Shkup, 16 mars 2025 – Të paktën 51 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme maqedonase.
Mbi 100 persona është raportuar të jenë plagosur – mbi 80 prej tyre janë transferuar në klinikat e Shkupit.
Drejtori i spitalit të qytetit të Shkupit “Shën Naum Ohridski”, Nebojsha Nasto ka thënë për agjencinë e lajmeve MIA se 29 persona janë shtruar në spital, përfshirë të mitur, me plagë të rënda në fytyrë dhe duar.
Një pjesë e të plagosurve janë dërguar edhe në Shtip.
Autoritetet nuk kanë treguar ende se si është përhapur zjarri dhe çfarë e ka shkaktuar atë.
Sipas mediave lokale, zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga bendi maqedonas ADN. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.
Rreth 1.500 persona është thënë se kanë marrë pjesë në koncert.
Mediat lokale kanë thënë se pas shpërthimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë arritur zjarrfikësit, ambulanca, dhe zyrtarët policorë.
Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim të Krizave, Stojançe Angellov ka bërë të ditur se është në Koçan, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.
Autoritetet kanë thënë se do të deklarohen më vonë gjatë ditës.
(Radio Evropa e Lirë)