Gazë, 4 dhjetor 2024 – Një sulm ajror izraelit në një kamp ku strehohen personat e zhvendosur në jug të Gazës la të vrarë të paktën 21 persona, tha drejtori i spitalit Nasser, Atif al-Hout, në qytetin e Han Junisit.
Nga sulmi kanë mbetur të plagosur edhe 28 persona.
Ushtria izraelite tha se një avion tij ushtarak goditi zyrtarë të lartë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që “ishin të përfshirë në aktivitete terroriste” në atë zonë.
Trupat e të paktën 15 viktimave janë dërguar në spitalin Nasser, por autoritetet shëndetësore thanë se do të jetë e vështirë të dihet numri i saktë i viktimave, pasi shumica e trupave të tyre janë gjymtuar dhe kanë pësuar djegie të rënda.
Sulmi ajror goditi zonën e Muvasit, ku gjendet një kamp që strehon qindra mijëra persona të zhvendosur. Në sulmet e kryera më herët gjatë ditës në Gazë lanë të vrarë tetë persona, përfshirë katër fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Lufta e Izraelit kundër Hamasit ka shkatërruar zona të mëdha të Gazës dhe ka bërë që 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e kësaj enklave të zhvendoset disa herë.
Lufta nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 44.500 palestinezë, mbi gjysma e tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Izraeli, pa ofruar dëshmi, ka thënë se ka vrarë më shumë se 17.000 militantë.
(Radio Evropa e Lirë)