Të paktën 36 të vrarë në një sulm të Izraelit në Han Junis

Gazë, 25 tetor 2024 – Një sulm ajror izraelit ka vrarë të paktën 36 persona në Han Junis, thanë zyrtarët shëndetësorë në Gazë më 25 tetor.

Sulmi, që ndodhi mëngjesin e së premtes, vjen teksa ushtria izraelite po vazhdon ofensivën në Liban dhe Gazë, pavarësisht presionit ndërkombëtar për armëpushim.

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë. Sipas tyre, sulmi ndodhi në kohën kur njerëzit ishin duke pritur në radhë pranë furrës së vetme të bukës që vazhdon të jetë e hapur në këtë qytet në jug të Gazës.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar për këtë sulm në mënyrë specifike. Por, në njoftimin e rregullt për luftimet, tha se “një numër i terroristëve janë eliminuar përmes sulmeve ajrore dhe tokësore” në jug të Gazës.

Përderisa forcat izraelite vazhdojnë të operojnë në mbarë Rripin e Gazës, javëve të fundit Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore dhe tokësore në veri të enklavës, pasi në këtë pjesë, sipas ushtrisë izraelite, kanë nisur të rigrupohen luftëtarët e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Tensionet mes Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzuan në fillim të tetorit, kur Izraeli nisi një operacion tokësor kundër bazave të Hezbollahut, në jug të Libanit.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka futur në listën e tij të zezë krahun ushtarak, por jo dhe partinë politike të grupit.

Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

(Radio Evropa e Lirë)