Jerusalem, 8 maj 2022 – Të hënën, më 9 maj, në Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit “Yad Vashem”, në Jerusalem, do të nënshkruhet Memorandumi i parë i Mirëkuptimit midis Kosovës dhe Izraelit.
Në emër të Kosovës, marrëveshjen do ta nënshkruajë zëvendës-kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë vizitës që do të zhvillojë në Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit “Yad Vashem”.
“Nesër, më 9 maj, zëvendëskyeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Shkëlqësia e Saj Zonja Donika Gërvalla-Schwarz do të vizitojë Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit ‘Yad Vashem’. Ministrja Gërvalla-Schwarz do ta vizitojë Muzeun Historik të Holokaustit, do të marrë pjesë në një ceremoni në Sallën e Kujtesës, do ta vizitojë Memorialin e Fëmijëve dhe do të nënshkruhet në librin e të ftuarve të ‘Yad Vashem’. Gjatë vizitës, ministrja do të nënshkruajë Memorandumin e parë të Mirëkuptimit që vendos zyrtarisht lidhjet formale ndërmjet Shkollës Ndërkombëtare për Studimet e Holokaustit të ‘Yad Vashem’ dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e qendrës.
Në njoftim bëhet e ditur se marrëveshja përfshin organizimin e seminareve për trajnimin e mësimdhënësve të Kosovës lidhur me Holokaustin.
Qendra Përkujtimore Botërore të Holokaustit “Yad Vashem” ka një rrjet të zhvilluar të shkollave dhe shërbimesh arsimore në gjashtë kontinente.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në Izrael, është takuar me kryetarin e Odës Ekonomike të Izraelit, Roy Roznek.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Roznek ka bëtë të ditur se në takim kanë marrë pjesë krerët e shomave të tregtisë në Tel Aviv.
“Vizita e parë e Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gervalla, në Izrael. Takimi me krerët e dhomave të tregtisë në Tel Aviv”, ka shkruar ai.
Të dielën, më 8 maji, ministrja Gërvalla ka udhëtuar drejt Jerusalemit. Ajo do të takohet me homologun e saj Yair Lapid, me kryetarin e Jerusalemit, Moshe Leon, ministrin për Trashëgiminë në Jerusalem, Zeev Elkin, kryetarin e Federatës Izraelite të Odës Ekonomike, Uriel Lynn dhe me një grup mërgimtarësh kosovarë që jetojnë në Izrael.
Kabineti i ministres Gërvalla ka bërë të ditur se në këto takime pritet të diskutohet për avancimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, për zhvillimet aktuale në rajon dhe në botë.
Izraeli dhe Kosova kanë vendosur marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt 2021, ndërsa ambasada e Kosovës në Jerusalem është hapur më 14 mars 2021.
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli ishte pjesë e marrëveshjes së zotimeve të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Marrëveshje ishte nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në njërën anë, dhe nga presidenti Trump, në anën tjetër.
(r.m.)