Të martën, në Zubin Potok u gjetën të tjera armë, municione, pajisje dhe uniforma ushtarake

Prishtinë, 3 dhjetor 2024 – Policia e Kosovës njoftoi se të martën ka realizuar një tjetër operacion bastisjeje në një lokacion të komunës së Zubin Potokut, ku ka gjetur dhe konfiskuar armë, municion të kalibrave të ndryshëm, pajisje ushtarake dhe uniforma ushtarake.

“Sot me datën 03.12.2024, si rezultat i patrullimeve dhe angazhimeve nga njësite relevante policore, janë siguruar informacione se në një lokacion në komunën e Zubin Potokut, dyshohej se gjenden të fshehura armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Pas verifikimit të informacionit njësitet policore kanë kryer kontrolle në objekte ndihmëse. Në një kotec pulash, të fshehura nën kashtë dhe në disa fuçi (bure) të mbushura me drithëra, janë gjetur disa qese me armë, municion, antiplumb dhe pajisje të tjera ushtarake”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me këtë rast policia ka sekuestruar si dëshmi dhe prova materiale: një armë AK-47 të demontuar, shtatë karikatorë për pushkë automatike AK-47 me nga 30 fishekë, 12 fishekë të zbrazët, pjesë të ndryshme të armëne në një kuti plastike, municione të kalibrave të ndryshëm, një helmetë ushtarake, dhjetë rripa për uniforma ushtarake, një kapelë ushtarake, dy çanta ushtarake, një shall kamuflazhi për snajperist, një këllëf ushtarak për karikator të armës së gjatë, disa jelekë taktikë ushtarakë prodhim kinez dhe disa uniforma, xhaketa, këmisha, pantallona, rripa dhe kapela ushtarake me emblema e mbishkrime të ndryshme, përfshirë edhe ruse, etj.

Policia e Kosovës ka thënë se në veri të vendit kanë vazhduar veprimtaritë për sigurinë e banorëve e të pronës si edhe për parandalimin e akteve të mundshme kriminale e terroriste.

“Angazhimet dhe masat shtesë të Policisë së Kosovës në veri të vendit po vazhdojnë me qëllim që banorëve të asaj zone tu ofrohet siguri, të parandalohen aktet e mundshme kriminale e terroriste, akte këto si ky i fundit që ishte ndaj infrastrukturës kritike, dëmtimi i së cilës mund të kishte sjellë pasoja të mëdha për vendin, për termocentralet e po ashtu do të kishte lënë pa ujë të pijshëm shumë banorë të disa komunave, përfshirë edhe vet banorët në komunat në veri të vendit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ajo i siguron qytetarët pa dallim se këto veprimtari janë në interes të sigurisë së tyre, ruajtjes së pronës dhe sjelljes së personave të dyshuar para organeve të drejtësisë.

“Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të angazhohet në ruajtjen e rendit kushtetues dhe njëherit siguron qytetarët pa dallim se këto masa janë ndërmarrë në interes të sigurisë së tyre, parandalimit të akteve kriminale, ruajtjes së pronës publike dhe asaj private, si dhe sjelljes së personave të dyshuar para organeve të drejtësisë, në mënyrë që qytetarët e asaj zone të kenë një jetë më të qetë e më të sigurt”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thotë se situata e sigurisë në pjesën veriore të vendit është e qetë, por ende e brishtë, për shkak të akteve kriminale si sulmi terrorist në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, të komunës së Zubin Potokut, të kryer më 29 nëntor.

“Situata e sigurisë në nivel vendi vlerësohet e qetë, aktualisht një situatë e qetë vlerësohet edhe në veri të vendit, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi, në veri është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, sikurse rasti i sulmit kriminal terrorist i ndodhur me 29.11.2024 ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, të komunës së Zubin Potokut”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

(r.m.)