Përmbytjet e papritura të sjella nga stuhitë e mbetura prej uraganit Ida kanë shkaktuar të paktën 8 vdekje dhe kanë çoroditur Nju Jorkun me rrethina.
Rreth mesnatës kryebashkiaku Bill de Blasio shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Qyetarëve u është bërë thirrje që të mos dalin nga shtëpitë deri në orën 5 të mëngjesit.
Të paktën katër prej të vdekurve kanë humbur jetën në apartamentet e tyre në bodrumin e ndërtesave.
Në disa ndërtesa uji ka hyrë në më shumë se një metër lartësi.
Në Bronks (Bronx) është dhënë alarmi për rrezik tornadoje, kurse në Nju Xhërsi (New Jersey) janë rrënuar disa banesa.
Sistemi i metrosë në Nju Jork është ndërprerë për shkak të përmbytjeve.
Të vdekurit variojnë nga 2 në 66 vjeç, por autoritetet nuk i kanë zbuluar emrat.
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur edhe në Nju Xhërsi nga guvernatori Phil Murphy, i cili i këshilloi shtetasit që të mos dalin në rrugë por të rrinë në shtëpitë e tyre.
Në Passaic, një person ka vdekur pasi ka ngecur me automjetin e tij në mes të përmbytjes.
Dhjetëra mijëra vetë nuk kanë energji elektrike. (Illyria)