Nju Jork, 23 mars 2022 – Kombet e Bashkuara do të përballen me tri rezoluta të mërkurën lidhur përkeqësimin e situatës humanitare në Ukrainë pasi Rusia vendosi të thërrasë në votim një rezolutë që nuk përmend sulmin e saj ndaj Ukrainës.
Në Asamblenë e Përgjithshme është planifikuar të fillojë shqyrtimi i dy rezolutave rivale të mërkurën në mëngjes – njëra e mbështetur nga Ukraina dhe vendet perëndimore që bën të qartë se Rusia është përgjegjëse për krizën humanitare në rritje dhe tjetra e sponsorizuar nga Afrika e Jugut që nuk e përmend Rusinë.
Ndërkaq në Këshillin e Sigurimit do të votohet për rezolutën e tretë, të sponsorizuar nga Rusia, e cila është kritikuar gjerësisht sepse nuk e përmend pushtimin e Ukrainës.
Të premten e kaluar, Rusia e kishte anuluar një votim në Këshillin e Sigurimit, pasi diplomatët rusë parashikuan se ajo do të refuzohej nga shumica, ndërsa për miratim nevojiten të paktën nëntë vota dhe pa asnjë veto.
Zëvendësambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyansky, u tha gazetarëve të martën se Rusia ka kërkuar tani një votim të mërkurën. Ishte planifikuar që votimi të bëhej pas takimit të planifikuar të Këshillit të Sigurimit për bashkëpunim me Ligën Arabe, të mërkurën në mëngjes.
Polyansky tha se nëse vendet perëndimore nuk e mbështesin rezolutën ruse, kjo do të jetë “një reflektim i hipokrizisë së tyre” dhe një refuzim për të mbështetur një masë thjesht humanitare “pa asnjë politizim”, ashtu si rezolutat tjera humanitare të miratuara nga Këshilli i Sigurimit 15 anëtarësh.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Deri më tani, lufta në Ukrainë ka shkaktuar miliona refugjatë.
Nga fillimi i luftës deri në mesnatën e 19 marsit, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) regjistroi 902 civilë të vrarë dhe 1,459 të plagosur.
Zyrtarët ukrainas thonë se mijëra civilë janë vrarë.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës raportoi të shtunën se 112 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftimeve ndërsë shumë se 140 fëmijë janë plagosur.
Një krizë e theksuar humanitare po zhvillohet momentalisht në qytetin- port të Mariupolit ku vlerësohet se mbi 200,000 civilë mbeten të bllokuar pa ujë, rrymë dhe furnizime ushqimore.
(Sipas REL)