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën.
Rusia, prej kohësh, ka kundërshtuar lëvizjen e Ukrainës drejt institucioneve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.
Ajo ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes. SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesën ruse, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.
Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por ajo ka qenë “vend partner” i saj qysh më 2008 – vitin kur ka aplikuar për Planin e Veprimit për Anëtarësim. Kjo do të thotë se asaj mund t’i lejohet anëtarësimi në aleancë në të ardhmen.
Putin tha më 21 shkurt se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të paraqiste rrezik për sigurinë ruse.
(REL)