Shkodër, 14 nëntor 2023 – Një grup pjesëtarësh të revoltës së ish burgut komunist të Spaçit, të cilët janë ende në jetë, u bashkuan sot përpara memorialit të ish të burgosurve politikë, në Shkodër, duke kërkuar një vemendje më të madhe ndaj të mbijetuarve të burgjeve komuniste si dhe ngritjen e Murit të Kujtesës për rreth 6 mijë të zhdukurit gjatë periudhës së diktaturës. Pak ditë më parë, ata ishin në Vatikan ku i dëshmuan Atit të Shenjtë mbi kalvarin e vuajtjeve të tyre në dikataturë.
Janë të mbijetuarit e pakët të burgut famëkeq të Spaçit, pjesëmarrës në revoltën e të burgosurve të këtij burgu në vitin 1973. Pak ditë më parë, me nismën e Unionit Mbarëkombëtar për Integrimin e ish të Burgosurve Politikë, ata ishin në Vatikan, ku takuan Atin e Shenjtë, të cilit i dorëzuan dokumente të përndjekjes komuniste dhe dëshmi për vuajtjet në burgjet komuniste.
Sot ata u bashkuan përpara memorialit të ish të burgosurve politikë, në qendër të qytetit të Shkodrës, në nderim të bashkëvuajtësve të tyre që tashmë nuk jetojnë, por edhe për të shprehur shqetësimet mbi situatën në Shqipëri.
Kryetari i Unionit, Besim Ndregjoni, thotë se “ Nga klasa politike, pa dallim, luftohet vetëm të heshtet ndaj krimit komunist, të heshtet ndaj sakrificave të antikomunistëve shqiptar, të heshtet ndaj vlerave të kombit shqiptar. Çdo komb përbëhet nga vlerat. Këto vlera i çmoi shumë Shkëlqesia e Tij, Papa Françesku, i cili priti në Vatikan këtë delegacion të ish të përndjekurve politikë”.
Pjesëmarrësit në revoltën e burgut të Spaçit thonë se është koha që shteti shqiptar të ndërtojë Murin e Kujtesës për 6 mijë të zhdukurit në komunizëm. Nuri Stepa, ish pjesëmarrës në revoltën e Spaçit, thotë se revolta dëshmoi qëndresën antikomuniste të ish të burgosurve politikë të kohës.
“Unë do të kërkoj një memorial për ata katër shokët e mi që janë pushkatu. Të bëhet në Tiranë. Ata nuk kanë varr, po t’u bëhet një memorial ku të vendosim një tufë lule, sepse kemi përjetu një tmerr në atë revoltë. Hetuesinë që kemi bërë në burg nuk e ka bërë asnjë shqiptar”, thotë Nuri Stepa.
76-vjeçari Demir Pojani, pasi përshkruan revoltën dhe vuajtjet në ish burgun famëkeq të Spaçit, thotë se, megjithëse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga shëmbja e komunizmit, ata ende nuk ndjehen të lirë.
“Ne jemi sot një shtresë ku fuqia e diktaturës ekziston. Po ekziston kështu në ajër, sikur nuk e shikojnë njerëzit. Po ajo shtyp. Dhe ne e ndjejmë. Se ne dolëm dhe kërkojmë lirinë, po nuk po e gjejmë. E ndjejmë që na mungon diçka dhe, kur zgjohemi në mëngjes, na duket dielli si hanë”, thotë ai.
Kanë kaluar 50 vite nga revolta e të burgosurve, dhe ish burgu famëkeq i Spaçit, në thellësi të Mirditës, ka mbetur i braktisur dhe, megjithë thirrjet e vazhdueshme për t’u shndërruar në muze, nga viti në vit ai po shkon drejt shkatërrimit.
(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)