Takohet grupi punues për targat, Lajçak inkurajon palët të gjejnë zgjidhje të përhershme

Bruksel, 18 nëntor 2021 – Në Bruksel, sot është zhvillar takimi i dytë i grupit punues për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një shkrim në Twitter, Lajçak tha se gjatë takimit, të dyja palët patën angazhim konstruktiv në këtë drejtim.

Tutje inkurajoi gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme sa i përket çështjes së targave.

“Delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel. Ky takim është i dytë i Grupit Punues për Targat. Delegacionet u angazhuan në mënyrë konstruktive dhe vazhduan shkëmbimin e mendimeve. I inkurajoj që të gjejnë një zgjidhje të përhershme për hir të qytetarëve të tyre”, shkroi Lajçak.

Ndryshe, më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia.

Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do të formojnë një grup punues, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes.

(Telegrafi.com)