Talat Xhaferi i fyen punonjësit e Kuvendit, opozita kërkon dorëheqjen e tij

Shkup, 13 maj 2022 – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka fyer punonjësit e shërbimit të Kuvendit me fjalë të rënda brenda sallës së Kuvendit.

Pas përfundimit të seancës së Kuvendit, më 12 maj, Xhaferi i ka sharë, ofenduar e kërcënuar punonjësit, duke shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me angazhimin e tyre.

Të gjitha këto janë transmetuar nga kanali i Kuvendit.

Nga kabineti i Xhaferit nuk është komentuar ky rast, i cili ka shkakuar reagime të shumta. Këtë nuk e kakomentuar as kryeministri Dimitar Kovaçevski, me arsyetim se nuk e ka pare video-regjistrimin.

“Unë e kam parë atë video, por bëhet fjalë për një bisedë, në të cilën nuk shihet as kush po flet, e as me kë po flet. Për këtë arsye nuk mund të komentoj nëse kryetari i Kuvendit po flet me dikë në sallë a me ndonjë punonjës ose jo”, ka deklaruar Kovaçevski.

Por, VMRO DPMNE-ja opozitare e ka cilësuar kësi akt “skandaloz dhe të turpshëm”, ndërsa ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Xhaferit nga pozita e kryetarit të Kuvendit.

“Nuk ka asnjë justifikim për një akt kaq të ulët, kurse tani është çështje nëse të gjithë partnerët e koalicionit të qeverisë kriminale e mbështesin dhe e lënë pa e dënuar këtë sjellje primitive të despotit nga Forina (fshati i Xhaferit)”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët tha se sjellja e kryeparlamentarit Xhaferi  “e reflekton sjelljen e ulët të BDI-së, jo vetëm me funksionarët e sa,j por me të gjithë shqiptarët”.

Kjo parti vlerëson se Talat Xhaferi ka manifestuar sjellje tipike e diktaturës.

“Ka kohë që jo vetëm Xhaferi, por edhe funksionarë të tjerë të BDI-së, në të njëjtën mënyrë i trajtojnë nëpunësit dhe qytetarët, e shpeshherë tentojnë t’i trajtojnë njësoj edhe deputetët. Kjo është sjellje tipike e një regjimi, një diktature, e cila funksionon vetëm me frikë dhe kërcënime”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut është bllokuar që nga 11 maji nga VMRO DPMNE-ja, e cila po i përdor të gjitha mjetet për të pamundësuar mbarëvajtjen e seancave. Kjo parti po reagon në këtë mënyrë për shkak se Kovaçevski e refuzoi kërkesën e VMRO DPMNE-së për fillimin e bisedimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

(r.m.)