Talibanët shpallin Qeverinë e re të Afganistanit

Kabul, 7 shtator 2021 – Talibanët njoftuan se kanë krijuar Qeverinë e re t Afganistanit, e cila do të udhëhiqet nga njëri prej themeluesve të tyre.

Zëdhënësi i grupit, Zabihullah Mujahid, tha se në krye të Qeverisë do të jetë Mullah Mohammad Hassan Akhund, ndërsa zëvendës i tij Mullah Abdul Ghani Baradar.

Ndërkaq, Mawlawi Haibatullah Akhundzada do të jetë udhëheqës suprem.

Talibanët kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të Afganistanit më 15 gusht. 

Një ditë më herët, ata thanë se kanë marrë nën kontroll edhe provincën Panjshir – zonën e fundit që kontrollohej nga forcat e rezistencës.

Këto të fundit, megjithatë, i hodhën poshtë pretendimet e tilla dhe thanë se luftimet vazhdojnë.

Mujahid i përshkroi emërimet e reja si udhëheqës “në detyrë” dhe tha se mund të ketë ndryshime në të ardhmen.

“Ne e dimë që njerëzit e vendit tonë kanë qenë në pritje të një Qeverie të re”, tha Mujahid, duke shtuar se “grupi u është përgjigjur nevojave të njerëzve”.

Një zëdhënës tjetër i talibanëve, Ahmadullah Masiq, konfirmoi për BBC-në se Afganistani duhet të njihet si “Emirati Islamik i Afganistanit” – titull që grupi ka përdorur gjatë sundimit të tij në periudhën 1996-2001.

Akhund, i cili pritet të udhëheqë punët e përditshme të regjimit të ri – diçka e ngjashme me rolin e kryeministrit – është në listën e terrorizmit të Kombeve të Bashkuara qysh në vitin 2001.

Akhundzada, si udhëheqës suprem, do të ketë fjalën e fundit në çështjet politike, fetare dhe ushtarake.

Emërimet e tjera përfshijnë Mawlawi Amir Khan Mutaqqin si ministër i Jashtëm dhe

Mullah Mohammad Yaqoobin si ministër i Mbrojtjes.

Sarajuddin Haqqani, i cili u emërua ministër i Brendshëm, është udhëheqës i grupit militant të njohur si rrjeti Hakani.

Hakani është i lidhur me talibanët dhe ka marrë përgjegjësinë për disa nga sulmet më vdekjeprurëse në Afganistan.

(REL)