Kabul, 19 maj 2022 – Talibanët kanë urdhëruar që të gjitha gratë prezantuese në kanalet televizive të vendit të mbulojnë fytyrën e tyre gjatë transmetimit.
Lajmin e bëri të ditur mediumi më i madh në Afganistan duke cituar një deklaratë të Ministrisë Së Virtyteve dhe Veseve, e cila ka për detyrë të implementojë rregullat e grupit që qeveris Afganistanin që nga tërheqja e trupave amerikane më gusht të vitit 2021. Në deklaratë shkruhej se urdhri ishte “përfundimtar dhe i panegociueshëm”.
Deklarata iu dërgua “Moby Group”, që janë në pronësi të “TOLOnews dhe rrjeteve të tjera televizive dhe radiofonike, dhe në mesazhin e postuar në Twitter thuhej se kjo do të aplikohej edhe në mediat e tjera afgane.
Një zyrtar i mediave në Afganistan konfirmoi se stacioni televiziv ku punonte kishte marrë urdhrin ku i thuhej se nuk kishte vend për diskutim. Ai tha se mediumi nuk kishte opsion tjetër. Ai foli me kusht që ai dhe televizioni ku punonte të mos identifikoheshin për shkak të problemeve me autoritetet.
Disa prezantuese gra postuan fotot e tyre në mediat sociale ku shfaqeshin me fytyrat e mbuluara dhe me maska gjatë prezantimit të programeve. Një prezantuese e njohur, Yalda Ali, postoi një video të sajën duke vendosur maskën me nënshkrimin: “një grua që po fshihet, me urdhër të Ministrisë së Virtyteve dhe Veseve.”
#AFG A powerful message from an Afghan woman (TOlo TV Host) that needs reflection: This is me, Yalda Ali, a woman -on verge of being eliminated by the Prevention of Vice and Promotion of Virtue. We are required to appear like this, hereafter. @bsarwary pic.twitter.com/Gjjhgm0wJf
— Wali Arian (@waliarian) May 19, 2022
Në një stacion tjetër, Shamshad TV, implementimi i urdhrit ishte i përzier: Një prezantuese u shfaq të enjten me maskë, ndërsa më vonë një tjetër u shfaq duke treguar fytyrën e saj.
Gjatë herës së parë të talibanëve në pushtet, nga viti 1996-2001, ata vendosën kufizime strikte ndaj grave, duke u kërkuar atyre të mbanin burkën që mbulonte edhe sytë me një rrjetë dhe i ndalonte ato nga jeta publike dhe arsimimi.
Pasi morën sërish pushtetin në Afganistan në gusht, talibanët fillimisht dukej se i kishin moderuar disi kufizimet e tyre, duke mos shpallur asnjë kod veshjeje për gratë. Por në javët e fundit, ata kanë marrë vendime duke ndjekur një vijë të ashpër që konfirmoi frikën më të keqe të aktivistëve të të drejtave.
(REL)