Bruksel, 12 maj 2022 – Bashkimi Evropian ka njoftuar për darkën e të mërkurës që pati Përfaqësuesi i Lartë i saj për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Siç ka bërë të ditur BE-ja është diskutuar për ndikimin rajonal dhe global të pushtimit Rus të Ukrainës, dhe se si BE-ja e shtetet e Ballkanit Perëndimor së bashku mund t’i adresohen çështjes së dëmeve që ka shkaktuar kjo luftë në çmimet e ushqimit dhe energjisë dhe në siguri.
“Përfaqësuesi i Lartë, Borrell, ka mirëpritur përkrahjen e plotë të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Asamblenë e Përgjithshme të BE-së për rezolutën në lidhje me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Përfaqësuesi i Lartë ka informuar për reagimin e BE-së në përkrahje të Ukrainës, përfshirë edhe sanksionet e marra për të kufizuar aftësinë e Kremlinit për ta financuar luftën. Ai ka ripërsëritur rëndësinë e koordinimit të politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke cekur se është element kyç për rrugën evropiane. Liderët kanë konfirmuar përkushtimin strategjik për integrim në BE dhe përkrahjen për bashkëpunim rajonal”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Në darkën joformale të mërkurën mori pjesë ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Sipas njoftimit, të hënën do të ketë takim të ministrave të Jashtëm të BE-së ku do të diskutohet për situatën në Ballkanin Perëndimor.
“Të hënën në Këshillin e Politikës së Jashtme, ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë në lidhje me situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu do të mbajnë një shkëmbim joformal të mendimeve me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e BE-së.
(r.m.)