Prishtinë, 29 qershor 2022 –
Prishtinë, 29 qershor 2022 – Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën vendimin për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë – të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – në RKS (Republika e Kosovës).
Bëhet fjalë për veturat me targat PR (Prishtinë), GL (Gjilan), PZ (Prizren), KM (Mitrovicë e Kosovës), PE (Pejë), DJ (Gjakovë) dhe UR (Ferizaj).
Targat e tilla janë hequr në zonat e populluara me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në vitin 2011, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes.
Por, në komunat në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë janë serbë, ka vazhduar ngasja e makinave me targa KM, të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë – gjë që ka qenë në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel.
Në shtator të vitit të kaluar, Kosova ka vendosur masa reciproke ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që kanë hyrë në Kosovë, duke u kërkuar të vendosin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në territorin e vendit.
Kjo masë ka çuar në përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, ku pjesëtarë të komunitetit serb i kanë mbajtur të bllokuara vendkalimet kufitare për dy javë.
Më pas, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për mbulimin e simboleve shtetërore në targa me letra ngjitëse të bardha.
Marrë parasysh se ende nuk është gjetur zgjidhje përfundimtare, regjimi me letra ngjitëse mbetet në fuqi.
Deri më tani, letrat e bardha janë ngjitur edhe në targat KM.
Në deklaratën e Qeverisë së Kosovës, të lëshuar më 29 qershor, sqarohet se riregjistrimi i këtyre veturave do të fillojë më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.
“Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në deklaratë.
Aty, po ashtu, theksohet se riregjistrimi i veturave me targat e përmendura, nuk do të jetë i mundur pas afatit.
(REL)