Kiev, 8 prill 2022 – Të paktën 50 njerëz u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në një sulm me raketa ruse në stacionin hekurudhor në Kramatorsk, në Ukrainën lindore, në kohën që stacioni ishte i mbushur me gra, fëmijë dhe të moshuar që po përpiqeshin të evakuoheshin nga zonat e përfshira në luftës, ka bërë të ditur guvernatori rajonal Pavlo Kyrylenko.
Në një postim në internet, guvernatori ka thënë se shumë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.
Kryebashkiaku Oleksander Honcharenko ka thënë se spitalet nuk mund të përballojnë numrin e të plagosurve në këtë sulm.
“Ka shumë të lënduar rëndë, pa duar dhe pa këmbë. Ata operohen nga 30-40 kirurgë në të njëjtën kohë”, ka shkruar Kryeredaktorja e “Zaborona media”, Katerina Sergatskova.
Guvernatori rajonal i Donetskut ka thënë se policia dhe ekipet e shpëtimit kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të ndihmuar të plagosurit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në adresimin e tij oline për Parlamentin e Finlandës, ka thënë se në stacionin e trenit nuk kishte trupa ukrainase kur u sulmua.
“Forcat ruse goditën stacionin e trenit në Kramatorsk, një stacion treni të zakonshëm, mbi njerëzit e zakonshëm. Atje nuk kishte ushtarë”, ka thënë ai.
“Rusët çnjerëzorë nuk po i ndryshojnë metodat e tyre. Pa pasur forcën apo guximin për t’u përballur me ne në fushën e betejës, ata po shkatërrojnë në mënyrë cinike popullsinë civile”, ka shkruar Zelensky në rrjetet sociale.
“Kjo është një e keqe pa kufi. Dhe nëse nuk dënohet, atëherë nuk do të ndalet kurrë”, ka theksuar ai.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi se kishte sukmuar stacionin e trenit në Kramatorsk. Sipas kësaj ministrie,
Dy raketa ruse kanë goditur një stacion hekurudhor në Kramatorsk, në Ukrainën lindore. Kramatorsk konsiderohet si një nga rrugët kryesore për evakuimin e popullsisë së Ukrainës lindore.
(Sipas REL dhe Zërit të Amerikës)