Të gjitha viktimat e sulmit në shkollën e Teksasit gjendeshin në një klasë

Uvalde (Texas, US) – 19 nxënës dhe dy mësuese u vranë në sulmin me armë në shkollën fillore Robb në Uvalde të Teksasit, të martën.

Chris Olivarez, zëdhënës i Departamentit të Teksasit për Sigurinë Publike, bëri të ditur se të gjitha viktimat gjendeshin në një klasë, në momentin e sulmit.  Ai tha se sulmuesi ishte barrikaduar në një dhomë të shkollës, ku vrau dy mësueset dhe 19 fëmijët.

“Derisa po dëgjoheshin të shtënat në shkollë, oficerët e rrethuan shkollën dhe thyen xhamat në përpjekje që të evakuonin fëmijët dhe stafin e shkollës. Më pas ata arritën të hynin me forcë në klasën ku ishte barrikaduar sulmuesi”, shpjegoi Olivarez.

“Të gjitha viktimat janë larguar nga aty, janë identifikuar, ndërsa familjarë e tyre janë njoftuar”, u shpreh ai.

Olivarez tha se shumë fëmijë të tjerë janë plagosur, por nuk qe në gjendje të thoshte numrin e saktë.

“Është një klasë shumë e vogël, mund të kishte diku nga 25 deri në 30 nxënës aty, plus dy mësues… Pra, nuk e kemi numrin e saktë se sa nxënës ishin në klasë, por ai mund të ndryshojë.. Ishte një mjedis klase, një mjedis tipik klase, ku ka grupe masive fëmijësh brenda, të gjithë së bashku. Pra, nuk kishin ku të fshiheshin”, tha ai.

Nine of the 21 victims of Tuesday's school shooting in Uvalde have been identified.

Disa nga nxënësit e vrarë gjatë sulmit në shkollën fillore në Uvalde të Texasit

Olivarez tha se nuk kishte asnjë ndjekje me forcat e rendit përpara se sulmuesi të përplaste një makinë pranë shkollës.

Kur u pyet nëse shkolla ishte cak i sulmuesit, Olivarez tha se “ende ka shumë pyetje pa përgjigje”.

“Ne po përpiqemi ta përcaktojmë këtë, prandaj po punojmë me FBI-në për të parë nëse kishte ndonjë tregues, ndonjë flamur të kuq, duke parë në mediat sociale. Ajo që dimë për sulmuesin është se ai është banor këtu, në Uvalde. Ai ndiqte një nga shkollat e mesme locale. Ai jetonte me gjyshërit e tij. Ishte i papunë, nuk kishte miq, asnjë të dashur që mund ta identifikojmë tash për tash, pa histori kriminale, gjithashtu asnjë lidhje me ndonjë bandë” tha ai.

Olivarez tha se sulmuesi e kishte një pushkë kur ai hyri në shkollë dhe autoritetet po punojnë për të përcaktuar se e çfarë lloji dhe e çfarë kapaciteti ishte ajo pushkë.

Sulmuesi Salvador Ramos, 18-vjeçar, u qëllua për vdekje nga forcat e policisë gjatë sulmit në shkollë.

(r.m.)