Këngëtarja amerikane Taylor Swift i është bashkuar Elon Muskut në listën e personave më të pasur në botë.
Ylli amerikan ka hyrë në Listën e Miliarderëve, të përpiluar prej revistës Forbes, për herë të parë, pas regjistrimit të një pasurie prej 1.1 miliard dollarësh.
Në listë këtë vit ka hyrë edhe Sam Altman, krijuesi i aplikacionit ChatGPT të kompanisë AI, me një pasuri prej 1 miliard dollarësh.
Mirëpo Bernard Arnault dhe familja e tij, që qëndrojnë mbrapa kompanisë franceze të mallrave luksoze LVMH, e kryesojnë listën e revistës Forbes me një pasuri prej 233 miliardë dollarëve.
Forbes ka thënë se në vitin 2024 është regjistruar një rekord i miliarderëve – 2.781.
Forbes ka thënë se elita botërore është më pasur se kurrë dhe e ka një pasuri kolektive prej 14.2 trilionë dollarëve.
Swift, këngëtare dhe tekstshkruese, ka hyrë këtë vit në listën e personave më të pasur, pasi e ka fituar statusin e megayllit.
Këtë vit ajo është bërë performuesja e parë që e ka fituar çmimin për albumin më të mirë për herë të katërt.
Përveç muzikës, emri i saj është shumë i përfolur edhe për lidhjen e dashurisë që ka me yllin e futbollit amerikan Travis Kelce.
Sa u përket 10 personave më të pasur në planet, tetë janë prej SHBA-së dhe gjashtë prej tyre janë pasuruar në industrinë e teknologjisë.
Pas Arnaultit dhe familjes së tij, Musk, pronari i kompanive Tesla dhe X – i njohur më parë si Twitter – është renditur i dyti, me një pasuri prej 195 miliardë dollarësh.
Në vendin e tretë është pronari i kompanisë Amazon, Jeff Bezos.
Forbes ka thënë se klasa e miliarderëve më 2024 është 255 për qind më e pasur sesa një dekadë më parë, që nënkupton se 0.5 për qind e 2.781 miliarderëve të botës gëzojnë 14 për qind të pasurisë së të gjithë miliarderëve.
Në aspektin gjeografik, SHBA-ja ka më shumë miliarderë sesa çdo shtet – 813 – e përcjellë nga Kina dhe India.
(Radio Evropa e Lirë)