Të dielën, në SHBA pritet të regjistrohen temperatura rekorde

Uashington, 16 korrik 2023 – Disa pjesë të Shteteve të Bashkuara pritet të regjistrojnë temperatura rekorde të dielën, ndërsa me mot të nxehtë pritet të përballen edhe javën e ardhshme.

Gati një e treta e amerikanëve – rreth 113 milionë njerëz – janë aktualisht të paralajmëruar për rreziqet e motit të nxehtë, që është shtrirë nga Florida dhe Kalifornia e deri në Uashington.

Shërbimi Kombëtar i Motit u ka bërë thirrje njerëzve që të mos e nënvlerësojnë rrezikun që mund t’iu shkaktohet.

Të shtunën në Feniks të Arizonës temperatura ka arritur në 48 gradë Celsius.

Klinikat mobile kanë raportuar se i kanë trajnuar të pastrehët, pasi ata kanë pësuar djegie të shkallës së tretë.

Ka parashikime që zona e Kalifornias – një prej vendeve më të nxehta në botë – të regjistrojë temperaturë 54 gradë Celsius, shifër që nuk është regjistruar më parë në botë.

Përdorimi i kondicionerëve ka shënuar rekord të ri, derisa parqet, muzetë dhe kopshtet zoologjike ose janë mbyllur, ose i kanë shkurtuar oraret e punës.

Shkencëtarët besojnë se temperaturat po rriten për shkak të ndryshimeve klimatike dhe si pasojë e fenomenit El Nino, i cili aktivizohet çdo tre deri në shtatë vjet dhe ndikon në rritje të temperaturave.

Temperatura e Tokës është rritur për 1.1 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, përveç nëse qeveritë në mbarë botën marrin hapa për t’i ndalur emetimet e karbonit.

(REL)