Nga Jona Koprencka
Në këtë kohë të trazuar nga pandemia, krizat individuale, sociale dhe politike mbahet një marshim në emër të paqes, të vlerave, të harmonisë dhe vëllazërisë. Marshime të tilla përkujtojnë data dhe ngjarje të caktuara që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë. Problematikat si papunësia, emigracioni dhe tranzicioni i tejzgjatur politik zënë pjesën më të gjërë mediatike duke lënë në hije aktivitetet social- kulturore dhe duke zhvendosur vëmendjen të debatet politike.
Një qendër komunitare në qytetin e Elbasanit ftoi për herë të 12-të qytetarët në 8 janar, përfaqësues të pushtetit lokal/qendror, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të komuniteteve fetare si dhe qytetarët të marshonin në emër të paqes. Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan, që sjell sëbashku përfaqësues nga katër komunitet fetare kryesore, po i ndihmon të rinjtë e këtij qyteti të shembin paragjykimet duke promovuar traditën e harmonisë fetare. Qendra u krijua falë vullnetit të drejtuesve të komuniteteve fetare në Elbasan dhe mbështetjes së USAID-it. Në këtë qendër aderojnë katër komunitetet kryesore fetare në Shqipëri Komuniteti Mysliman, Kisha Katolike, Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare si dhe Komuniteti Bektashi.
Tolerance fetare, harmonia dhe vëllazëria nuk duhen marrë për të mirëqena
Vlerat për të cilat dallohemi dhe krenohemi si toleranca, harmonia fetare, besa, mirëpritja, i marrim për të mirëqëna, nuk i kujtojnë dhe as i promovojmë. Media na servir vec politike, kronikë të zezë dhe showbizz. Mungesa e theksuar e aktiviteve social-kulturore na e mbush kohën e lirë dhe na orienton vemendjen drejt konsumit të cështjeve politike të rendit të ditës, pakënaqësive dhe lënies në harresë të vlerave tona kombëtare.
Ne jetojmë në një vend me harmoni dhe tolerancë fetare, por ka shtete në të cilat besimtarët nuk janë të lirë të praktikojnë religjionin e tyre; ne jetojmë në një vend ku komunitetet etnike kanë të njëtat të drejta, fatkeqësisht ka ende shtete ku komunitete të caktuara etnike janë të diskriminuara; ne jetojmë në një vend ku nuk shkelet e drejta e votës, e punës, e përfaqësimit, por fatkeqësisht ka vende ku këto të drejta themelore nuk janë ose nuk respektohen.
Në kuptimin social, paqja zakonisht përdoret për të nënkuptuar mungesën e konfliktit (si lufta) dhe lirinë nga frika e dhunës ndërmjet individëve ose grupeve heterogjene. Deri më sot kemi qenë dëshmimtarë të marshimeve mbi një kauzë të caktuar si të drejtat e njeriut, e drejta e votës së lirë, mosdiskrimimimi me bazë etinke/fetare/gjinore, mbarimi i një lufte, kujtimi i gjenocideve ose masakrave të ndryshme anë e mbanë botës.
Në këtë kontekst, në mungesë të konfliktit (luftës) në territorin shqiptar, Marshimi i Paqes, bën thirrje për tolerancë dhe harmoni në mbarë botën. Përpara Zotit dhe ligjit shtetasit e cdo kombi janë njësoj të barabartë. Është tepër vonë të promovosh paqen kur konflikti të qëndron në ‘dyert e shtëpisë’.
Edit Durham i bën jehonë traditave dhe zakoneve tona në librat e saj, duke na shquar për besën dhe mirëpritjen.
“Traditat e forta kombëtare frymëzuan shqiptarët që të shpëtojnë jetët e hebrenjve gjatë Holokaustit”, shkruan Qendra e Studimeve të Holokaustit në Izrael.
“Shqipëria, vendi i vetëm europian me shumicë myslimane, ishte njëkohësisht edhe i vetmi vend europian që doli nga Holokausti me një popullsi më të madhe hebrenjsh se sa më parë”, citon artikulli i shkruar në “AISH”, portali më i madh i çështjeve hebrehe në botë.
“Të drejtët mes Kombëve” është titulli i marrë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve.
Vital Voices Global Partnership në SHBA, nderon kryeministrin shqiptar Edi Rama për mikpritjen që Shqipëria i’u bëri refugjatëve afganë, duke ofruar për ta strehim, arsimim, shërbime mjekësore e mbështetje psikologjike.
Aktivitete të tilla sensibilizuese si Marshimi i Paqes, i bëjnë thirrje qytetarëve, shoqërisë civile dhe klasës politike të kthejnë vëmendjen nga tradita, vlerat tona për të mos i lënë në harresë, si dhe që t’i jepet më shumë përkrahje politikave sociale dhe projekteve që promovojnë kulturën, harmoninë dhe tolerancën fetare, vëllazërinë, besën dhe mikëpritjen, duke vendosur theksin te vlerat për të cilat njihemi dhe nderohemi në tërë botën.