Të mbijetuarit e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë përballen edhe me mungesë ndjeshmërie

Prishtinë, 12 shtator 2024 – Organizata “Medica Gjakova”, e cila trajton cështjen e të mbijetuarave të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, publikoi të enjten një raport sipas të cilit 86 për qind e tyre përballen me pasoja afatgjata siç është stresi post traumatik.

“Gjithashtu 96 për qind e pjesëmarrësve në anketim përmbushin kriteret për depresion klinik. Në anën tjetër 96 për qind kanë raportuar nivele të larta ankthi. Ndërkaq mbi 76 për qind e tyre kanë deklaruar se pas luftës kanë përjetuar momente kur janë ndjerë se jeta nuk ia vlen më”, tha Dea Fetiu bashkëautore e raportit.

Raporti me titullin “Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur” përfshin anketat me 200 të mbijetuar të përdhunimeve, 191 gra dhe nëntë burra.

Sipas raportit, mbi gjysma e të anketuarve e përshkruajnë gjendjen e tyre fizike si shumë të dobët dhe vetëm gjashtë për qind e tyre e vlerësojnë gjendjen e tyre fizike si të mirë.

“Për më tepër të gjithë kanë deklaruar se kërkojnë rregullisht kujdes mjekësor. Në anën tjetër 80 për qind e tyre kanë deklaruar se vuajnë nga dhimbje të ndryshme si në kokë, qafë dhe shpinë apo lodhja kronike”, tha zonja Fetiu.

Të mbijetuarit e përdhunimeve në Kosovë, sipas studimit, vazhdojnë të vuajnë edhe pasoja sociale duke u përballur me një mjedis stigmatizues.

“Pothuajse gjysma e pjesëmarrësve kanë deklaruar se njohin të mbijetuara të tjera të cilat nuk kanë pasur asnjëherë mundësi të flasin për përvojën e tyre. Gjithashtu pothuajse 70 për qind e personave pjesëmarrës në studim kanë deklaruar se shmangin aktivitetet shoqërore dhe tentojnë të limitojnë kontaktet sociale duke u larguar nga marrëdhëniet shoqërore”, tha zonja Fetiu.

Mirlinda Sada, drejtoreshë ekzekutive e “Medica Gjakova”, theksoi se një nga gjetjet më shqetësuese nga ky studim është izolimi i vazhdueshëm shoqëror me të cilin përballen të mbijetuarit.

“Këto gra dhe burra qëndrojnë në heshtje, jo me zgjedhje por për shkak të frikës. Frika nga turpërimi i familjeve të tyre, frika nga fyerjet nga fqinjët dhe frika se mos braktisen nga komuniteti i tyre. Kjo kulturë e heshtjes vazhdon të jetë një pengesë për një shërim që ndikon në shëndetin mendor, jetën sociale dhe marrëdhëniet familjare të të mbijetuarve. Këta persona nuk jetojnë thjesht me traumën e asaj që iu ka ndodhur gjatë luftës, ata vazhdojnë të durojnë pasojat e stigmës dhe të gjykimit shoqëror”, tha zonja Sada.

Monika Hauser, themeluese e organizatës ndërkombëtare Medica Mondiale, e cila ka mbështetur këtë studim, tha se 25 vjet pas luftës në Kosovë ende nuk ka mjaftueshëm ndjeshmëri politike dhe shoqërore për këtë çështje.

“Ka nevojë për shumë më shumë shërbime të kualifikuara në vend. Këtu, rekomandimi ynë drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht qeverisë gjermane, është se mund të japin kontribut të rëndësishëm për të mbijetuarit duke mbështetur organizatat joqeveritare të cilat janë të parat dhe për një kohë të gjatë të vetmet që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta me qasje të ndjeshme dhe në kuptim afatgjatë duke qenë se edhe problemet janë të natyrës afatgjate çka edhe dëshmohet me këtë studim”, tha zonja Hauser.

Ndonëse ende nuk dihet numri i saktë i viktimave të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, besohet se ky numër është rreth 20 mijë.

Një çerek shekulli pas luftës, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare vetëm një person është dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për kryerje të këtij lloj krimi.

(Zëri i Amerikës)