Nga Eduard M. Dilo
Udhëtarë të përkohshëm jemi në kete jetë.
Ashtu siç vimë, vjen dhe dita e largimit në përjetësi.
E përcollëm plot respekt, dhimbje dhe lotë Latifin e mrekullueshëm, atë burrë të urtë, të qetë, fjalë -butë e shumë të llogjikshëm, të saktë në çdo bisedë që bëje me të.
E karakterizonte një kujtesë e freskët edhe pse vitet kalonin, qetësia bindese, buzëqeshja dhe humori i hollë të impononin respekt dhe të bënin ta dëgjoje me interes dhe endje.
Një thesar i tërë qe biseda me të. Mësoje shumë prej tij.
Lindur dhe rritur në një familje që në gen trashëgonte veç cilësive pozitive dhe një patriotizëm të ushqyer në breza.
Punoi me ndërgjegje e përkushtim si kryezooteknik në rrethin e Fierit, ku gëzonte respektin dhe admirimin e të gjithëve.
Tepër korrekt në punë, me një disiplinë të ndërgjegjëshme kish përherë sukses.
U martua me Fatime Tabaku Çelo (e cila ka ndërruar jetë katër vite më parë) dhe së bashku rritën dhe edukuan dy fëmijë shembëllore: Xhevon dhe Nevilën, të cilët janë shembëll mirësie në shoqëri dhe kudo.
Te dy do të ngelen për gjithë sa i njohën një çift ideal, përcjellës të një sjellje tepër korrekte, të qeshur, të ëmbël, të respektueshëm dhe të shoqërueshëm.
Largesa e tyre lë një boshllek jo vetëm për familjarët, por edhe për miqtë e dashamirësit.
Do të prehen aty pranë njeri-tjetrit në përjetësi në banesen e fundit në varrezat “Kensico Cemetery, Vallhalla NY.”